26 Prill 2024

Bombardohet Tripoli, kryeqyteti i Libisë

Londër. 20 mars - Para agimit të ditës së sotme Tripoli, kryeqyteti i Libisë, është bombarduar. Lajmin e ka bërë të ditur televizioni shtetëror libian.

SHBA, Britania dhe Franca kanë nisur të sulmojnë Libinë pas dhënies së dritës jeshile nga samiti ndërkombëtar i zhvilluar në Paris.

Mbi 110 raketa janë qëlluar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara, kanë deklaruar burime zyrtare nga Pentagoni.

Ndërkohë, kryeministri britanik David Cameron ka konfirmuar se avionët britanikë kanë hyrë në veprim në Libi.

Më herët, avionët francezë shkatërruan disa automjete ushtarake libike. Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, avionët perëndimorë kanë bombarduar disa objektiva në kryeqytetin Tripoli.

Presidenti amerikan Barack Obama, duke folur nga Brazili, tha se SHBA po ndërmerrnin një “aksion ushtarak të kufizuar” si pjesë e “aleancës ndërkombëtare”.

“Ne nuk mund të rrijmë duarkryq kur një tiran u thot qytetarëve të tij se nuk do të ketë mëshirë”, tha Obama, i cili përsëriti se SHBA nuk do të fusin trupa tokësore.

Ndërkohë, një nëndetëse britanike ka qëlluar një seri raketash ndaj disa objektivave ajrorë mbrojtës të Libisë, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka njoftuar se aviacioni i saj ka lëshuar predha Stormshadow nga avionët Tornado G4.

Për momentin Italia do të vendosë vetëm bazat në dispozicion të avionëve të aleatëve dhe do të kujdeset për koordinimin e operacioneve në Napoli.

Kështu ka deklaruar kryeministri italian Silvio Berlusconi, pas samitit ndërkombëtar të zhvilluar në Paris, ku iu dha drita jeshile sulmeve në Libi.

Megjithatë, kreu i pallatit Kixhi ka shprehur shpresën e tij që lideri libik Muammar Gaddafi të mendohet sërish dhe të heqë dorë nga dhuna.

Kryeministri italian ka shtuar më tej se vendi i tij do të jetë i gatshëm në bazë të nevojave për të ndërhyrë në mënyrë direkte në Libi.

Ndërkohë, në Itali avionë luftarakë të tipit “Tornado” janë vendosur në bazën ushtararke të qytetit të Trapanit, në Sicili, në gatishmëri për të ndërhyrë në Libi.

Në të njëjtën bazë kanë mbërritur edhe avionë-radarë të NATO-s, ndërsa danezë të tipit “F-16” janë vendosur në bazën ajrore të Sinelës, në Katania.

Më herët presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano vlerësoi marrëveshjen e arritur në Paris dhe qëndrimin që ka marrë Italia lidhur me cështjen e Libisë.

Ndërsa ushtria e tij po bombardohet nga aleatët, kolonel Gadafi, lideri libian reagon me anë të një mesazhi audio duke dënuar sulmin e forcave perëndimore mbi vendin e tij.

“Do t’i kundërpërgjigjemi sulmit kolonial”, tha Gadafi duke i bërë thirrje afrikanëve, arabëve, latino-amerikanëve dhe aziatikëve.

Ai kërcënoi se do të sulmonte objektiva civile dhe ushtarake në Mesdhe, i cili sipas tij është kthyer në një shesh-betejë.

Koloneli deklaroi se ka hapur depot e armëve për t’i dhënë mundësi popullit të mbrojë Libinë nga sulmi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)