17 Maj 2021

Kosova dhe Shqipëria duhet të lehtësojnë bashkëpunimin ekonomik

Prishtinë, 12 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani-Sadriu priti sot ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me përpjekjet që Republika e Kosovës po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit.

Duke e falënderuar shtetin shqiptar për bashkëpunimin, dr. Osmani nënvizoi se sigurimi i vaksinave për qytetarët e vendit është prioritet themelor i institucioneve të republikës.

“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë Covid–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, tha presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadori Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.

Ambasadori Minxhozi, pasi i uroi znj. Osmani zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën.

“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, tha z. Minxhozi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Maj 2021

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizojnë javën e gjashtë Globale e Sigurisë Rrugore. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, para New Born, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehures Dragana Janiçeviç për Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet prezantimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të vizitojë Shërbimin e Urgjencës, i cili është furnizuar me dy autoambulanca të reja. (Shërbimi i Urgjencës në Prizren, ora 10:30)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Visar Krasniqi për Keqpërdorimi dhe mashtrimi ne prokurorimin publik. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 11:00)

- Rrjeti i OJQ-ve Avonet mban konferencë për media në të cilën do të prezantoj projektin “Hapësirat e gjelbëra dhe shtatorja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden”. (Objekti e Galerisë, ish-objekti i TMK-së, rruga “Ramadan Rexhepi” Ferizaj, ora 11:00)  

- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj organizon aktivitetin 3 ditor “Open Doors”, për të rinjtë e Kosovës dhe më gjerë, të cilët ende nuk kanë bërë zgjedhjen e profesionit të tyre. (Objekti i Universitetit, ora 11:00)

- Organizata Kosovo Center for Peace mban konferencë për medie në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan. (Xhamia “Bedri Kamberi” në Prishtinë, ora 11:00)

- Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë protestë kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore. (Pranë Ministrisë së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ora 12:00)

- BIRN dhe Internews Kosova mbajn konferencë në të cilën do të prezantohet Raporti “Përkëdhelja e korrupsionit” i cili ka në fokus analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2020 dhe gjithashtu analizimin e përformancës së gjyqësorit në trajtimin rasteve të korrupsionit. (Pallati i Drejtësisë, Objekti A, Salla e Konferencave, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet kërkesa për interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Nën organizimin e Drejtorisë së Administratës, do të mbahet dëgjimi publik për “Draft-Rregulloren për Organizimin dhe Bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane në territorin e Komunës së Prizrenit”. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në Shtëpi të Bardhë, ora 13:00)  

 

- Drejtori I Përgjithshëm mbajn një Konferencë për shtyp. (Drejtoria e Doganës, Prishtinë, ora 18:00)