28 Mars 2024

Personat që kanë marrë pjesë në luftime në Siri do të dalin para drejtësisë

Prishtinë, 19 korrik - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferenca për media lidhur me kthimin në Republikën e Kosovës së 11 qytetarëve nga zonat e konfliktit në Siri.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin ministri i Punëve të Brendshme, njëherazi Koordinatori Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Samedin Mehmeti.

Në fjalën e tij para gazetarëve, ministri Sveçla bëri të ditur se kthimi i këtyre qytetarëve, ku në mesin e tyre janë katër fëmijë, është bërë në bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Me këtë veprim, Kosova, si anëtare e Koalicionit Global, dëshmon së është partner i përkushtuar dhe i gatshëm të përmbushë obligimet ligjore, si vendore dhe ato ndërkombëtare”, tha ministri Sveçla.

Më tej, ai theksoi se të gjithë personat që kanë marrë pjesë në luftime në zonën e konfliktit, kanë kryer krime si dhe ata që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste, do të dalin para drejtësisë.

Në anën tjetër, ai theksoi se: “ne të do ndërmarrim të gjithë veprimet e nevojshme së bashku me institucionet relevante, për të ofruar mbështetjen e plotë për rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri ”.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Samedin Mehmeti tha se falë angazhimeve të tilla, ka rezultuar që situata aktuale të jetë shumë më ndryshe, për dallim me situatën e viteve 2013 dhe 2014.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij operacioni është arritur që të kthehen gjithsej 11 persona, në mesin e të cilëve gjashtë burra, një grua dhe katër fëmijë.

Po ashtu, ai theksoi se deri më tani, të kthyer nga zona e konfliktit janë gjithsej 253 persona, prej të cilëve 130 burra, 39 gra dhe 84 fëmijë.

Në fund, u theksua se situata e sigurisë në vendin tonë është e qetë dhe stabile, ndërsa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që sipas misionit dhe detyrave të saj, në mënyrë të vazhdueshme të angazhohet në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave të parapara sipas Strategjisë për parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)