29 Mars 2024

GSBGJ dënon fuqishëm vrasjen e gruas nga burri i saj nga Llausha

Prishtinë 6 janar - Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) dënon fuqishëm vrasjen e L.Q. nga  bashkëshorti i saj në Llaushë të Skenderajt, me datë 5 janar, 2022.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje institucioneve përkatëse që t’i hetojnë në tërësi rrethanat e vdekjes së L.Q. dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat e dhunës me bazë gjinore.

GSBGj u bën thirrje institucioneve të zbatojnë masa efektive për të parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe për të ofruar mbrojtje efektive për viktimat.

Tutje, GSBGj dënon ashpër rastet e femicidit dhe shpreh shqetësimin për rritjen e dukurisë së femicidit e cila po vazhdon të marrë jetët e grave dhe vajzave. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa urgjentë për ta parandaluar femicidin dhe dhunën me bazë gjinore ndaj grave në Kosovë.

Dhuna në familje është vepër penale siç edhe thuhet në nenin 248 të Kodit Penal të Kosovës dhe dënohet me gjobë dhe me burgim. Ajo është rezultat i një manifestimi të marrëdhënieve historikisht të pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave. Parandalimi dhe adresimi i dhunës me bazë gjinore ndaj grave është një detyrim ligjor dhe moral që kërkon masa dhe reforma legjislative, administrative dhe institucionale.

Kuvendi i Kosovës e ka përfshirë Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur ndryshe edhe si Konventa e Stambollit, në Kushtetutën e Kosovës në listën e dokumenteve direkt të zbatueshme në vitin 2020.

Kjo Konventë përcakton standardet ligjërisht të detyrueshme në mënyrë specifike për të parandaluar dhunën me bazë gjinore, për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe për të ndëshkuar autorët.

Ajo gjithashtu ofron një kornizë gjithëpërfshirëse, politika dhe masa për mbrojtjen dhe ndihmë ndaj të gjitha viktimave të dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje.

GSBGj thekson nevojën që institucionet e Kosovës të avancojnë me zbatimin e kësaj Konvente dhe të ndërmarrin veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve.

GSBGJ më tej shpreh shqetësimin për qasjen e lehtë në armë zjarri nga autorët. Qasja në armë zjarri  rrit gjasat që autorët të vrasin viktimat e tyre, ndërkohë që përshkallëzon edhe më tej dinamikën e fuqisë dhe kontrollit të përdorur nga abuzuesit për të shkaktuar abuzim emocional dhe për të ushtruar kontroll shtrëngues mbi viktimat.

Vrasja e grave nga partnerët e tyre intimë është forma më e rëndë e dhunës, shpesh pjesë e një vazhdimësie të formave të tjera të dhunës të përjetuara nga gratë në marrëdhëniet intime.

Megjithatë, dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme, ka më shumë dëshmi se kurrë më parë se si të parandalohet. Kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse, duke filluar nga parandalimi; përshpejtimi i harmonizimit të kornizës ligjore me standardet e vendosura ndërkombëtare; sigurimin e shërbimeve thelbësore të disponueshme dhe të qasshme për të mbijetuarit, dhe sigurimin e procedurave gjyqësore efektive dhe efikase.

Për të siguruar që gratë dhe vajzat të mbrohen në mënyrë efektive në të ardhmen, anëtarët e GSBGJ-së u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës të trajtojë me prioritet të lartë rastet e dhunës në familje, të garantojë drejtësi për viktimat, të iniciojë programe të dhunuesve, që synojnë ndryshimin e modeleve të sjelljes së dhunshme.

Po ashtu GSBGJ kërkon të miratohet dhe zbatohet në mënyrë adekuate Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, si dhe Projektligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
 
GSBGJ shpreh ngushëllime të përzemërta familjes dhe miqve te viktimës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)