18 Qershor 2021

NATO: Për misionin e KFOR-it vendosin aleatët

Bruksel, 14 maj - "Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë ato për KFOR-in, merren në pajtueshmëri me të gjitha 30 vendet anëtare”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë, kur është pyetur rreth deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq më 13 maj, se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Në përgjigjjen e NATO-s është thënë se aleanca veriatlantike ka kontribuuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për shumë vjet dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për rajonin.

“Misioni ynë i KFOR-it ka për bazë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Vuçiq, ndërkaq, u ka thënë të enjten gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Vuçiq ka thënë po ashtu se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq të enjten.

Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte "një katastrofë".

UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.

Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Qershor 2021 - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli do të vizitojnë banesat kolektive ku janë përfunduar punimet për renovimin e kulmeve, si dhe ku kanë filluar punimet për lyerjen e korridoreve. (Përballë Qendrës Sportive, ora 10:00)

- Anulohet -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryeza e radhës bashkëbisedim me Ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. (Zyrat e Odës Amerikane në Pejton, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, shefi i misionit të UNHCR, Erol Arduc, Drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, dhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Ulrika Richardsondo të zbulojn pllaken e përurimit të një pjese të sapo renovuar të Qendrës së Azilit, në Vranidoll të komunës së Prishtinës. (Qendra e Mbajtjes në Fshatin Vranidoll, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me nënkryetaren Memnuna Ajdini do të vizitojnë rajonin e Zhupës, ku do të shohin nga afër projektet e realizuara në këtë rajon. (Rajoni i Zhupës, ora 10:30)

- Kolegji Universum organizon një ligjeratë publike me Alain Le Roy - diplomat francez i cili ka qenë Zv. Sekretar i përgjithshëm i OKB-së, udhëheqës i gjitha operacioneve globale paqeruajtëse të OKB-së në botë, Ambasador i Francës dhe shumë poste tjera të rëndësishme. (Hapësirat e kolegjit Universum në kampusin e Lipjanit, ora 11:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton formimin e grupeve punuese për mbikëqyrjen e ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mban në konferencë për shtyp rreth më të rejave të klubit. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 14:00)

- Prointegra organizon takim publik ''Kosova në lëvizje - Kontributi i diasporës''. (Online nëpërmjet ZOOM, ora 14:00)