26 Janar 2022

Kosova regjistron dy vdekje dhe 427 raste të reja me koronavirus

Prishtinë, 13 janar - Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se në 24 orët e fundit pas testimit të 5.881 mostrave janë regjistruar 427 raste të reja me koronavirus dhe dy vdekje.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 31 persona janë shëruar derisa 2.811 persona janë ende aktivë në koronavirus.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, institucionet e shëndetësisë kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.994 persona kanë vdekur. Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës. Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)