24 Maj 2022

Presidentja Osmani mbështet Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës

Prishtinë, 18 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, të përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili.  

Në takim me këtë delegacion, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.

Ajo ka bërë të ditur se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin.

“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet. Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke rikonfirmuar se problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë t'i ngrisë në instancat më të larta ndërkombëtare.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2022

- Koalicionit për Transparencë dhe Integritet i themeluar dhe mbështetur nga KFOS-i, do të organizojë tryezë me temën “Pazari me tema të diplomës” ku do të diskutohet lidhur me shit-blerjen e temave të diplomës. (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, ora 9:30)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës” ku të ftuar janë edhe Kryesuesi i Brodit dhe Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton raportin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit dhe Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mban dëgjim publik për Projektligjin për Produktet Biocide. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës organizon ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore, projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. (Stadiumi i Qytetit në Shtime, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ prezanton Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- OJQ Aktiv prezanton publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën “Liritë e mediave dhe pozita ekonomike e gazetarëve në Kosovë”. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti voton raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes vizitojnë Florije Bislimin, njëra nga përfitueset e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”. (Fshari Godanc në Shtime, ora 11:40)

- Në kuadër të programit dhe ekspozitës Babylonian Vision të artistes Nora Al-Badri qe qëndron e hapur në Galeria 17 mbahet diskutim me temë "Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve". (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Rrjeti i Biznesit të Globit. (Vali Ranch në Gjilan, ora 18:30)