28 Tetor 2021

Kurti: Të angazhohemi të gjithë që raste të vrasjes mizore si e Marigona Osmanit të mos e godasin asnjë familje

Ferizaj, 24 gusht - Kryeministri  i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,  morën pjesë në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares nga Ferizaj,  Marigona Osmani, e cila dyshohet se vdiq nga dhuna që ushtroi mbi të partneri i saj.

Kryeministri Kurti duke folur para qytetarëve të pranishëm në varrim tha se vrasja mizore e 18-vjeçares ka sjellë shumë pikëllim dhe shumë zemërim tek të gjithë.

Ai tha se fakti që i dyshuari për vrasjen e saj ka precedentë penalë prej viteve të mëhershme tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt, dhe të ndëshkojë kriminelët e keqbërësit në përgjithësi.

“Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë gati ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe të  mbrojtjes nga dhuna në familje si dhe strategjinë e re kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti theksoi se në gjashtë muajt e parë të këtij viti 1063 gra e vajza kanë lajmëruar për dhunë në familje.

“Kjo tregon se është rritur besimi në institucione, por njëkohësisht që edhe përgjegjësia jonë si institucione duhet të jetë më e lartë se asnjëherë më parë”, tha ai.

Kryeministri u shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve për humbjen e Marigonës, të gjithë qytetarëve të Ferizajt dhe mbarë popullit të Kosovës.

“U prehtë e qetë Marigona, e për t’u prehur me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të dhe për të gjitha viktimat e tjera”, tha ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2021

- Fillon administrimi i vaksinës kundër gripit sezonal. (Salla 1 Tetori nga ora 08:00 deri në ora 19:00)

- Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mbajnë konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive - dhe masës 2.4 - Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë (Salla P38), ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava do ta pres një delegacioni të lartë nga Mbretëria e Arabisë Saudite, i kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh, Ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite. (Selia e Kryesisë së BIK-ut, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. (Ndërtesa e KQZ-së, Kati 4, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon mbledhjen Komemorative me rastin e kalimit në amshim të Burbuqe Berisha. (Teatri AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ora 10:00)

- Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguro Qendren e re e të Moshuarve në lagjen Ulpianë. (Rr. Imzot Nikë Prelaj, E30, Ulpianë mbrapa pompës Exfis, ora 11:00)

- Punëtorët e Ferronikelit protestojnë para Qeverisë së Kosovës. (Objekti i Qeverisë, ora 11:30)

- Mbahen homazhet për të ndjerën Burbuqe Berisha. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 12:00)

- Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati vizitojnë Administratën Tatimore të Kosovës. (ATK, kati I, ora 13:30)

- Hapet edicioni i 12 i Festivalit të Filmit të Shkurtër "Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, njëherësh kandidat për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje!, prof. dr. Mytaher Haskuka, do të mbajë konferencë për media. (Zyret e Lëvizjes në Prizren, ora 16:00)