01 Dhjetor 2021

Aktakuzë kundër 4 personave për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve

Gjilan, 28 tetor – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve M.K., A.D., A.T. dhe Xh.B., për shkak të veprave penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ dhe ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, të pandehurit M.K. dhe A.D., më 16 Tetor 2021, rreth orës 18:30 minuta në Kllokot, kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të votuesit-tani të pandehurit Xh.B., në këmbim të votave.

Në këtë mënyrë, të pandehurit M.K. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri A.T., i ka dhënë para në shumë prej 200 € të pandehurit Xh.B., me qëllim që i njëjti të siguronte 10 vota për kandidat për kryetar të komunës së Kllokotit.

Me këto veprime, i pandehuri A.T., ka kryer veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, të KPRK-së.

Gjithashtu edhe i pandehuri Xh.B, akuzohet për veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, pasi ka pranuar para në vlerë prej 200 €, nga i pandehuri A.T.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)