09 Dhjetor 2021

Filloi procesi politiko-gjyqësor i EULEX-it kundër Albin Kurtit

Prishtinë, 15 shkurt - Sot filloi procesi gjyqësor me prapavijë politike i EULEX-it kundër udhëheqësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Seanca e parë u mbajt në orën 10:00 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Paneli i këtij procesi përbëhej nga Ferdinando Buatier de Mongeot, Fllanza Kadiu dhe Vladimir Kanev. Prokuror është Lulzim Sylejmani. 

Për shkak se, ashtu siç ishte bërë e ditur, Albin Kurti nuk u paraqit në këtë proces që është i montuar, paneli gjyqësor mori vendimin për shtyerjen e rastit për 22 shkurt. Sipas tyre, dita kur Albinit i është ofruar thirrja për t’u paraqitur në gjykatë ka qenë 9 shkurti, prandaj, gjithnjë sipas procedurave të cilave ata i referoheshin, duhet të kalojnë 8 ditë prej kur është pranuar thirrja. Kurse sot, më 15 shkurt, është dita e gjashtë prej lëshimit të thirrjes. Meqë nesër është dita e shtatë, kurse pasnesër nuk ka seancë për shkak të festës së pavarësisë, atëherë dita e tetë i bjen që të jetë 18 shkurti. Por ashtu sikur i gjithë ky proces gjyqësor është i motivuar politikish, edhe vetë kjo shtyrje kishte prapavijë të qartë politike. Për shkak se më 19 shkurt në Kosovë vjen Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, seanca për Albin Kurtin u shty për 22 shkurt. EULEX-i nuk dëshiron që shefja i tyre Ashton ta shohë pakënaqësinë e madhe të popullit ndaj EULEX-it. 

Para se të  shtyhej seanca e ardhshme për 22 shkurt, e mori fjalën avokati mbrojtës për këtë rast, i caktuar ex officio nga EULEX-i, Ramiz Krasniqi. Ai tha: “Pasi kam studiuar aktpadinë, materialin e përndjekjes, dhe duke e pasur parasysh procesin e kaluar gjyqësor kundër zt. Kurti, e po ashtu edhe qëndrimin e EULEX-it ndaj zt. Kurti, është bindje imja se zt. Kurti nuk do të ketë gjyqim të paanshëm në këtë gjyq, dhe se rasti i tij është i motivuar politikisht”. Sipas tij, ky rast është i padrejtë, duke theksuar se “aktpadia dhe dëshmitë e paraqitura nga prokuroria janë aq të dobëta legalisht, që ma bën të qartë se ky rast është i motivuar me qëllimin e kufizimit të kundërshtimit të zt. Kurti ndaj misioneve ndërkombëtare, e jo nga synimi për realizimin e drejtësisë lidhur me krimet e kryera më 10 shkurt 2007”.

Krasniqi tha se EULEX-i, ashtu sikurse UNMIK-u dikur, nuk mund t’i ofrojë Albin Kurtit gjykim të paanshëm. Dhe pasi përmendi procesin e komprometuar gjyqësor të UNMIK-ut kundër Albin Kurtit gjatë vitit 2007, Ramiz Krasniqi dha dorëheqje nga funksioni i avokatit mbrojtës për rastin kundër Albin Kurtit, duke thënë se “nëpërmjet tërheqjes sime, unë distancohem nga ky proces, i cili që prej fillimit është i nisur mbi mbështetjen e të njëjtës aktpadi dhe akuza”.

Ramiz Krasniqi po ashtu u solidarizua me të gjithë ata avokatë të cilët nuk u bënë pjesë e këtij procesi të udhëhequr nga UNMIK-u dikur dhe nga EULEX-i sot, meqë deklaroi se “tërheqja ime është po ashtu veprim solidarizues me kolegët e mi, të cilët bashkërisht refuzuan ta mbrojnë Albin Kurtin përpara dy vitesh”.

Në fund Krasniqi e arsyetoi dorëheqjen e tij me shkaqe morale dhe arsye të etikës profesionale, të cilat i bëjnë thirrje çdo avokati që t’i shërbejë drejtësisë dhe ta luftojë padrejtësinë. Ai tha: “Ky rast as që ishte dashur të hapej ndonjëherë. Është besimi im në etikën e profesionit tim, ai që nuk më lë zgjedhje tjetër përveç se të tërhiqem nga ky rast”. Pas kësaj deklarate paneli gjyqësor u mblodh 10 minuta jashtë sallës ku mbahej seanca. Ata më pas morën vendim që të mos ia pranonin arsyet e dorëheqjes Krasniqi. 

Lëvizja VETËVENDOSJE! e mirëpret dorëheqjen e Ramiz Krasniqit dhe u bën thirrje të gjithë avokatëve të Kosovës që të mos i kontribuojnë zhvillimit të këtij procesi të padrejtë, pra që të mos bëhen avokatë mbrojtës të Albin Kurtit. Ne po ashtu kërkojmë nga prokurori i rastit, Lulzim Sylejmani, që t’i hedh poshtë akuzat e padisë së UNMIK-ut si të pambështetura në procesin e udhëhequr sot nga EULEX-i, në mënyrë që t’i jep fund këtij procesi të turpshëm gjyqësor kundër lirive fundamentale të të drejtave të njeriut, siç janë ajo e shprehjes, manifestimit të bindjeve politike, mbledhjes dhe demonstratës paqësore. Të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës u bëjmë thirrje që të mos bëhen pjesë e këtij skenari të EULEX-it që nuk ka të bëjë fare me realizimin e drejtësisë për rastin e 10 shkurtit 2007. 

Komiteti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Politikë  dhe Çështje Juridike

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2021

- Shoqata e Bankave të Kosovës organizon hapjen e “Konventës Vjetore bankare të SHBK-së 2021”. (Swiss Diamond, ora 9:30)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e gjetjeve nga hulumtimi “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Kolegji IBC-M organizojnë tryezën e diskutimit për prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, kampusi i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet seanca e 2-të e rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës në të cilën do të zgjedhet kryesuesi i Kuvendit të Komunës. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri i dorëzon detyrën kryetarit të ri, Alban Hyseni. (Zyra e Kryetarit, ora 11:00)

- Rrjeti Mesdhetar i Grave Ndërmjetësuese së bashku me OJQ-në She Solutions mban konferencën "Gratë në sektorin e sigurisë: ndërmjet sfidave dhe mundësive". (Zyra e BE për informim, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova organizojnë ekspozitën për fotografinë më të mirë kundër-korrupsion 2021, ku do të shpallen tre fituesit e kësaj gare. (Parku Arkeologjik ‘Lapidariumi’ përballë Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 11:00)

- OJQ AKTIV bën prezantimin e aplikacionit Aber online për celularë Android dhe iOS. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, 11:30)

- Instituti D4D organizon tryezën diskutuese me temën “Fushata zgjedhore në llupë: A e kërcënojnë integritetin zgjedhor çrregullimet e informacionit?”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)