25 Prill 2024

Zgjedhjet 2013!

Shkruar nga Besnik Rama

Zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen (2013) do të sjellin mjaft të reja, në thelbin e tyre ato do të jenë pozitive për të ardhmen e Shqipërisë. Krijimi i dy partive të reja: Aleanca Kuq e Zi (AKZ) dhe Fryma e Re Demokratike (FRD), që të dyja tashmë me ndikim në elektorat, sjellin në arenën politike nevojën e koalicioneve më të gjera.

Sigurisht kjo ka më pak rëndësi sesa fakti që më në fund populli shqiptar po zgjon vëmendjen e tij dhe po çel sytë duke zhvendosur vullnetin e tij përmes votës edhe diku tjetër, e jo duke e përqendruar forcërisht atë veç në dy subjekte: PD (parti e djathtë) dhe PS (parti e majtë).

Pas rrëzimit të nomenklaturës komuniste dhe deri në ditët e sotme populli shqiptar votonte në masë subjektet politike të lartpërmendura. Sigurisht, ca vota shkonin edhe për partitë e tjera, të ashtuquajtura të vogla, por që në fakt do të ishte e udhës të quheshin «dramca interesash të disa personave të pamëshirshëm dhe të unshëm për pushtet».

Përjashto LSI, partitë e tjera nuk kanë pasur ndikim në krijimin e kabineteve qeveritare dhe në drejtimin e punëve të shtetit. Arsyeja se pse kjo parti pati ndikim ashtu siç dihet tashmë lidhet me momentin e skenës politike shqiptare. U kap mjaft bukur nga z. Meta, i cili përfitoi si shpeshherë gjatë karrierës së tij, nga fatkeqësitë njerëzore, në rastin tonë me tragjedinë e Gërdecit.

Rrahja e shpatullave të zotit Berisha nga zoti Rama kanë qenë ca mijëra vota për LSI. Ai (Meta) ndotës i pamëshirshëm ua hodhi të majtëve gjoja se ai përfaqësonte realisht mendimin dhe orientimin e tyre majtist.

Por siç do ta shikojmë në zgjedhjet e ardhshme, tashmë që edhe kësaj cope beze të quajtur LSI i doli boja, do të humb ndjeshëm votat e marra deri më tani. LSI do të jeta forca politike e cila nga zgjedhjet e 2009-ës deri tek zgjedhjet e vitit 2013 do të vijë më shumë se e shpërfytyruar dhe mbi të gjitha me një elektorat më shumë se të përgjysmuar, edhe pse i ka nginjur në masë me pushtet, me poste dhe funskione e me punë të shumëllojshme anëtarsinë e saj.

Fryma e Re Demokratike apo siç media e quan ndryshe «partia e Topit» dhe aleanca Kuq e Zi e drejtuar nga z. Spahiu do të trondisin ndjeshëm skenën politike shqiptare, duke i dhënë më në fund vendit tonë, pas 20 vitesh demokraci, fytyrë tjetër karrigeve parlamentare, por edhe duke larmizuar në masë skenën arkaike politike të vendit tonë.

Përmbledhja e asaj se çfarë kanë përjetuar dhe hequr shqiptarët në plot thuajse 70 vite shtet shqiptar është: mërzitje, sfilitje, dërrmim, bjerrje morale, zhvlerësim personaliteti, shitje dinjiteti, blerje fytyre, maskë e fëlliqur, lodhje, vuajtje pafund, fundjete të zymtë, internime, masakrime, përdhunime, grabitje, degradime, besim i ulët, mospranim, mendërosje etj.

Ndaj të rraskapitur nga përgjumja edhe 20 viteve të shumëpritura demokraci për të ndryshuar jetën e tyre dhe të fëmijëve tanë, shqiptarët më në fund po zgjohen nga gjumi i stërzgjatur, i pashpjegueshëm nga arsyeja njerëzore, duke përqafuar zgjidhje dhe zgjedhje të tjera me alternativa të besueshme për to.

Në zgjedhjet parlamentare 2013 partitë e vogla do të zvogëlohen dhe sfumohen edhe më shumë. Këto parti në më të shumtën e rasteve kanë luajtur rol destruktiv në jetën e popullit shqiptar, pasi siç thashë më sipër kanë qenë ca dramca interesash të ca grupimeve të vogla biznesmenësh, hajdutësh dhe banditësh.

Më në fund do të jetë shumë pozitive dhe në të mirë të vendit dhe ndryshimit të jetëve tona dërgimi në pension përfundimisht i kolerave të tipit: Skënder Gjinushi. Ky komunist i lindur nuk do të jetë as në zgjedhjet e vitit 2013 ashtu siç nuk u zgjodh as më 2009 në karrigen e deputetit. Kështu jeta e këtyre particave do të degradohet aq shumë saqë duke rënë edhe financimet për to do të zhbëhen krejtësisht duke mbetur edhe pa anëtarësi.

Kështu parti si: PSD, PDS, PDK, LDK etj. nuk do të jenë në Kuvendin e ardhshëm. LSI nuk do të ketë numrat e sotëm në parlament, ku maksimumi i kësaj partie mund të jetë nxjerrja e një deputeti: Ilir Meta, duke e lënë këtë kodosh politik ende në skenën politike.

I paqartë do të jetë fati i PDIU, gjoja parti që mbron çamët, por shumë më shumë ka bërë aleanca e Kreshnik Spahiut se kjo parti qysh në krijimin e saj, e cila me paturpësinë më të madhe merr vota prej çamëve të urtë dhe fisnik dhe i vendos ato në prehrin e interesave të mazhorancave qeverisëse shqiptare progreke kundra krahinës: Çamëri. (Sot PDIU është në koalicion me PD-LSI, i cili mbron interesat greke në vendin tonë dhe njeri nga ministrat e këtij kabineti ka deklaruar se: nuk ka pasur ndonjëherë në vendin tonë krahinë me emrin ÇAMËRI).

Gjithsesi me shumë sforcim maksimumi kjo parti do të marrin vetëm një deputet, ndërsa po ashtu përsëri interesat greke do të përfaqësohen nga PBDNJ, e cila e ka elektoratin e palëkundshmë dhe stabël. Fundja, krejt normale pasi grekët, mohuesit shqiptarë dhe halet e Shqipërisë do të renditen me ato që ia hedhin shqiptarëve dhe i ndajnë ato mes tyre.

Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste (PS), asnjëra prej tyre, nuk do të ketë numrat e sotëm në parlamentin e ardhshëm. PD-ja do të ketë një tkurrje të atillë votash sa edhe më skeptiku për votat e saj nuk do të mund ta marrin me mend.

Largmendsh PD nuk do të mund të shkelë as 55 numra në Kuvendin e 2013-ës. Ndërsa socialistët do të kenë një ulje më pak të ndjeshme. Linja e ndjekur së fundi nga Rama ka larguar ekstremin e majtë, por ka afruar mjaft të lëkundur dhe votues të partive të tjera të majta.   

Dy partitë e reja që do të futen për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme, partia e z. Topi dhe partia e z. Spahiu, do të marrin aq vota në popull saqë koalicioni me to i PD-së apo PS-së do të jeta domosdoshmëri për krijimin e mazhorancës qeverisëse. Pra, këto dy parti do të thirren në koalicion si nga PD (Sali Berisha) dhe PS (Edi Rama).

Po a do të ketë moral politik dhe shoqëror për një aleancë të PD apo PS me këto dy parti: njëra e demokratëve me frymë perëndimore demokratike dhe tjetra patriotike, kombëtariste dhe me moral të kulluar? A do të ketë hipokrizi të radhës si «martesa» e Metës me të djathtët? A do të ketë fëlliqësi dhe paturpësi si ajo e Xhuvelit, Cekës, Pollos, Xhaferrit, Metës po e po, Dules, Ndokës me shokë etj.?

Deri në zgjedhjet e ardhshme (edhe një vit) do të mund të ketë të reja të tjera të rëndësishme ose jo, por të cilat nuk do të mund ta prishin panoramën politike të lartpërmendur, e cila do të sjell në Kuvendin e Shqipërisë ato që thamë. Shpërndarja e numrave në Kuvendin e Shqipërisë 2013-2017 me gjasë do të jetë:

Mandatet e Kuvendit 2013

PS         55-58

PD        50-52

AKZ     10-13

FRD       9-12

LSI           1

PDIU        1

PBDNJ     1

Të tjerat 1-2

Autori është botues & kryeredaktor i Nacional Albania

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)