13 Maj 2021

Nëntoger Ilirianë Bunjaku fiton “Shpatën Ndërkombëtare”

Londër, 9 prill - Në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar, në një konkurrencë shumë të fortë, pas studimeve intensive shumë sfiduese, oficerja e FSK-së, nëntoger Ilirianë Bunjaku, fitoi çmimin “ Shpata Ndërkombëtare” si kadetja më e mirë ndërkombëtare.

Në ceremoninë e organizuar, me rastin e diplomimit të kadetëve të Akademisë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, sot, përveç saj, me sukses diplomoi edhe nëntoger Ardit Deliu. Me këtë rast,  shpatën ndërkombëtare, nëntoger Bunjakut ia dhuroi shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjeneral Nicholas Carter.

Rezultatet e treguara gjatë studimeve të kurorëzuara me titullin e kadetes më të mirë në këtë akademi, ndër më të famshmet në Botë, atë e bëjnë ambasadore të shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kjo e arritur e jashtëzakonshme e nëntoger Bunjakut është reflektim i profesionalizmit, aftësive dhe potencialit të madh të FSK-së në perspektivën zhvillimore të saj.

Gjithashtu kjo është vlerë e çmuar e partneritetit tonë me Mbretërinë e Bashkuar si  dhe mirënjohje e madhe për investimin e vazhdueshëm të tyre në kuadrot tona të talentuar.

Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përmes video-thirrjes ka uruar nëntoger Bunjakun për çmimin  duke e vlerësuar shembull unik për vajzat dhe motivimin e tyre për uniformën ushtarake të FSK-së.

Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, bashkë me urimin për suksesin e dy oficerëve tanë shprehu edhe krenarinë për çmimin e marrë nga nëntoger Bunjakut si dhe mirënjohjen e lartë për vlerësimin e lidershipit të akademisë së famshme Sandhurst.    

Ky çmim është hera e dytë që ndahet për kadetë- oficerët  nga Kosova, ku më parë fitues ishte kapiten Ismail Hoxha, i cili  aktualisht  shërben si instruktor në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, kurse deri më tani në këtë akademi janë trajnuar 23 pjestarë të FSK-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Maj 2021

- Me rastin e shënimit të 40 vjetorit të rënies së heronjve, Nebih e Tahir Meha, Komuna e Skenderajt organizon ceremoninë e zbulumit të busteve të heronjve: Emin Latit, Nebih, Tahir e Beqir Meha. (Oborri i Kullës "Tahir Meha' në Prekaz, ora 15:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani - Sadriu pret Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. (Kabineti i Presidentes, ora 16:00 - Mediat e interesuara për përcjelljen e takimit dhe të konferencës duhet të jenë të pranishme në Presidencë në orën 15:20)