27 Nëntor 2022

FSK-së i shtohen edhe 12 kadetë të rinj

Prishtinë, 16 shtator - Në Kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, u mbajt ceremonia e betimit të dymbëdhjetë kadetëve të rinj të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, Gjenerata 2026.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë ndërkombëtarë.

Duke uruar kadetët në për këtë ditë të veçantë në jetën e tyre, Ministri Mehaj u theksoi se për katër vitet e ardhshme ata do të përgatiten për karrierë të përsosmërisë profesionale në shërbim të atdheut, si oficer në Ushtrinë e Republikës së Kosovës.

“Nga ju kërkoj që për katër vitet e ardhshme të arrini zhvillimin e duhur ushtarak, fizik dhe moral dhe të formësoheni në udhëheqës me karakter si qëllimi kryesor dhe kjo do të na bëjë të gjithëve shumë të lumtur dhe krenar”, tha me këtë rast Ministri Mehaj.

“Pas katër viteve do të jeni të gatshëm të bashkoheni në stërvitje dhe operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë, krah për krah me kolegët tuaj nga forcat partnere”, tha ndër të tjera Ministri Mehaj.

Nga ana e tij, zv.komandanti i QSU-së, kapiten Albian Ajvazi, njoftoi mbi historikun dhe të arriturat e QSU-së dhe synimet për të ardhmen në edukimin e kadetëve të kësaj gjenerate dhe gjeneratave që janë duke ndjekur aktualisht studimet në këtë Qendër.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)