28 Shtator 2022

Qeveria miraton shtatëmbëdhjetë vendime

Prishtinë, 10 gusht -  Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 92-të me radhë, në të cilën ka miratuar shtatëmbëdhjetë vendime.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë vendimi për ndarjen e 40 milionë eurove për mbështetjen e ndërmarrjeve publike dhe 600 mijë eurove për mbështetjen e prodhuesve vendor.

Lidhur me zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, janë miratuar plotësim ndryshime, me të cilat shuma e përgjithshme e ndarë për masën e mbështetjes së likuiditetit familjar, është 7 milionë e katërqind mijë euro.

Janë rialokuar 1.080.768 euro në Ministrinë e Administratës të Pushtetit Lokal, për zbatimin e projekteve kapitale në përputhje me shtatë marrëveshjet e mirëkuptimit për projektet kapitale të nënshkruara nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave: Klinë, Gjilan, Obiliq, Podujevë, Shtime, Istog dhe Kamenicë.

Me qëllim të kthimit të ligjshmërisë, kabineti qeveritar ka shfuqizuar 17 vendime të mëparshme, për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te komunat Prizren, Klinë, Malishevë, Skenderaj, Podujevë, Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Istog, Pejë, Graçanicë, Zveçan, Vushtrri, Mitrovicë Veriore, Ranillug dhe Kllokot.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për caktimin e zonave të mbrojtura sanitare dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujorë nëntokësor që përdoret për pije – “Puset e Konjuhit” në Komunën e Lipjanit. Qëllimi i përcaktimit të zonave të mbrojtura sanitare është që të mbrojë burimet e ujit nëntokësor - “Puset Konjuh”, Komuna  Lipjanit, nga ndikimet negative të cilat mund të dëmtojnë gjendjen normale dhe të qëndrueshme të ujit nga aspekti i cilësisë dhe sasisë.

Është miratuar Udhëzimi Administrativ për funksionimin e Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve.

Për shënimin e 25 vjetorit të vdekjes së humanistes shqiptare Nënë Terezës, Qeveria ka themeluar Këshillin organizativ për këtë përvjetor.

Qeveria ka emëruar bordet e drejtorëve në katër (4) ndërmarrje publike qendrore:

·         Ndërmarrjen Publike Qendrore “Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Kosovës - Trainkos Sh.A”;

·         Kompaninë Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Sh.A. Prizren;

·         Kompaninë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, Sh.A. Gjakovë; dhe

·         Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni, Sh.A. Ferizaj.

Po ashtu, është miratuar vendimi për shkarkimin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” Sh.A. dhe emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve të kësaj ndërmarrje.

Janë miratuar dy vendime për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2021, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe nënshkrimin e Amendamentit 2 të Marrëveshjes Financiare  IPA 2018 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në mbledhje, kabineti qeveritar është informuar për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit (PKZMSA) gjatë periudhës prill – qershor 2022, si dhe me Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të Kuvendeve të Komunave për periudhën janar-qershor 2022.

Pas shqyrtimit është aprovuar edhe Raporti i punës i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar për periudhën korrik 2021 - qershor 2022. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 shtator 2022

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim udhëheqësin e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Vassilis Maragos. (Kabineti i kryetarit, ora 9:50 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit bën publikimin e raportit “Shkatërrimi ekologjik - Koha të veprojmë” i cili paraqet gjendjen e mjedisit në Kosovë, në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian në kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportin e shpenzimeve të Kuvendit, të Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- OJQ EC Ma Ndryshe mban konferencën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?”. (Kino Lumbardhi në Prizren, ora 10:00)

-  Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj.Aida Rexhepi dhe me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj. Pranvera Zejnullahu- Raçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Shehu Academy në bashkëpunim me projektin e USAID organizon ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës” me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Aleanca e të Rinjve të Kosovës zhvillon një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të kërkesave minimale të mësimdhënësve. (Para Ministrisë së Arsimit, ora 10:00)

- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencën rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale”. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 11:00)

 - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz. (Kabineti i kryetarit, ora 11:30 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)​

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton në parim Projektligjin për Institutin e krimeve të kyera gjatë luftës në Kosovë, dhe raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, ora 13:00)

- Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë shqyrton Planin e punës së Komisionit, kërkesen për buxhetin e Komisionit dhe shqyrton termat e referencës për Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 14:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)