20 Prill 2024

Zeitung dhe përralla shqiptare albanologjike

Shkruar nga Idlir Azizi

Kjo epoka ku jetojmë është në fakt një periudhë botërore gati e adhurueshme. Megjithë format më të rafinuara të kolonializmit botëror në epokën e vituales, megjithë deklamimin e krishterë të triumfit final kapitalist si pikësynim të Historisë, prapë një “degjenerim” i mrekullueshëm është i pranishëm në botën tonë.

Prej kohësh njeriu Perëndimor- ku mezi po aderojmë edhe ne të shoqërive “në zhvillim e sipër”- ka filluar ta jashtësojë veten në mjete dhe me anë të mjeteve e teknologjisë. Aq sa tashmë ky jashtësim po nxjerr gafil dhe monologun e brendshëm të botës, ose, denoncimin e asaj pjese që quhet private, e fshehtë.

Rasti më kulmor, s’do mend, është teatri internetor i Wikileaks: një dramaturgji e përsosur e denoncimit të vetë botës nga vetja e vet e me mjetet e veta. Mrekulli kjo në kuptimin gjuhësor po aq (gjuha, avantazhi dhe bllokazhi i njeriut!), deri në konotacionet më organike: ”leaks”, pra rrjedhjet, por dhe urinimi i botës politike, sajë informacionit (to take a leak, thuhet në angisht).

Mrekullia shkon edhe më larg nisur nga etimologjitë e personazhit kryesor të kësaj drame binare: një J. Assange, kësisoj edhe gomar, e ndenjur, (ass) e njëkohësisht engjëll (ange).

Nuk është çudi që pushteti, kudo nëpër botë, në Francë sidomos, po mundohet ta nxjerrë me shkelma jashtë ligji Wikileaks. Pa llogaritur që kjo ofensivë kundër denonocimit të thashethemeve diplomatike të botës nga ky site, është një grusht i botës ndaj vetvetes, me mjetet e veta sigurisht. Një techne e hidhur, për këtë botë që mbahet për sekulare e të pakthyeshme.

Duhet llogaritur po ashtu që kjo mund të jetë fare mirë edhe një farsë teknologjike. Domethënë një teatër, me anë të të cilit demokracia “planetare” na mbush mendjen se është tek e fundit superdemokratike (ose ajo ideja e hallvës me shumë sheqer).

Nëse kësisoj, atëherë Shqipëria e vogël i ka dhënë botës një mësim të madh: humbjen e skandalit. Shqipëria, vendi që ka nisur me kohë të jetojë paq me humbjen e plotë të skandalit, apo me pranimin e tij.

Me Wikileaks, me denoncimin e thashethemnajës dipolmatike, ne si botë duhet të pranojmë tashmë humbjen e skandalit të opinioneve të idhta, gjë që deri dje dihej mirë, por fshihej po aq mirë.

Megjithatë kjo mund jetë edhe një skandal i botës, dakord, por ama i botës së pushtetit. Dhe ky urinim i informacionit të fshehtë mbi dallaverin ambasadorial të botës, është mbase një ilustrim i vetvrasjes së pushtetit, e që Pushteti kudo rrek ta fshehë me çdo kusht.

Në epokën e Facebook –ut (një përngjitje-zgjatim i gjithë logjikës judeo-krishtere: Fytyra kristike dhe Libri i semitëve), ne u gjendëm një ditë në lajmin e rrjedhjes së skandaleve diplomatike, të atyre shkëmbimeve që thuhet se mbajnë në këmbë ekuilibrin e botës. Fundi i një teatri hijesh, që e dimë prej shekujsh, nga Shakespeare-i e mbrapa, e që ende s’i kishte rënë perdja kaq brutalisht?

Por le të bëhemi pak më lokalë. Se në këtë drastikë të madhe, edhe për ne shqiptarët ka pak vend për rrënim mitologjik. Pra, një vend për shembjen e mitit të Gjermanisë si bastion i sigurimit të kulturës shqiptare në botë, e me të cilën ne, shqiptarët, prej dekadash kishim pranë-vënë në mënyrë servile M. Lamberz-in me Rumenige-n.

Sesi ne shqiptarët jemi tifozët më të mëdhenj të albanologjisë gjermanofone. Mbase tani do të çirret paksa dhe bindja “popullore” se Gjemania dikur hiteleriane kishte endje të madhe për Shqipërinë e madhe, e për të cilën, Kosova pat krijuar enkas si nderim detashmentin SS Skanderbeg, për të ndihur në deportimin e çifutëve.

Një pyetje e shpejtë nxjerr krye mes nesh: nëse bashkimi Shqipëri-Kosovë bëhet “realitet” një ditë, a do ta mbajmë dot ne si Shqiptarë në përgjithësi medaljen e mbrojtjes së çifutëve në rajon?

Tani le të zbresim më në Kohë, në të tashmen, meqë ka shkruar Zeitung i Frankfurtit. Domethënë për faktin se edhe njeherë ka dalë në skenë fantazma e Shqipërisë së madhe. Kjo nuk është natyrisht gjë e re. Për shtypin europerëndimor, kjo fantazmë është i vetmi preokupim real lidhur me trupin vërtet të hapërdarë të Shqipërisë.

Ajo që është interesante (domthënë e pështirë) është reagimi i Frankfurter Zeitung në një moment kyç të skenës politike shqiptarofolëse: arritja e një kuote paprecedent nga Vetvendosje, dhe akuzat europiane ndaj liderve të maxhorancës politike të Kosovës. Kjo e dyta, akuzat për zotin Thaçi, janë detyrimisht dosje gjykatash dhe s’na interesojnë fare (mua të paktën).

Venia pranë e pranë që i bën artikulli në fjalë rezultatit mbi 13 përqind nga Vetvendosja në zgjedhjet e fundit, dhe gogolit të paharruar të Shqipërisë së madhe, vuan nga një shije fort e keqe. Aq sa krijohet ideja e një halli të madh që kjo Vetvendosje paska arritur një masivitet të tillë e të papritur. Gazeta për më tepër luan me kartën e mësuesit autoritar, duke na bërë të ditur të gjithëve se bashkim mund të ketë vetëm nëse na mbyllen dyert e Europës së Bashkuar.

Do të na mbetej kështu që Shqipëri e Kosovë të bashkoheshin, e të shkonim dorë për dorë para portës së ligjit, jo me shpresën që të hapej dikur, por vetëm me kureshtjen morbide të merrnim vesh nëse ajo portë do kishte qenë hapur vetëm për ne!

Pranëvenie tjetër e Frankfurter Zeitung, është edhe më morbide vetiu, kur flet për “rrezikun” e Shqipërisë së madhe, duke barazuar programin e lëvizjes Vetvendosje, me deklarime të politikës mazhoritare të Tiranës e Prishtinës. Pranëvenie që duket e fut Vetvendosjen lëvizje alternative në të njëjtin kut me ekzekutivin shqiptar. Si për ta çuar drejt mosbesimit akut, ashtu si fati i çdo konsensusi kombëtar” i politikave shqiptare çdopartiake, e që mbetet thjesht një element që zgjedhësi të kalojë kohën (e dedikuar politikës).

Ky gogolëzim i ri i Shqipërisë së madhe dhe veçanërisht rievokimi i tij duke ia afishuar Vetvendosjes, ose bërjes së Vetvendosjes një faktor tashmë politik i dukshëm, i provuar me zgjedhje; ja dhe morbiditeti i Zeitung.

Kjo qullësi mediatike, që luan me kartën bajate të turbullimit të kufijve, shkakton një të keqe të madhe: ajo le në vend emrin etatik të Popullit. Emri vetvendosës i popullit të mirëfillë, ngritja e popullit në rangun e rezistentit akut ndaj pushtetit, kjo ka qenë besoj logoja kryesore e lëvizjes Vetvendosje.

Zeitung nuk përmend as shkarazi faktin e habitshëm që një Lëvizje e tillë, jashtë shinave politike të partive klasike shqiptarofolësve, të mund të arrijë këtë rezultat të mahnitshëm në zgjedhje. Dhe rastësisë së mahnitshme të çarjes së ligjërimit të ndryshkur politik e konceptual normal shqiptarofolës nga Vetvendosje, Zeitung i kundërve “domosdoshmërinë” e pakënaqjes së popullsisë me politikën aktuale.

Zeitung nuk ka arritur minimumin e mirëdashjes për të parë shkarazi ndryshimin e pistave ligjërimore e të platformave ideo-konceptuale të futur gradualisht nga Vetvendosja, kohë para vendimit për të hyrë në zgjedhje. Eleminimi i vasalitetit mendor ndaj aktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, vendosja e të menduarit popull-or, e drejta e popullit si Rast,  populli i mirëfillë si casus, kjo më duket ka qenë radikalizimi i ligjërimit të Vetvendosjes.

Nëse në këtë platformë kërkohet e hidhet diskutimi mbi bashkimin e mundshëm Shqipëri-Kosovë, të shohim se në çfarë perspektive shtrohet e me çfarë koncepti shoqërohet, nga Vetvendosje, kjo ide.

Larg patriotzmave shterpe shqiptare, larg poetizmave patetike të bashkimit kombëtar, larg sulmit ndaj armikut të jashtëm që kërkon të keqen tonë, mund edhe të themi që: bashkimi (nëse) Shqipëri-Kosovë në gjendjen e dy vendeve tona sot do ishte katastrofë.

Nën eksportin tiranas të hipermediatizimit e të vulgarizimit politik drejt Prishtinës, e me mungesën e afërisë së banorit shqiptar (të Shqiprisë) me Kosovën si entitet; me transportimin e kulturës së skandalit si normalitet socio politik nga Tirana në Prishtinë, dhe me rezistencën e Shqipërisë ndaj kulturës së protestës reale nga Kosova, bashkimi do ishte panair kotësie.

Atëherë po që do ishte një Shqipëri e madhe, si e do Zeitung, domethënë një vend më me shumë tendera për t’u vjedhur, më me shumë parti për t’u krijuar, më me shumë spekatorë për teatrin vulgar parlamentar shqiptarofolës.

Frankfurter Zeitung as shkarazi nuk ka nënvizuar berluskonizimin e politikës maxhoritare shqiptare, sidomos të Tiranës, dhe hedhjen, paralel me të, nëpër gjuhën shqipe, të një ligjërimi pa precedent të rezistencës ndaj saj, dhe çdo forme të ushtrimit të pushtetit. Në rastin e shkruesit gjerman unë do të pyesja me k’te rast ambasadorin Dell nëse Vetvendosja ia ka arritur apo jo më në fund të bëhet e denjë për Vizitë, tashmë që u konsakrua si forcë e tretë politike e vendit!!

Shumë i habitshëm ky reostat i Zeitung, nga ne dikur si shprehja gjeografike në një Gargoyl të stabilitetit në Ballkan!

Duke e ndjerë fare mirë që skica e Zeitung nuk përfaqëson dot krejt Gjermaninë. Zot na ruajt se si mund të shihnim ne pastaj shembullin e katarsisit më mahnitës politik e shoqëror në Europë (atë gjerman pra)! Krejt kulturën e denazifikimit, krejt një vet-reflektim të fortë e pa kompromis nga ana e gjermanëve, shembulli më brilant i kulturës reflektive e qytetare në gjashtë dekadat e fundit.

Ai lloj katarsisi i munguar dhe ai ngërç në kulturën e vetkritikës e vendeve tona ballkanike e ish Lindore, jo fort reflektive, që nuk na lejon të arrijmë statusin e metropolit, sikundër e saktëson me të drejtë I. Kertész.

Lëvizja Vetvendosje, me përqindje apo jo, pati nisur me platformën për të rishtruar drejtësinë e nocionit të Popullit; dhe fare mirë ai 13 përqindësh i arritur prej saj mund të ketë ardhur nga ai popull që e ka absorduar kaq. E ndoshta një Shqipëri-Kosovë e nesërme, ndërvepruar mbi baza të tilla, domethenë me nxjerrjen e popullit shqiptarofolës nga frigoriferi pseudopatriotik e nga virtualiteti ku e ka tej-kaluar tani politika shqiptare e të gjitha trevave, mund të ishte bashkim real i shqiptarëve që do të arrinin më në fund të sodisnin vetveten, e jo të sulmonin kufijtë e Ballkanit.

Fiksionit të efekteve Kanun, anti-turizimit me gjoja mafian shqiptare, tani i rishtohet edhe gogoli i Shqipërisë së madhe, pas zgjedhjeve më të fundit në Kosovë. Larg naivitetit mbi pavarësinë reale të cilësdo media në botë, një gjë është e sigurt: që ndryshe nga ne, artikujt e gazetave në Perëndim siten mirë para se të dalin. Brenda këtij profesionalizmi model, çbalancimi që i bën Vetvendosjes Zeitung, duke përdour kryeministrin shqiptar zoti Berisha, bën habi jo të vogël.

Dy figura që jo vetëm kanë ligjërim krejt të ndryshëm politik, por që s’kanë as dhe konsum të ngjashëm mediatik e kohor. Zeitung as shkarazi nuk ia ka dalë të thotë faktin që Vetvendosja është munduar gjithë këto kohë të parashtrojë një gjuhë Tjetër, alternative, si banesë alternative të të qenit shqiptar.

Larg perversionit që parashtron Frankfurter Zeitung (sepse fantazma e ka përpjestimin me perversionin) ai titull me Ëndërr panshqiptare në gazetë mund të dalë nesër si tubim i shqiptarëve rreth trupit të Idesë, dhe larg urisë për organe e për organizma vasaliteti. Një shqiptar i tillë pan-konceptual do të ishte ai që nuk e sheh serbin dhe maqedonin si tabelë qitje, por qytetari- rezistencë ndaj çdo kolonializmi. Qoftë edhe ndaj Providencës europiane të lirisë së vizave, apo të gjuhës gjysmë të gatshme të integrim-asocijimit. Apo mos ndoshta ky është dhe problemi?

Pas negativizimit të termit “ballkanizim” në përgjithësi për rajonin, ja edhe një herë fanti spathi i Shqipërisë së madhe! Me këtë gogolëzim Zeituing sikur i heq mundësinë shqiptarëve që të merren seriozisht me Murin e tyre. Mur që është më kokëfortë se ai ndarës i Gjermanive dikur, sepse nuk varet me shumë nga copëzimi i Shqipërisë, sesa nga auto-injektimi i pushtetit në trupin e popullit, nga fashistizimi i vet trupit shoqëror shqiptar. Zeitung nuk arrin të shohë se ëndrra shqiptare me sy hapur për pushtet ia merr njëmijë herë onirizmit panshqiptar që ajo pretendon.

 Se subjekti shqiptar ka hyrë me kohë në një korrupsion mendor e shpirtëror ku termi Shqipëri e madhe mbetet shpejt qesharak brenda cofjes mendore shqiptare të sotme. Pavarësisht brohoritjeve paksa hipokrite shqiptare për bashkim e vllazërim, ne na duhet mbase të merremi vetë me Murin tonë, e para të cilit prej vitesh e vitesh kemi kthyer dhëmbet nga “armiku i jashtëm”, dhe sot sytë nga demokracia dhuratë!

 Nëse Vetvendosja shpall një ide të bashkimit sa për korrje-shirje të votave, aq më keq për të, dhe kështu do hasë nesër në munxa jo të pakta. Nëse Vetvendosje e ve idenë e bashkimit brenda Idesë madhore të rikonceptualizmit të asaj që është Popull, të atij që duhet të jetë rezistenti i përhershëm dhe jo ricikluesi vulgar i pushteti, atëherë frika ndaj minimit të kufijve ballkanikë është false dhe dashakeqe.

Në botën tashmë post-koloniale si mendim, në botën tashmë post-naziste si Konfirmim e vullnet, edhe ideja e kufijve nuk mund ta ketë ngërçin e dikurshëm. Një popullsie, qoftë edhe shqiptare (pse jo) i takon padyshim të reflektojë paraprakisht nëse Ofrimi i lirisë së lëvizjes është apo jo paraskenë e një strategjie më të rafinuar pushteti; i takon të reflektojë si Popull e si vetvendosës, nëse në epokën e virtualitetit të përgjithshëm e të perversionit të përgjithësuar të Kontrollit pushtetar, mos vallë po na aplikojnë pushtimin me anë të lirimit! E dimë se epokat e reja kanë formë të reja të pushtetit. Kjo i fshin hipokrizitw post-historike tw Fukuyama-s. Kjo garanton ekzistencwn e funksionin e njw Lwvizjeje, dhe ri-lindjen e aftwsimin e njw Populli; ndryshe gjithçka do ishte letërsi bulevardesh.

Gogoli i Shqiprisë së madhe po e le përherë qytetarin shqiptar në larvën e kompleksit para botës e njëkohësisht të patriotizmit shterpë brenda vetes. Lëvizja Vetvendosje me kohë para fushatës  pati ndërhyrë si një tokë e re alernative në territorin e ligjërimit dashamirë, por të prapambetur shqiptar ndër vite. Vetvendosje filloi të ndërhyjë si një mundësi e jona, e gjuhës sonë, për të Menduar, për t’u menduar, për t’u sqaruar, sepse kjo mungesë është Muri ynë kokëfortë postkomuniste postjugosllavist.

Disa prej pistave që ajo shtron pa dashje është edhe largimi total nga përralla e bukur dimërore izolacioniste e albanologjisë sonë prej tifozash gjermanë. Ndoshta një pjesë e votuesve të Vetvendosjes kanë arritur normalisht në atë gjermanofoni Tjetër që pat siguruar shqyrtimin rrënjësor të vetvetes, largimin nga foshnjërizimi mendor dhe nga mekanzimat e harresës. Ato, me anë të të cilave (identik) Shqipëria do bëhej Zvicra e Ballkanit dhe Kosova parajsa e Shqipërisë.

Në stadin e hemorragjisë informative të botës, të zbardhjes, autodenoncimit të saj, edhe shqiptarët kanë të drejtë të kenë Apokalipsin e tyre “gazmor”. Vetvendosja pati dalë nëpër brinjët e këtij apokalipsi, detyrimisht emancipues; ndoshta s’është çudi që filloi të përhapet pikërisht në këtë stad. Një Shqipëri e “madhe” si apokalips emancipues i Shqipërisë dhe Kosovës së djeshme e të sotme, ja një tezë për një artikull të ri më afatgjatë.       

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)