25 Prill 2024

Gjykatat në veri të Kosovës duhet të funksionojnë sërish

Prishtinë, 3 mars – Shefi i misionit EULEX në Kosovë, Yves de Kermabon ndodhet në Beograd për të diskutuar me autoritet serbe mbi çështjen e funksionalizimit të gjykatave në veri të Mitrovicës.


Kermabon ka vetëm një çështje për të diskutuar kësaj radhe me autoritetet e Beogradit, çështjen e gjykatave në veri të Mitrovicës. Ai do të kërkojë nga autoritetet serbe që ta mbështesin misionin EULEX, në synimin që të funksionalizojë gjykatat në veri dhe kthimin në punë të gjykatësve shqiptarë dhe serbë.


Aktualisht në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës janë angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë, që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX.


Gjykatësit duhet të kthehen në punë


Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, thotë se ky mision e sheh nevojën e kthimit të gjykatësve dhe prokurorëve lokalë në gjykata, sepse shumë lëndë sipas saj kërkojnë zgjidhje.


\"Për misionin EULEX, është shumë e rëndësishme që në këto institucione të kthehen gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë e serbë nëpër vendet e tyre të punës. Kjo është një çështje urgjente për drejtësinë. Por, nuk është fjala vetëm te drejtësia, por është një çështje më e gjerë, sepse njerëzit që janë të përfshirë në raste gjyqësore duan ta jetojnë jetën e tyre. Ata duan t’i zgjedhin problemet që kanë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për raste kriminale, por edhe për raste civile. Janë diku 55 raste në pritje dhe po ashtu ka akoma të dyshuar që janë në paraburgim pa u gjykuar\", thotë Kristina Herodes.


Misioni panevojshëm


Kryetari i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, i cili jeton në Zveçan në veri të Kosovës, ka dy vjet që së bashku me kolegët e tij shqiptar nuk mund të shkojë në vendin e tij të punës.
Ai thotë për DW, se nuk është shumë optimist se gjykatat në veri do të funksionalizohen me një marrëveshje ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit. Në këtë linjë edhe vizitën ne Beograd të shefit të misionit EULEX, Yves de Kermabon, ai e sheh të panevojshme.


\"Unë konsideroj se autoritetet e Kosovës si ato vendore dhe ndërkombëtare duhet të jenë të vendosura në zgjidhjen e këtij problemi, e jo të kërkohet pëlqimi i një shteti fqinj të Kosovës, në këtë rast i Serbisë apo i banorëve serbë të veriut\", thotë Kaplan Baruti.
Personeli mungon


Kaplan Baruti, kryetar i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, i cili që nga 20 shkurti i vitit 2008 nuk është në zyrën e tij, thotë se kjo gjykatë edhe nëse funksionalizohet do të përballet për probleme të mungesës së personelit.
\"Me emërimet në gjykatën supreme të Kosovës, katër gjyqtarë nga gjykata e qarkut në Mitrovicë tashmë kanë kaluar në gjykatën supreme. Kështu që do të kemi probleme edhe nga aspekti funksional dhe ai kualitativ.


Ne tash për tash nuk kemi mundësi që ta formojmë as një kolegj prej tre gjyqtarëve, mirëpo do të na duhet prej rastit në rast të marrim gjyqtarë nga gjykata komunale nga rajoni i Gjykatës së qarkut në Mitrovicë,\" thotë Kapllan Baruti.


Sidoqoftë, edhe zyrtarë të misionit EULEX dhe kryetari i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, pranojnë se çështja e mosfunksionimit të gjykatave në veri të Mitrovicës është një problem politik.
Baruti thotë se ai nuk e ka problem të punojë me kolegët e tij serbë, mirëpo refuzojnë të punojë me ata punonjës serbë të gjykatave të cilët në shkurt të vitit 2008, okupuan me dhunë objektet e gjykatave ku për pasojë pati edhe përleshje me policinë ndërkombëtare. /Radio Deutsche Welle/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)