27 Shtator 2022

Ngarkesa e gjykatave me lëndë civile si pasojë e kontratave kolektive Inbox

Prishtinë, 20 shtator - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të martën, ka mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës është publikuar raporti: “Regresi i drejtësisë civile”, i cili raport paraqet gjetjet nga monitorimi që IKD i ka bërë rasteve gjyqësore civile gjatë vitit 2021.

Anesa Hoxha, hulumtuese në IKD tha se ngarkesa e gjykatave me lëndë civile është si pasojë e adminsitrimit jo adekuat të institucioneve përkitazi me kontratat kolektive.

Fillimisht, Hoxha ka thënë se nga monitorimi sistematik që IKD i bën sistemit të drejtësisë gjatë vitit 2021 ka monitoruar gjithsej 1.166 seanca të natyrës civile prej të cilave 911 janë mbajtur ndërsa 255 janë shtyrë, e që sipas këtyre të dhënave del se çdo e pesta seancë civile është shtyrë.

Ajo ka shtuar se viti 2021 është një nga vitet i cili ka shënuar rekord të ngritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti.

“Nëse e shohim kronologjikisht, që nga viti 2018 e deri në fund të vitit 2021, numri i lëndëve të pazgjidhura pothuajse është dyfishuar përderisa në vitin 2018 numri i lëndëve të pazgjidhura ka qenë 44,213, në vitin 2021 ka qenë  85,087”, tha Hoxha.  

Sa i përket  ngarkesës së gjykatave me lëndë civile, sipas Hoxhës, faktori kryesor i kësaj dukurie  është rritja eksponenciale e numrit të lëndëve të pranuara, ku gjatë vitit 2021 janë pranuar 43,536 lëndë.

Ndërsa, ajo shtoi se shkaktari kryesor i rritjes së numrit të lëndëve të pranuara dhe i rëndimit kaq të madh të sistemit gjyqësor konsiderohet të jetë administrimi jo adekuat i institucioneve të cilat janë të obliguara që të përmbushin detyrimet sipas Kontratave Kolektive.

Mos zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga këto kontrata, sipas Hoxhës, ka bërë që të drejtat që rrjedhin nga këto kontrata të fitohen vetëm përmes rrugëve gjyqësore dhe kjo qasje ka rënduar tejmase gjendjen e sistemit të drejtësisë.

“Vetëm gjatë vitit 2021, rreth 17.400 lëndë civile apo 40% e lëndëve të pranuara janë lëndë të cilat rrjedhin nga kontestet që ndërlidhen me zbatimin e obligimeve përkitazi me kontratën kolektive”, tha Hoxha.

Përpos rëndesës së sistemit gjyqësor, ky mos veprim nga ana e institucioneve administrative, siç tha Hoxha, dëmton edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, pasi që kur realizimi i të drejtave që rrjedhin nga kontratat kolektive i nënshtrohet rrugëve gjyqësore, atëherë krijohen edhe shpenzimet procedurale, që në disa raste dinë të jenë më të larta se sa vet e drejta që kërkohet.

Sa i përket efikasitetit të gjyqtarëve, Hoxha tha se nëse merret si pikë reference numri i lëndëve të cilët gjyqtarët obligohen ti zgjidhin brenda një viti, atëherë del se rritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura i ka kontribuar edhe mos efikasiteti i gjyqtarëve, kjo pasi që sipas Hoxhës, mesatarisht brenda vitit ka zgjidhur 115 lëndë më pas se sa obligimi i tyre i përcaktuar nga KGJK.

Ndërsa, sipas hulumtueses së IKD-së, Justina Frrokaj, njëra ndër sfidat tjera të administrimit te drejtësisë civile vazhdon të mbetet kohëzgjatja e procedurave gjyqësore.

Tutje, ajo ka thënë se sipas llogaritjeve të KGJK-së, mesatarja e kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura vetëm në shkallë të parë është 1.261 ditë. Kjo nënkupton së për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin gjithsej 3.4 vite.

Sipas këtyre llogaritje ajo është shprehur se në total, kohëzgjatja e një lëndë civile nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur e njëjta përfundon në Gjykatën e Apelit është gjithsej 5.3 vite.

“IKD ka evidentuar një rast kur nga data e paraqitjes së padisë e deri në nxjerrjen e vendimit nga ana e Gjykatës së Apelit kanë kaluar gjithsej 14.2 vite”, ka shtuar Frrokaj.

Në anën tjetër, ajo ka thënë se IKD ka evidentuar trajtim selektiv të rasteve në kuptim të caktimit të seancës përgatitore duke theksuar se nga gjetjet është evidentuar një rast në të cilin kanë kaluar mbi 18 vite deri në caktimin e seancës përgatitore.

IKD e ka kritikuar një qasje e tillë duke thënë se paraqet dëmtim të të drejtave të palëve si dhe dëmton imazhin e gjyqësorit në publik.

Po ashtu, nga ky raport është identifikuar një shpërndarje jo proporcionale e gjyqtarëve në vitin 2021.

Lidhur me këtë, Frrokaj ka thënë se Gjykata Themelore në Gjakovë dhe Pejë me më pak gjyqtarë ka pasur më shumë lëndë për të trajtuar në krahasim me Gjykatën Themelore në Gjilan e cila ka pasur më shumë gjyqtarë dhe më pak lëndë.

“Në Gjykatën Themelore në Gjakovë gjatë vitit 2021 kanë qenë 4 gjyqtarë të cilët kanë gjykuar lëndë të natyrës civile, në Pejë kanë qenë 6 derisa në Gjilan kanë qenë 9 të cilën kanë trajtuar më pak lëndë sesa ato në Gjakovë e Pejë”, ka thënë ajo.

Sipas IKD-së, gjatë monitorimit të sistemit të drejtësisë ka pasur raste të kundërligjshmërisë dhe jo uniformitetit lidhur me tërheqjen e padisë.

Për këtë, Frrokaj ka thënë se ka pasur raste kur paditësit nuk janë paraqitur në seancë dhe gjyqtarët i kanë konsideruar të tërhequra paditë, përkundër faktit se në seancë nuk ka marrë pjesë edhe i padituri.

“Neni 423.3 i Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore përcakton se “Në qoftë se paditësi nuk vjen në seancën kryesore, edhe pse është thirrur rregullisht, konsiderohet se e ka tërhequr padinë, përveçse kur i padituri deklaron se kërkon që të zhvillohet shqyrtimi kryesor i çështjes në mungesë të paditësit”, ka shtuar hulumtuesja e IKD-së.

Për këtë dukuri, IKD ka vlerësuar se në këto situata duhet të ndërhyjë Gjykata Supreme, duke dhënë një mendim juridik lidhur me mënyrën adekuate të vendosjes në këto raste.

Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “Regresi i drejtësisë civile” dhe foto nga konferenca për media.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)