16 Prill 2024

Komuna e Mitrovicës në përkrahje të mbijetuarve të dhunës seksuale

Mitrovicë, 8 dhjetor - Në Sallën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës sot është mbajtur konferenca regjionale me temën “Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, organizuar nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatës Luftës Çlirimtare të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, kryetarja e komisionit qeveritar/ NJSPDHLÇK, znj. Minire Begaj- Balaj, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Traumës, znj. Feride Rushiti, zyrtarja për Barazi Gjinore, Besa Veseli, përfaqësues nga shoqëria civile dhe pjesëmarrës tjerë.

Qëllimi i kësaj konference ishte thirrja apo ndërgjegjësimi i institucioneve të nivelit lokal dhe shoqërisë civile për inkurajimin e të mbijetuarve për të aplikuar në Komisionin Qeveritar për përfitimin e të drejtave të tyre për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fillimisht, kryetarja e komisionit qeveritar, Minire Begaj- Balaj, ka paraqitur rezultatet të cilat janë arritur në këtë fushë, duke filluar nga ngritja e vetëdijes shoqërore, thyerja e heshtjes, mobilizimi i institucioneve të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve, miratimin e ligjit të veçantë për këtë kategori dhe sigurimin e pensioneve për të mbijetuarit. Po ashtu ajo ka bërë thirrje tek mekanizmat lokal dhe shoqëria civile që të ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit tek të mbijetuarit që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.

Ndërsa në fjalën e tij, kryetari i komunës, Bedri Hamza, theksoi se gjatë punës së tij ka pasur takime me të gjitha kategoritë e shoqërisë, por takimet më të rënda që e kanë prekur emocionalisht kanë qenë me kategorinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, pasi që plaga shpirtërore është gjëja më e rëndë që mundet t’i ndodh njeriut.

“Nuk ka proces që është më i pastër dhe më i rregulluar me ligj se kjo kategori e shoqërisë, andaj unë jap zotimin tim si kryetar komune se do të jap maksimumin për të përkrah pa vonesë dhe pa hezitim këtë kategori, duke inkurajuar edhe gjithë shoqërinë civile të jap kontributin e tyre në këtë drejtim”, tha ndër të tjerash kryetari Hamza.

Gjithashtu kryetari Bedri Hamza i siguroi dhe garantoi të gjithë të pranishmit që nga Komuna e Mitrovicës do ta kenë mbështetjen e plotë financiare dhe gjithë logjistikën e nevojshme që të jenë korrekt në punën e tyre.

Në fund të takimit përfaqësues nga komuna dhe shoqëria civile diskutuan për bashkëpunimin ndërinstitucional në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, për procedurat e aplikimit, si dhe për rolin e organizatave të shoqërisë civile në procesin e aplikimit për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)