11 Gusht 2022

Kërkohet paraburgim ndaj tre Lushtakëve për sulmin ndaj policëve në Skenderaj

Mitrovicë, 4 korrik - Prokuroria Themelore në Mitrovicë  - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale  “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit  F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë.

Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim.

Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)