23 Tetor 2021

Kosova do të strehojë refugjatët afganë

Prishtinë, 15 gusht - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se Kosova do të strehojë refugjatët afganë dhe se një grup punues i qeverisë së vendit është duke punuar me Shtetet e Bashkuara për këtë cështje.

Në një postim në rrjetet sociale ajo tha se më 16 korrik, ishte kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, me një kërkesë nga presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken për strehimin e përkohshëm të afganëve, që kishin punuar bashkë me forcat amerikane.

“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”.

Ajo shkroi më tej se qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj.

“Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur”, shkroi ajo.

Qeveria e Kosovës tha më herët gjatë ditës së po trajton kërkesën amerikane për strehimin e përkohshëm të afganëve që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë të zotit Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thuhet se “që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, përfundon deklarata.

Dy ditë më parë agjencia e lajmeve Reuters citoi dy burime amerikane t'i kenë thënë se “Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni ka shqetësime lidhur me aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2021 - Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon diten e dytë të edicionit te 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Shfaqet video programi "Pranverë e përhershme, behar i vonuar" nga Protocinema në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi. (Kino Lumbardhi, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku do të vizitojnë Kinemanë e parë të Prizrenit, ku ka filluar projekti i restaurimit të kësaj ndërtese. (Objekti i kinemasë së vjetër të Prizrenit në afërsi të zyreve të shoqatës Esnaf, ora 12:00)

- Mbahet dita e dytë e edicionit te tretë te festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 15:00)