20 Prill 2024

Anëtarësimi në NATO arrihet me një ushtri që përmbush kriteret

Prishtinë, 4 maj - Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, lidhur me të arriturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ministri Mehaj ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Salvador Elmazi, Gjeneral major, Gëzim Hazrolli, Gjeneral brigade, Nazmi Brahimaj dhe Drejtori i Departamenti Ligjor, Avdylkadër Muçaj.

Me këtë rast, ministri Mehaj theksoi se gjatë këtyre 5 muajve, prej raportimit të tij të fundit, aktivitetet e Ministrisë së Mbrojtjes janë zhvilluar në përputhje me Planin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, objektivave dhe planit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2022.

"Të arriturat dhe sukseset në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë janë buxheti më i lartë deri tash, avancimi me shtetet partnere, rekrutimi i 840 ushtarëve të rinj, transparenca në rekrutim dhe investimi në blerjet e reja të mjeteve ushtarake."

"Fokusi i veçantë është rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, derisa rëndësi të veçantë i është kushtuar bashkëpunimit bileteral dhe përfshirjes së FSK-së në aktivitete ndërkombëtare si ushtrime, trajnime si dhe pjesëmarrje në forume të sigurisë", ka theksuar Mehaj.

Mehaj ka thënë se bashkëpunimi me shtetet tjera në fushën e diplomacisë ushtarake është rruga që e garanton anëtarësimin në Partneritetin për Paqe dhe orientimit e Kosovës drejt NATO-s.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti planifikohet edhe konkursi i ri i reduktimit, derisa ka thënë se ushtria ka nevojë edhe për civilë specialistë si: inixhierë, mjek, mekanikë etj.

Mehaj po ashtu ka bërë të ditur se e sheh të nevojshme ligjin për rezervë vullnetare, nëpërmjet të cilit parashihet të jenë mbi 20 mijë rezervistë vullnetarë, derisa ka thënë se janë duke i shikuar edhe mundësitë për futjen e lëndës për siguri dhe paqe në shkolla, e cila do të mundësonte edukimin e nxënësve se si jepet ndihma e parë dhe si duhet të reagohet në rreziqe të caktuara.

Ministri ka thënë se situata në Ukrainë ka ndikuar edhe në reduktimin e vizitave, por se po shfrytëzohen forma alternative të komunikimit me shtetet partnere. Ai ka thënë se në të gjitha vizitat dhe takimet që ka pasur e ka dënuar sulmin e Rusisë në Ukrainë, si dhe ka vënë në pah ndikimin që lufta në Ukrainë mund të ketë në Kosovë dhe rajon.

“Mesazhi im kryesor është që Kosova është partner i besueshëm, merr përgjegjësitë në rrëthanat e caktuara dhe synimi kryesor është anëtarësimi në NATO. E këtë mund ta arrijmë me një ushtri që përmbushë kriteret."

"Në kuader të këtij synjmi është formuar  grupi ndërinstitucional për procesin e Partneritetit për Paqe si dhe kemi formuar një grup të vecantë në Ministrinë e Mbrojtjes . Për të rritur ndërveprueshmërinë e FSK-së me vendet e NATO-s dhe SHBA-në, FSK gjatë kësaj kohe ka marr pjesë në ushtrime ndërkombëtare”, është shprehur Mehaj.

Në pyetjen nëse ka qenë i nevojshëm krijimi i Fondit të Sigurisë, ministri Mehaj ka thënë se ky veprim është ndërmarrë në koordinim të plotë me partnerët.

“Fondi ka afër dy muaj që është hapur dhe ky veprim është ndërmarrë për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe jo vetëm për shkak të situatës në Ukrainë. Ky ka qenë një veprim i duhur dhe shumë i mirë që e ka marrë Qeveria. Fondi është krijuar me iniciativë të përbashkët dhe i gjithë procesi ka qenë në koordinim me SHBA-të dhe parterët tanë. Fond ma të sigurt nuk kemi pasur kurrë“, ka thënë Mehaj.

Ai ka thënë se ky fond është i nevojshëm sepse FSK-ja dhe Policia prodhojnë siguri për vendin.

Ministri Mehaj ka kërkuar nga të gjithë që të mbështesin institucionet mbrojtëse të vendit, teksa ka thënë se mjetet e mbledhura në këtë fond synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë që pritet të miratohet shumë shpejt nga Qeveria. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)