16 Prill 2024

Buhler i ka dhënë mbështetje drejtorit të ri te PK-së

Prishtinë, 5 nëntor - Komandanti i KFOR-it Erhard Byhler pas takimit me drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, tha se KFOR-i do t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi eventual që mund të paraqitet në pjesën veriore të Kosovës, gjatë periudhës së procesit zgjedhor.

Gjeneral major Erhard Buhler edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e tij se gjendja e sigurisë në Kosovë është mjaft stabile dhe se nuk pret tensione në kohën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në dhjetor.

Buhler i ka dhënë mbështetje drejtorit të ri Maliqi, duke e siguruar atë që KFOR-i është i gatshëm gjithmonë të mbështesë policinë.

“Sa i përket gjendjes së sigurisë për periudhën e zgjedhjeve nuk pres probleme në lidhje me gjendjen e sigurisë. Gjendja e sigurisë në Kosovë është shumë më e mirë sesa qysh interpretohet gjendja e sigurisë. Siç e dini kemi ndërmarr masa në veri me EULEX-in dhe me Policinë e Kosovës, ne jemi duke u munduar që të ngritim stabilitetin në atë pjesë të vendit, kjo domethënë se ne përgjigjemi menjëherë në çfarëdo kërcënimi të qytetarëve të vendit, dhe gjithashtu të përgjigjemi kërcënimit të gjendjes së sigurisë”, ka thënë Buhler.

Ndërsa sa i përket strukturave paralele në veri ai ka thënë se kjo nuk është punë e organizatave të sigurisë, porse kjo duhet të diskutohet në nivel politik dhe duhet të zgjidhet në nivel politik.

Për sa i përket shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri në vitin 2012, ashtu siç ka deklaruar ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, gjeneral majori Buhler ka thënë se FSK kapacitetet përfundimtare operacionale do t’i arrijë mes vitit 2011 dhe 2014.

Ai ka thënë se Këshilli i NATO-s vendos për kapacitetet përfundimtare operacionale dhe përderisa kjo periudhë vazhdon komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e Kosovës.

Nga ana tjetër drejtori Gjeneral i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi i sapoemëruar në këtë detyrë ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk ka njohuri për strukturat paralele në veri, duke thënë se Policia e Kosovës ka mbi 300 pjesëtarë në atë pjesë që vazhdojnë të ofrojnë siguri për qytetarët.

“Unë e kam thënë edhe më herët dhe e them edhe sot se unë nuk kam njohuri se ekzistojnë struktura paralele të sigurisë në Kosovë që dikush del dhe e prezanton vetveten si pjesëtar i MUP-it dhe kryen punën e Policisë së Kosovës. Ne kemi mbi 300 policë të Kosovës, të cilët bartin emblemën, bartin uniformën, i shfrytëzojnë veturat e policisë dhe ata janë pjesëtarë tanë. Kam njohuri se atje ka individë që atje ka prezantojnë veten si MUP-i i Serbisë dhe të gjitha ato raste ku ne kemi njohuri dhe kemi mundësi t’i identifikojmë me siguri se ata do të ballafaqohen me ligjin dhe arrestin”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij çështja e strukturave paralele është çështje politike, ndërsa Policia e Kosovës merret me çështje të sigurisë.

I pyetur rreth përgatitjeve që Policia e Kosovës i ka bërë në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, Maliqi ka thënë se janë marrë të gjitha hapat për ofruar siguri edhe në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët të mund të shkojnë te kutitë e votimit për të kryer obligimin qytetar.

“Përgatitjet tona ne i kemi filluar para disa dite në momentin se 21 nëntor do të mbahen zgjedhjet në Rahovec, tani veç është e ditur edhe data e zgjedhjeve qendrore. Ne kemi bërë hartimin e planeve tona. Ne edhe në veri të Mitrovicës kemi kërkuar nga komandanti dhe nga EULEX-i, kemi kërkuar që Policia e Kosovës dhe KFOR-i të gjithë atyre qytetarëve që dëshirojnë të votojnë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese në veri të shfrytëzojnë që të shkojnë në vendvotim dhe të kryejnë obligimin e tyre”, ka thënë Maliqi.

Në këtë takim ka qenë temë diskutimi edhe kalimi i kompetencave nga KFOR-it tek Policia e Kosovës për vijën kufitare me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Maliqi ka shfaqur shpresën që në të ardhmen të ndodhë e njëjta gjë edhe me Serbinë. Sipas tij pas bisedimeve që do të fillojnë mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë do të ngritet edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Serbinë, për marrjen e kompetencave dhe për ruajtjen e asaj pjese të kufirit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)