29 Mars 2024

Mitrovicë, Përkundër provokimeve serbe situata e sigurisë e qetë

Mitrovicë, 26 maj - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të mërkurën në takim konsullin kanadez në Kroaci, David Fairchild, me të cilin ka biseduar për gjendjen e përgjithshme dhe për zhvillimet në këtë komunë dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Konsulli Fairchild, që ka edhe rolin e këshilltarit në Ambasadën e Kanadasë në Kroaci, është interesuar për situatën e sigurisë, mandej për raportet ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës.  

Lidhur me këto çështje, kryetari Kastrati, ka folur në hollësi, duke nisur me situatën e sigurisë, të cilën në përgjithësi e ka vlerësuar të qetë, përkundër provokimeve nga grupet serbe. Ai ka vënë në dukje se strukturat paralele serbe që financohen dhe dirigjohen nga Beogradi në veri të vendit janë duke tentuar për ta mbajtur gjendjen të tensionuar. 

Në këtë kontekst, kryetari Kastrati, ka theksuar se këto struktura vazhdimisht bëjnë veprime provokuese për shqiptarët që jetojnë në veri. Ai ka përmendur rastet e fundit kur është sulmuar me gurë autobusi që bart shqiptarët nga fshatrat e Leposaviqit, mandej sulmet e shpeshta ndaj qytetarëve shqiptarë në veri të qytetit të Mitrovicës etj.

Ai ka potencuar se përkundër këtyre provokimeve banorët shqiptarë janë treguar shumë të matur, duke i kontribuuar qetësisë dhe duke mos lejuar eskalimin e situatës, që është qëllimi i strukturave paralele serbe.   

Një prej temave që është diskutuar më gjatë në këtë takim ka qenë roli dhe suksesi i EULEX-it në Kosovë, por me theks të veçantë në veri. Ky qenë edhe interesimi i konsullit kanadez, për çka kryetari Kastrati, ka theksuar se në veri duke parë gjendjen aktuale shihet se është bërë pak.

“Ka dy vjet që EULEX është në Kosovë, përderisa në veri janë bërë hapa shumë të vegjël dhe gjendja mbetet e brishtë. Doganat nuk janë vënë në funksion, gjykatat poashtu, përderisa krimi në veri është shumë i lartë dhe nuk ka masa ndëshkuese”. 

Kryetari Kastrati ka thënë se EULEX-i duhet të jetë shumë më i vendosur dhe më energjik për krijimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit, meqë ky është edhe qëllimi kryesor i pranisë dhe i misionit që ka në Kosovë.     

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)