26 Prill 2024

KK e Mitrovicës denon dhunën në lagjen e boshnjakëve

Mitrovicë, 3 korrik - Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë kanë mbajtur të premten një takim urgjent të Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, për të vlerësuar gjendjen e krijuar pas tensionimit të gjendjes në veri të qytetit.

Në këtë takim janë dënuar aktet e dhunës, ku si rrjedhojë e protestave të organizuara nga pjesëtarët e komunitetit serb në shenjë kundërshtimi ndaj hapjes së zyrës për regjistrim civil nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve, ka vdekur 1 dhe janë lënduar 10 qytetarë. 

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës i kanë dënuar veprimet e dhunshme dhe kanë kërkuar nga strukturat e rendit zbardhjen e rastit të shpërthimit që ka ndodhur në mesin e protestuesve.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka kërkuar nga autoritetet që të marrin masa që të zbardhet rasti në mënyrë që mos të lejohen spekulimet e qarqeve të ndryshme, të cilat janë të interesuara që të destabilizohet situata.

Kryetari Kastrati ka vlerësuar se aktet e dhunshme janë të papranueshme, prandaj ka kërkuar nga qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri që të jenë të matura dhe të mos bien pre e qarqeve që duan të destabilizojnë situatën.

Në të njëjtën kohë ai e ka përshëndetur hapjen e zyrës për regjistrim civil, nëpërmjetmjet të së cilës do t’u ofrohen shërbime qytetarëve në atë pjesë të qytetit.          

Për ecurinë e ngjarjeve që kanë ndodhur të premten në veri të Mitrovicës, foli Avni Zaiti nga Policia Rajonale. Ai tha se në orën 08:15 ka qenë e paralajmëruar përurimi i një zyreje të regjistrimit civil të MBP-së në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa pas arritjes aty të personelit që janë caktuar të punojnë, në afërsi janë mbledhur qytetarë të komunitetit serb në shenjë kundërshtimi.


“Policia ka krijuar kordon përreth zyrës, ndërsa më vonë rreth orës 09:50 në mesin e protestuesve serbë në afërsi të udhëkryqit të shkollës teknike ka ndodhur një shpërthim, ku janë lënduar 11 persona. Më vonë është konfirmuar se një prej të plagosurve ka vdekur”, tha ai, duke shtuar se rreth orës 11:00 situata është qetësuar.

Zaiti theksoi se një protestë tjetër e pjesëtarëve të komunitetit serb është organizuar në orën 14:00 në sheshin “Shumadija” në veri të qytetit, ku janë mbledhur poashtu rreth 500-600 veta, në shenjë kundërshtimi ndaj hapjes së asaj zyreje në Lagjen e Boshnjakëve. Sipas tij, protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.

Ai ka thënë se zyra që është hapur është nën kontroll të pjesëtarëve të staciononit të policisë në veri me mbështetje të atyre nga stacioni jugor.

Ndërsa Behxhet Bala, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, kërkoi nga autoritet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë në lagjet me popullatë të përzier për shkak të përshkallëzimit të situatës. Ai tha se banorët shqiptarë që jetojnë në veri janë të shqetësuar, andaj nevojitet shtim i masave të sigurisë.

Ndërsa nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë edhe në Kodrën e Minatorëve, ku para disa javësh ka pasur një incident ku janë lënduar 5 të rinj shqiptarë.   

Në anën tjetër, përfaqësuesit e KFOR-it theksuan se ata janë në gjendje gatishmërie për të intervenuar në rast nevoje në mënyrë që të ofrohet siguri për të gjithë.
          


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)