09 Dhjetor 2021

Kërcenohet Koha Ditore, reagin AGPK

Prishtinë, 13 maj -  Policia e Kosovës hoqi sot tabelën në rrugën “Rexhep Luci”, në kryeqytet, e cila ishte “riemërtuar” nga persona të panjohur me “Rruga e UDB-së – Veton dhe Flaka Surroi”. Kjo ndodhë në kohën kur “Koha Ditore” dhe Kohavisioni po raportojnë për zhvillimet rreth “Rastit Limaj” dhe iniciativës së një deputeti të PDK-së për “dënimin e krimeve të komunizmit”.

Në mëngjesin e të enjtes, qytetarët dhe banorët e rrugës “Rexhep Luci”, në kryeqytet jo pak u habitën kur panë se rruga kishte “ndërruar” emrin me një porosi kërcënuese ndaj ish-themeluesit dhe pronares aktuale të Grupit Koha.

Flaka Surroi tha se “këtë  e konsideroj ftesë për ‘disiplinimin’ e fjalës së lirë, që artikulohet përmes të vetmeve media përnjëmend të pavarura, që kanë mbetur tani në Kosovë”.
Rastin po e heton Policia e Kosovës. 

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë  të Kosovës (AGPK) është shokuar nga porosia kërcënuese e nxjerrë në sheshin kryesor të Prishtinës, nëpërmjet të cilës synohet të degradohen dy figura të shquara të gazetarisë dhe publicistikës kosovare.

Mbishkrimi “Rruga e UDB-së - Flaka dhe Veton Surroi” është mesazh thellësisht linçues, i paprecedent dhe mbi të gjitha një kërcënim i hapur ndaj ish-themeluesit dhe pronares aktuale të Grupit Koha. 

AGPK kërkon nga organet kompetente të zbardhin urgjentisht rastin dhe të marrin masa për mbrojtjen e fjalës së lirë dhe të gazetarëve e mediave kosovare. 

Njëherësh, AGPK inkurajon gazetën “Koha Ditore” dhe KTV-në të vazhdojë punën në shërbim të lexuesve e shikuesve, të vazhdojnë misionin e gazetarisë profesionale dhe mbi të gjitha të vazhdojnë të jenë zë i fuqishëm i mbrojtjes së interesave të publikut. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2021

- Shoqata e Bankave të Kosovës organizon hapjen e “Konventës Vjetore bankare të SHBK-së 2021”. (Swiss Diamond, ora 9:30)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e gjetjeve nga hulumtimi “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Kolegji IBC-M organizojnë tryezën e diskutimit për prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, kampusi i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet seanca e 2-të e rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës në të cilën do të zgjedhet kryesuesi i Kuvendit të Komunës. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri i dorëzon detyrën kryetarit të ri, Alban Hyseni. (Zyra e Kryetarit, ora 11:00)

- Rrjeti Mesdhetar i Grave Ndërmjetësuese së bashku me OJQ-në She Solutions mban konferencën "Gratë në sektorin e sigurisë: ndërmjet sfidave dhe mundësive". (Zyra e BE për informim, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova organizojnë ekspozitën për fotografinë më të mirë kundër-korrupsion 2021, ku do të shpallen tre fituesit e kësaj gare. (Parku Arkeologjik ‘Lapidariumi’ përballë Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 11:00)

- OJQ AKTIV bën prezantimin e aplikacionit Aber online për celularë Android dhe iOS. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 11:00)

- Instituti D4D organizon tryezën diskutuese me temën “Fushata zgjedhore në llupë: A e kërcënojnë integritetin zgjedhor çrregullimet e informacionit?”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)