10 Maj 2021

Çohu kërkon mos dekretimin e Safet Hoxhës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 9 korrik - Të premten Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar tre anëtarët e  ri të Gjykatës Kushtetuese të cilët presin dekretimin nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Anëtarët e votuar për Gjykatën Kushtetuese janë: Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi dhe Safet Hoxha.

Përmes kësaj letre, Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! shpreh shqetësimin e thellë lidhur me praktikën e kaluar dhe të tanishme të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me të kaluarën funksionale politike. Çohu gjithashtu shpreh shqetësimin në lidhje me zbrazëtinë ligjore e cila mundëson përbërjen e Gjykatës me anëtarë të cilët kanë të kaluarën politike.

Përmes kësaj letre Çohu kërkon mosdekretimin e anëtarëve me të kaluarën funksionale politike.

Zbrazëtitë ligjore në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese vazhdojnë t’u japin mundësinë njerëzve me të kaluarën politike të jenë gjyqtarë në institucionin me të lartë kushtetues, Gjykatën Kushtetuese si gardian i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Prania e ish-zyrtarëve politikë në Gjykatën Kushtetuese cënon integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e organit më të lartë kushtetues të vendit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në vend të fokusit në përzgjedhjen e kandidatëve më të përshtatshëm të politikës, do të duhej të kujdeseshin dhe të iniciojnë ndryshimet e dispozitave ligjore të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e të qenit gjyqtar kushtetues, duke garantuar kështu kandidatë me integritet të lartë personal dhe profesional, të cilët do të garantonin profesionalizmin dhe pavarësinë e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndikimi që politika mund të ushtrojë mbi ish-anëtarët e saj dhe vetë prania e tyre në Gjykatë gjatë ushtrimit të funksioneve si gjyqtarë kushtetues, nuk do të garantojë mbrojtjen e Kushtetutës dhe kushtetutshmërinë, dhe do ta dëmtojë reputacionin dhe funksionimin profesional dhe të pavarur të vetë Gjykatës, sidomos në çështjet e ndjeshme të karakterit politik.

Duke u thirrur në përzgjedhjen dhe votimin e fundit, njëri nga anëtarët e votuar, Safet Hoxha, përveçse ka qenë Këshilltar Komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, ai gjithashtu kishte marrë pjesë në tubimet politike të kësaj partie në Komunën e Suharekës, të cilën e kishte konfirmuar edhe ai vetë. Për më tepër, në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013, Safet Hoxha edhe ishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Përgjithshëm të PDK-së.

"Konsiderojmë se kandidatët si Hoxha nuk përmbushin kriteret e nevojshme të integritetit dhe të pavarësisë profesionale, duke cënuar kështu paanshmërinë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese."

"Andaj përmes kësaj letre, kërkojmë nga Presidenti të mos e dekretojë anëtarin e votuar me të kaluarën funksionale politike", thekson Çohu!.

Zgjedhja dhe dekretimi i anëtarëve me të kaluarën politike do të thellojë mosbesimin e qytetarëve në funksionimin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të rrezikojë paanshmërinë dhe funksionimin e pavarur të gjykatës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Maj 2021

- Familja Haliti nga Gjilani mban konferencë për medie lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të saj në Shqipëri. (Rr. Hamdi Pogragja, Gjilan, ora 11:00)

- Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi mban konferencë për medie. (Salla “1 Tetori”, ora 12:00)