19 Prill 2024

Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova vendet me vdekjet me ta medha nga Covid 19

Bruksel, 11 mars - Të dhënat nga Eurostat, INSTAT dhe institutet statistikore të rajonit tregojnë se në vitin 2020, Shqipëria shënoi rritjen më lartë të vdekjeve në Europë, në krahasim me mesataren e 2016-2019.

Sipas INSTAT, në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me rritje prej 26.4% në krahasim me mesataren e 2016-2019, duke shënuar dhe nivelin më të lartë historik të jetëve të humbura në një vit.

Shteti i dytë në Europë, me rritjen më të lartë të fataliteteve është Maqedonia, me 22.5%. Maqedonia e Veriut, me një popullsi gati 30% më të ulët sesa ne, ka raportuar çdo ditë humbje jete nga pandemia shumë më të larta sesa institucionet shqiptare.

P.sh., në 14 janar 2021, kishte deklaruar gjithsej 2.635 raste të vdekjes, përkundrejt 1241 në Shqipëri. Mediat në Maqedoni pohojnë se numri i vdekjeve të deklaruara ka qenë i lartë, për shkak të raportimit të plotë që bëjnë autoritetet.

Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut jep të dhëna javore shumë më të detajuara se institucionet shqiptare për incidencën, moshën e vdekjeve, sëmundjeve shoqëruese, simptomat, madje edhe ku ato ndodhin (94% në spital dhe 6% në shtëpi, deri në 10 janar).

E treta me rritjen më të lartë të vdekshmërisë në Europë renditet Kosova me 22.1%, duke i bërë të tre vendet e rajonit më të brishtat ndaj pandemisë, çka ekspozon dobësitë e sistemeve shëndetësore përkatëse. Edhe Kosova ka pasur raportime zyrtare për jetët e humbura nga Covid-19 më të larta sesa Shqipëria.

Në Bashkimin Europian, rekordin për rritjen e fataliteteve e mban Polonia, me një rritje prej 20.7% dhe më pas Spanja me 20.3%, e Sllovenia me 19.9%, e ndjekur nga Çekia me 18.7%. (Shiko grafikun: Rritja e vdekjeve në % në 2020-n, në raport me mesataren 2016-2019 dhe tabelën Vdekjet në Europë).

Belgjika, e cila raporton dhe nivelet më të larta zyrtare në Europë për 1 milion banorë, është e teta në Europë për rritjen e fataliteteve (ky shtet ka një raportim të mirë të pasojave të Covid-19).

Italia, vatra e parë e Covid-19, kishte një rritje të vdekshmërisë me 17.1%, në krahasim me mesataren e 2016-2019. Të dhënat e tjera të Institutit Statistikor të Italisë (ISAT), tregojnë se pasojat e pandemisë ishin më të fortat në Italinë e Veriut, sidomos në Bergamo, ku jetët e humbura u rritën me 60% në 2020-n, në krahasim me mesataren 2015-2019, Cremona (+52.7%), Brescia (+40.6%).

Në Milano, fatalitetet u rritën me 32%. Ndërsa në pjesën më të madhe të zonave të Jugut, rritja ishte një shifrore.

Italia kishte muajt më të vështirë në mars dhe prill, me rritje totale të fataliteteve përkatësisht 48.4% dhe 40.6%. pas një qetësimi të ndjeshëm nga maji në shtator, vala e pandemisë u përkeqësua sërish në tetor (+16%0, për të kulmuar në nëntor (+52%) , ndërsa në dhjetor jetët u humbura u shtuan me rreth 29%.

Suedia, shteti që i sfidoi të gjithë për shkak se nuk pranoi të mbyllej në valën e parë të pandemisë, shënoi një rritje të vdekshmërisë me 9.8% në 2020-n, duke qenë ndër 10 shtetet me shtim më të ulët të fataliteteve.

Megjithatë, në raport me shtetet fqinje, rritja e vdekshmërisë ishte shumë më e lartë. Më mirë në Europë, pandeminë rezulton se e kanë menaxhuar Danimarka (+3.4%), Finlanda (+2.9%), Norvegjia (+1.4%). Shtetet nordike njihen për sistemet e mira shëndetësore dhe ndërgjegjësimin qytetar në zbatimin e rregullave.

Sipas Eurostat, kishte më shumë se 530 000 vdekje shtesë në BE dhe vendet e EFTA nga janari deri në dhjetor 2020, përkundrejt numrit mesatar të vdekjeve gjatë së njëjtës periudhë midis 2016 dhe 2019.

Nga dy valët e pandemisë, në pjesën e parë të 2020-s dhe në tremujorin e fundit, vala më e rëndë ishte në muajt e fundit.

Gjatë periudhës së parë kritike, nga mesi i marsit deri në fund të majit 2020, kishte më shumë se 175 000 vdekje shtesë; të dhënat nga fillimi i tetorit deri në fund të vitit nxjerrin në pah një rritje të dytë më të madhe me më shumë se 330 000 vdekje shtesë, raportoi Eurostat. Klikoni këtu për më shumë informacion: Weekly death statistics

Shtesa e fataliteteve për 1 milionë banorë ishte më e larta në Bullgari (2650 për 1 mln banorë), por ky shtet edhe në vite normale ka normën më të lartë të vdekshmërisë në Europë (15.5 mijë vdekje për 1 milion banorë për 2016-2019), për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigracionit të lartë.

E dyta renditet Maqedonia (2,216), që gjithashtu ka vdekshmsëri të lartë edhe në vite normale, e treta Polonia (2,195) dhe e katërta Shqipëria (2,026), që në vite normale ka pasur një vdekshmëri të paktën 20-30% më të ulët sesa këto shtete. (shiko grafikun: Shtesa e vdekjeve 2020 ndaj mesatares 2016-2019 për 1 milion banorë dhe tabelën: Vdekjet për 1 milionë banorë dhe shtesa në 2020).

Në rajon, Serbia shënoi një rritje  të fataliteteve me 13% (në krahasim me 2019-n), Mali i Zi me 12%, ndërsa të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë të disponueshme për gjithë vitin.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)