22 Tetor 2021

Provat klinike tregojnë se vaksina Pfizer funksionon edhe për fëmijët 5 vjeç

New York, 24 shtator - Këtë javë, kompania Pfizer publikoi lajme premtuese në përpjekjen për t'i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, duke njoftuar se vaksina e saj ndaj COVID-19 funksionon për fëmijët e vegjël.

Vaksina kundër COVID-19 e prodhuar nga kompania Pfizer në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech është tashmë në dispozicion për këdo që është 12 vjeç e lart. Pfizer thotë se provat klinike tregojnë se vaksina funksionon edhe për fëmijët e moshës 5 vjeç.

Mjeku pediatër Bill Gruber është nënpresident në kompaninë Pfizer.

"Kam kënaqësinë të njoftoj se kemi të dhënat e para që do t'ia dorëzojmë FDA-së që demonstrojnë një përgjigje të fortë imune dhe profil të kënaqshëm të sigurisë për vaksinën mRNA Pfizer-BioNTech tek fëmijët 5 deri në 11 vjeç", tha Dr. Gruber.

Kompania Pfizer testoi një dozë shumë më të ulët për fëmijët më të vegjël ... rreth një e tretën e dozës, që marrin fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit.

Kompania i bëri të disponueshme të dhënat fillestare për specialistë të sëmundjeve infektive, siç është Dr. Frank Esper në Klinikën e Fëmijëve në Cleveland.

"Pavarësisht dozës më të vogël tek fëmijët më të vegjël, ajo në fakt rezultoi po aq e fuqishme sa tek grupmoshat më të mëdha. Pra, po shohim një përgjigje të fortë të antitrupave dhe në nivelin e duhur mbrojtës", tha Dr. Esper.

Ndërsa fëmijët janë në rrezik më të ulët nga sëmundja e rëndë ose vdekja nga COVID-19 sesa të rriturit, rastet tek fëmijët janë rritur sepse varianti delta është shumë më infektiv se variantet e tjera.

"Në veçanti prej variantit Delta, spitalet po shohin më shumë raste tek fëmijët. Me sa kuptoj, nga fëmijët që janë shtruar në spital, një e katërta po përfundojnë në pavionin e kujdesit intensiv. Për fat të mirë, vdekjet janë të rralla, por, megjithatë, kjo është një barrë e madhe", thotë dr. Gruber.

Për më tepër, fëmijët gjithashtu mund të kenë efekte anësore shumë kohë pasi ta kenë kaluar virusin. Ashtu si fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit, fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç kanë nevojë për një vaksinim me dy doza për t'u imunizuar plotësisht. Të dhënat tregojnë se ka efekte anësore, si tek grupmoshat më të vjetra: lodhje, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe pasoja të tjera të ngjashme. Por, nuk pati njoftime për një lloj inflamacioni të zemrës të quajtur miokardit që një numër i vogël i djemve adoleshentë e kanë përjetuar pas marrjes së vaksinës.

Kompania Pfizer pret të ketë kërkesë të madhe për vaksinën nga prindërit e fëmijëve të vegjël.

"Patëm më shumë vullnetarë se ç’mundeshim të përfshinim në provën klinike", tregon Dr. Gruber.

10-vjeçarja Maya Huber nga Nju Xhersi ishte një nga më shumë se 2 mijë fëmijët që morën pjesë në studim. Nëna e saj, Nisha Gandhi, është mjeke e kujdesit intensiv.

"Duke parë njerëzit që vdesin nga COVID-i, frika se mos sjellim COVID-in në shtëpi ka qenë dhe është e tmerrshme në familjen tonë", thotë ajo.

Familja nuk e di nëse Mayas iu injektua placebo apo vaksinë. Por ajo e di se çfarë dëshiron të bëjë kur të jetë plotësisht e vaksinuar.

"Gjëja e parë që ndoshta do të bëj është të mblidhemi me të gjitha shoqet e mia", thotë Maya.

Kompania Pfizer pret të fillojë deri në fund të shtatorit dërgimin e informacionit tek Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Agjensia rregullatore pritet ta miratojë vaksinën për fëmijët diku midis 5 dhe 11 tetorit.

Veprimi i shpejtë mund të ndalojë një rritje të mundshme të rasteve të koronavirusit në shkolla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2021

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me shoqaten e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit për zgjidhjen e statusit të veprimtarëve invalidëve të plagosur para luftës çlirimtare në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”. (Hotel Emerald, ora 10:30)

-  Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjës organizon ceremoninë e betimit të rekrutëve të rijnë. (Kazerma e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miraton listën e ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, organizohet premiera e filmit "Zgjoi". (Cineplexx -Albi Mall, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i trtë i festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 18:30)