19 Prill 2024

Përmirësohen hetimet e krimit të Policisë së Kosovës

Prishtinë, 5 tetor - Komisioni Evropian, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë inaguruar Sistemin e Informacionit të Integruar Balistik (SIIB) në laboratorin e  mjekësisë ligjore  në Policinë e Kosovës.

Paisjet e financuara në vlerë prej 1.2 milionë Euro do ta rrisin efektivitetin e hulumtimeve dhe do të kontribuojnë në reduktimin e rasteve të grumbulluara në gjykatat e Kosovës.

"Duke pasur prova më të besueshme në dispozicion do të arrihet një nivel më i lartë i dënimeve dhe do të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë, pasi që mundësohet zbatimi i standardeve evropiane në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.

Një shërbim i mjekësisë ligjore i cili do të funksionoj mirë është një parakusht për luftën efektive kundër krimit. Respektimi i plotë i sundimit të ligjit është prioritet kyç i Partneritetit Evropian për Kosovën", tha Kjartan Björnsson, Shef i Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të KE. 

Stafi i laboratorit të mjekësisë ligjore pas trajnimit adekuat ka filluar të përdorë Sistemin e informacionit balistik. SIIB është një stacion krahasues për ekzaminimin e plumbave dhe fishekëve në 2D dhe 3D. 

Plumbat dhe fishekët e shkrepur janë të ruajtura dhe skanuara si shënim referencë në databazën balistike për identifikimin e armëve.

'Gjurmët e gishtërinjëve' të secilës armë civile do të regjistrohen në këtë bazë të dhënash përmes testimit dhe evidentimit, që do të lehtësojë hulumtimet penale. SIIB përdoret në më shumë se 50 vende të botës  dhe gjithashtu lejon shkëmbimin e informacionit me Interpollin.

Futja e SIIB në përdorim do të rris kapacitetet e mjekësisë ligjore në Policinë e Kosovës. Përhapja e shpejtë e informatave balistike lejon bashkëpunimin me autoritetet tjera për zbatimin e ligjit dhe vendet tjera, si dhe përcjelljen e informacionit specifik për armën apo ndonjë armë zjarri të veçantë për krime të shumta, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike.

Bashkimi Evropian që nga viti 1999 ka përkrahur zhvillimin e Policisë së Kosovës nëpërmjet infrastrukturës dhe ndërtimit të kapaciteteve. Vetëm në programin vjetor të IPA për vitin 2009 mbi 12.05 milionë Euro janë ndarë për forcimin e sundimit të ligjit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)