25 Prill 2024

Fshatrat shqiptare të Leposaviqit, mungesë sigurie

Mitrovicë, 3 qershor - Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri i shoqëruar nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, kanë qëndruar të enjten në fshatrat shqiptare të Leposaviqit, Cerajë, Bistricë dhe Koshtovë, ku kanë dëgjuar nga banorët për kushtet e tyre të jetës dhe problemet që ata kanë.

Në një takim të përbashkët me banorë në një sallë të shkollës fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka vlerësuar se qëndrimi i tyre banorëve në trojet e veta, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojnë, është për t’u përshëndetur nga të gjithë. Gjithashtu ai ka vlerësuar se institucionet për banorët e këtyre fshatrave duhet ofruar mbështetje më të madhe. 

Ai ka theksuar se drejtuesit e Komunës së Mitrovicës megjithë problemet e mëdha që kanë janë shumë të interesuar që në kuadër të mundësive t’u dalin në ndihmë. “Këto fshatra i përkasin komunës së Leposaviqit, mirëpo ne do të ofrojmë mbështetje në kuadër të mundësive për problemet që ju preokupojnë”, tha ai, duke kërkuar nga banorët që për të gjitha shqetësimet të bëjnë një kërkesë me shkrim.

Poashtu edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i ka lutur banorët që për të gjitha problemet të bëjnë kërkesa me shkrim, të cilat do të përcillen edhe tek institucionet qendrore. Ai ka thënë se kjo është hera e dytë brenda një kohë të shkurtër që viziton këto fshatra me qëllim që të gjenden mundësi për t’ju dalur në ndihmë.

Në anën tjetër, banorët në përgjithësi janë ankuar për kushtet e jetës, si për gjendjen e rrugës, mandej mungesën e sigurisë etj. Lulzim Hetemi, ka thënë se aty jetojnë sikur në tjetër shtet. “Këtu komunë s’kemi”, tha ai, duke sqaruar se prej Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk kanë kurrfarë kontakti me drejtuesit e Komunës së Leposaviqit.         

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me drejtuesit e Zyrës për Komunitete në këtë fshat, mandej ka përmendur edhe mungesën e sigurisë, megjithëse aty funksionon një nënstacion policor. Në këtë kontekst ai ka përmendur rastet e fundit kur minibusi që bartë këta banorë për Mitrovicë është gjuajtur me gurë, ndërsa një antenë e IPKOS është hedhur në ajër. 

Bashkim Brahimi, një tjetër banor, ka thënë se ai e kupton se Komuna e Mitrovicës ka probleme dhe nuk mund të përkujdeset edhe për këto fshatra, mirëpo ka kërkuar që të paktën të ngrisin problemin e tyre në takimet me drejtues të institucioneve qendrore. Ndërsa Abit Mustafa, ka thënë se nuk kanë ndihmë as nga Kosova as nga Serbia. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)