26 Janar 2022

Kuvendi do të nxjerrë një rezolutë të përbashkët për referendumin e Serbisë

Prishtinë, 15 janar - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Kjo seancë vjen pasi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,  me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.                         

"Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për sot", thuhet në kërkesen e kryeministrit.

Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar.

​ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)