15 Gusht 2022

Kosova rangohet në nivelin 2 në Raportin e DASH për trafikimin me qenie njerëzore

Prishtinë, 27 korrik - Në ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Autoritetit Kombëtar në Luftë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. Takimin e  hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, i cili do të emërohet Koordinator Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Pikë e veçantë e këtij takimi ishte diskutimi për TIP raportin kundër trafikimit me Qenie Njerëzore, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit DASH).

Me këtë rast zëvendësministri Gashani falënderoi anëtarët e autoritetit për punën që kanë bërë, duke marrë për bazë vështirësitë që kanë kaluar të gjithë si shoqëri me pandeminë COVID 19.

Ai tha se përkundër  përpjekjeve të shtuara që ka bërë Qeveria e Kosovës, Kosova përsëri është ranguar në nivelin 2 të në Raportin e Departamentin Amerikan të Shtetit, sa i përket trafikimit me qenie njerëzore.

“Jam i vetëdijshëm se është shumë i vështirë eliminimi i tërësishëm i trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë zotohem se si Ministri e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Kosovës do të bëjmë përpjekje maksimale në plotësimin e të gjitha standardeve minimale që kërkohen, në mënyrë që vitin tjetër të kemi një rangim më të mirë në raport”, theksoi Gashani.

Gashani vuri në dukje se raporti flet për një sërë përpjekjesh dhe rezultateve që ka arritur Qeveria e Kosovës  dhe për këtë ju falënderoj të gjithë ju, në veçanti Policinë e Kosovës, që ka bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim.

“Në këtë raport po ashtu ritheksohet si në pothuajse në të gjitha raportet e kaluara se Gjyqësori dënoi më pak trafikantë dhe se gjykatësit vazhduan të shqiptonin dënime të buta për trafikantët e dënuar."

"Vlerësoj që në këtë pikë duhet të bëhen angazhime maksimale, përkundër se pushtet janë të ndara. Gjyqësori krahas organeve të ndjekjes duhet t’i dënoj trafikantët me dënim në sinkron me peshën e veprës që kanë kryer."

"Për këtë do të bisedojë edhe më Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të shtohet përpjekjet dhe që mos të na përsëritet e njëjta situatë në vlerësimin e raportit të DASHI-it”, theksoi ndër të tjera Gashani.

Ai po ashtu theksoi se në raport janë vlerësuar dhe përpjekjet e qeverisë sidomos në atë të Mbrojtës, ku thuhet se Qeveria i shtoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave dhe po ashtu keni një vlerësim pozitiv sa i përket angazhimeve në Parandalim.

Në fund zëvendësministri Gashani theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe kjo Qeveri do të shtojnë përpjekjet në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Ndërsa të gjithë anëtarët e këtij autoriteti theksuan përpjekjet që janë duke i bërë dhe janë duke i adresuar rekomandimet që kanë dalë nga ky raport. Ata ritheksuan nevojën e rritjes së dinamikës së veprimit me qëllimin të parandalimit dhe luftimit të kësaj dukurie.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 gusht 2022  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu  pret me ceremonitë më të larta shtetërore, me rastin e fillimit të mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00 - Mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më së voni në ora 9:15)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik me organizatat jo qeveritare për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 10:00)

- Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" organizon ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, ora 11:00).

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i kryetarit, ora 12:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pret sot në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ku më pas do të ketë prononcim për media në Zyrën e Kryetarit. (Gjilan, ora 15:00)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Velani, ora 15:45)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varrezat e Familjes Jashari. (Kompleksi Memorial  në Prekaz, ora 16:35)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit. (Pallati i Kulturës, "Hasan Prishtina", ora 19:30)