07 Dhjetor 2021

Pjesëtarët e FSK-së dekorohen me medalje pas misionit ushtarak jashtë vendit

Prishtinë, 25 tetor - Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e FSK-së të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrahë forcave amerikane të Gardës Kombëtare të IOËA-s në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021

Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” të akorduara nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për: major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti. Kurse medaljet për “Shërbim të Shquar” ai i ndau pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s, kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Matthew G. Sandersen.

Me këtë rast, zv.ministri Syla, në emër të ministrit Mehaj theksoi se ka nderin e veçantë të përshëndesë ushtarakët tanë që bënë historinë për Republikën e Kosovës me  zbarkimin e parë në mision paqeruajtës jashtë vendit përkrah aleatëve të përhershëm, forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, theksoi zv.ministri Syla.

Me këtë rast, ai falënderoi partnerët amerikanë për kontributin e tyre të dhënë për përfaqësimin e FSK-së jashtë vendit.

Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës.

Në këtë ceremoni, gjeneral Rama i përgëzoi pjesëtarët e dekoruar të FSK-së për mision e kryer me sukses dhe për kontributin e dhënë në emër të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Gjithashtu, Gjeneral Rama falënderoi ushtrinë amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.

“Falë partnerëve tanë strategjikë ne tani nuk jemi konsumues të sigurisë por edhe e prodhojmë atë. Ky ka qenë misioni jonë, të kontribuojmë sa më shumë në paqen globale”, theksoi ai.

Gjithashtu, Gjeneral Rama iu ndau medalje për “Shërbim vetëmohues” edhe pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me kontingjentin e FSK-së në këtë operacion.

Në këtë ceremoni, ndër të tjera, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi  ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit. “Ju keni kontribuar që  të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, theksoi ndër të tjera kolonel Rose.

Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2021

- Zyra e Rregullatorit për Energji organizon konferencën për integrimin e tregut të energjisë elektrike. (Hotel “Swiss Diamond”, ora 9:00)

-  Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia inauguruese e pranim dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Prishtinës ku edhe do të bëhet betimi dhe nënshkrimi i deklaratës solemne për marrjen e detyrës së Kryetarit të ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama si dhe betimi i anëtarëve të ri të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. (Salla e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku raporton para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Lëvizja FOL në partneritet me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë bën lansimin e Raportit “Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

-  Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon shënimin e Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”. (Salla e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi” udhëheqes të Komunës së Rahovecit vizitojn shkollën e mesme të lartë  "Heronjtë e Kosovës" në Hoçë të Vogel. (Fshati Hoçë, ora 11:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion së bashku me disa organizata të tjera feministe organizon aksion simbolik lidhur me aktgjykimin seksist të Gjykatës Themelore në Gjilan që shfajësoi pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare në vitin 2012. (Para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mban dëgjim publik për Pakon e projektligjeve të pronësisë industriale si Projektligji për topografitë e gjysmëpërçuesve; Projektligji për dizajnin industrial, si dhe projektligji për patentat. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton Projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit dhe  planin e performancës për vitin 2022 nga Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)