29 Mars 2024

Kryeministri Kurti vizitoi Sektorin Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës

Prishtinë, 5 dhjetor - Përkushtimi institucional për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe dhunës në familje, si dhe veprimet konkrete nga Policia e Kosovës, ishin në qendër të vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Sektorin kundër Dhunës në Familje.

Duke qenë se Policia e Kosovës është një nga institucionet kyçe në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me qytetarë dhe bashkërendimit të aktiviteteve me të gjithë akterët relevantë, të cilët në forma të ndryshme ofrojnë ndihmë dhe shërbime për viktimat e dhunës në familje, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave.  

Duke folur për rëndësinë e raportimit të rasteve, ai ritheksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë publike e shoqërore, andaj duhet  edhe reagimi i të gjithëve.

U bisedua për rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucionet relevante si: Policia e Kosovës, prokuroria, gjykatat, mbrojtësit e viktimave, qendrat për punë dhe mirëqenie sociale, strehimoret dhe organizatat e grave që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, e që përbëjnë zinxhirin kryesor të mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat.

Në vizitën e realizuar së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Zëvendësministren e  Drejtësisë, Nita Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Operativë i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, rreth angazhimit dhe planeve për parandalimin e dhunës në familje.

Ai konfirmoi se Policia e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin profesional të rasteve të dhunës në familje, duke i trajtuar me prioritet dhe profesionalizëm, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës.

Të dhënat policore tregojnë se dhuna në familje viteve të fundit ka shënuar rritje, mirëpo ne konsiderojmë se kemi të bëjmë me rritje të vetëdijesimit të qytetarëve për të raportuar rastet e dhunës në familje si dhe rritje të besueshmërisë ndaj Policisë së Kosovës për raportim, u tha në takim.

U theksua se është shumë e rëndësishme që autoritetet përkatëse për mbrojtjen e viktimave të dhunës, të ofrojnë shërbime adekuate në mbështetjen dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave në rrezik dhune, veçanërisht në rrethana rënduese kur viktimat mund ta kenë edhe më të vështirë të kërkojnë ndihmë.  

​Në takim morën pjesë edhe zyrtarët nga Policia e Kosovës: Drejtori i Departamentit të Operacioneve, Gazmend Hoxha, Drejtori i Departamentit për Hetime, Arben Paçarizi, Drejtorja e Departamentit për Burime Njerëzore, znj. Taibe Canolli-Brajshori, Drejtori i Departamentit për Shërbime Mbështetëse , Fatmir Bajrami, Shefi i Stafit të Drejtorit të Përgjithshëm, Major Muhamet Berisha, Shefi i zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun, Major Baki Kelani, nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë, Major Ramadan Ahmeti, nga Sektori Kundër Dhunës në Familje, Kapiten Arsim Shala, Shefja e Sektorit për Parandalim të Delikuencës së të Miturve, Kapitene Nilgyn Kosova, si dhe zyrtarë të tjerë të sektorit kundër dhunës në familje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)