29 Mars 2024

Viti 2021 pa dhunë ndaj fëmijëve

Shkruar nga Ahmet Pllana

Dhuna ndaj fëmijëve në familje dhe në shkolla viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

Ndaj fëmijëve përdoret dhuna në shtëpi nga prindërit dhe në shkolla nga mësimdhënësit.

Zakonisht dhunë ushtrojnë më tepër ata që janë nervozë e nuk durojnë zhurmë dhe ata të cilët kanë pësuar trauma nga lufta e fundit.               

Ata që përdorin dhunë ndaj fëmijëve duhet të dijnë se fëmijët i kanë lojërat e tyre dhe nuk bën t’u ndalohen lojërat. Duhet ditur se fëmijët nuk janë persona të rritur dhe se ata e kanë botën e tyre.

Prindërit dhe mësimdhënësit që nuk kanë shpirt ndaj fëmijëve dhe nxënësve të tyre, harrojnë se përdorimi i dhunës ndaj fëmijëve në shoqëritë demokratike është i ndaluar me ligj.                         

Përdoruesit e dhunës ndaj fëmijëve harrojnë se fëmijët janë duke u rritur dhe se nga dhuna fizike që ushtrohet mbi ta, siç janë rrahjet me shuplaka, me grushta, me tërheqje flokësh, me shqelma, me shkop, me rrip, etj., mund të lënë pasoja fizike dhe psiqike në fëmijëri dhe gjatë jetës së tyre.

Qortimi, bërtitja, bërja me gisht, fjalët tash të tregoj unë ty, ta këpus veshin…janë dhunë psiqike dhe futja e frikës ndaj fëmijës që lë pasoja.    
                                                                                        
Fëmijët që përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre bëhen frikacakë, të tërhequr dhe jo komunikativ, bëhen me stres, bëhen emocional.

Fëmijët që janë rritur me dhunë janë më pak të dobishëm për veten, për familjen dhe për shoqërinë, se sa ata fëmijë ndaj të cilëve nuk është përdorur dhuna fizike dhe psiqike.

Kjo është vërtetuar shkencërisht nga studimet që janë bërë në këtë drejtim. Këtë e dinë më së miri psikologët, sociologët, pedagogët, mjekët, neuropsikiatrit, etj.                          

Dhuna ndaj fëmijëve në familje bëhet kryesisht nga prindërit, por ka raste të rralla edhe nga ndonjë anëtar tjetër i familjes.

Fëmijët i rrahin prindërit me shuplaka, me këpucë, me të fortët e pandofleve, me rripa pantollonash, me shkop, etj.

 Janë disa nëna që nuk kanë shpirt as mëshirë fare për fëmijët e tyre, duke i rrahur aq brutalisht, sa që nga të qarit dhe britmat e fëmijëve janë shqetësuar edhe fqinjët, të cilët i kanë njoftuar policinë për dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve.

Ka raste edhe më drastike, kur fëmijët rrahen e përjetojnë dhunë brutale nga prindërit alkoolistë dhe narkomanë.

Dhuna ndaj fëmijëve në familje bëhet prej moshës 2 vjeçare të fëmijës deri në moshën 18 vjeçare, edhe pse sipas ligjit dhuna ndaj fëmijëve është e ndaluar.

Ndërkaq, në shkolla, sidomos në shkollat fillore të mesme të ulëta, mësimdhënësit i rrahin nxënësit dhe askush nuk ndërmerr asnjë masë për ta ndaluar këtë brutalitet dhe krim ndaj fëmijëve.

Fëmijët nëpër shkolla në të shumtën e rasteve rrahen me shuplaka fytyrës, kokës, tërheqje flokësh, etj.

Mjerisht, ka raste kur fëmiu në klasën e parë që ka vetëm 6 vjet ose 7 vjet rrahet nga mësuesi, duke e trishtuar fëmijën! E mjerueshme dhe tragjike që sot të rrahen fëmijët në familje dhe në shkollë.

Nga dhuna e tepruar ka pasur raste kur fëmiu ka gjetur ‘shpëtim’, duke ikur nga shtëpia ose diçka edhe më keq.

Ka raste kur nga dhuna e tepruar fëmijët kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Fëmijët nuk duhet të rrahen, por duhet të këshillohen me fjalë, duhet të edukohen edhe me shembuj konkret, duke i bërë prindërit vet gjërat e mira. Fëmijët në asnjë mënyrë nuk duhet të rrahen. Nuk ka asnjë arsye për t’u rrahur fëmijët.

Me ta duhet të sillen mirë, si prindërit, po ashtu edhe mësimdhënësit, por edhe t’i duan, t’i ledhatojnë, t’i këshillojnë me fjalë të buta dhe jo me fjalë të egra dhe duke bërtitur, sepse kështu më shumë bëhen të dëgjueshëm dhe të dobishëm për përindër, familje e shoqëri.

Të gjitha problemet zgjidhen me këshilla dhe metoda edukative dhe humane dhe jo duke përdorur shkopin. Deri kur do të tolerohet ushtrimi i dhunës ndaj fëmijëve, qoftë në familje, qoftë në shkolla?

Organet e rendit dhe të drejtësisë duhet të ndërmarrin masa adekuate sipas ligjit për të ndaluar dhunën ndaj fëmijëve.

Nëse një mësmdhënës ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit të tij, drejtori i shkollës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit duhet të ndërmarrin masa dhe ta përajshtojnë nga puna mësuesin që ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit.

Në këtë drejtim më tepër duhet të angazhohet edhe Sindikata e Arsimit apo SBASHK-u, i cili kurrë nuk e ka ngritur zërin kundër dhunës ndaj fëmijëve nëpër shkolla.

Deri kur duhet të kuptojnë prindërit dhe mësimdhënësit se ndaj fëmijëve nuk duhet të ushtrohet dhunë? Një poet ka thënë: I zëftë loti i fëmijës ata që ushtrojnë dhunë mbi fëmijët!

Tash jemi në kohën e demokracisë, andaj ka kaluar koha e dhunës ndaj fëmijëve. T’i themi “stop” njëherë e përgjithmonë përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve në familje dhe në shkolla.

Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duhet të punojnë më shumë në drejtim të ndaljes së dhunës në shkolla, duke shkuar nëpër shkolla, duke organizuar seminare dhe tribuna për mësimdhënësit që të mësojnë se dhuna ndaj fëmijëve është e ndaluar dhe se dhuna nuk është metodë e edukimit.

Në çdo shkollë fillore të mesme të ulët dhe në shkolla të mesme do të ishte mirë që nëpër korridore të vehen pllakate të shkruara me fjalët: ‘Ndalë dhunës ndaj fëmijëve në familje!’ ‘Ndalë dhunës ndaj fëmijëve në shkolla!’ ‘Mos përdorni dhunë ndaj fëmijëve!’ ‘Mos i rrahni fëmijët se loti i tyre mallkon!’ ‘Tërë bota nuk vlen as sa një lot i fëmijës!’, etj., në mënyrë që arsimtarëve çdoherë t’u kujtohet që mos të përdorin dhunë ndaj nxënësve, të cilët janë duke u rritur.

Do të ishte mirë që shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të botonin fletushka në të cilat do të shkruhej kundër përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve.

Këto fletushka do të shpërndaheshin nëpër shkolla dhe nëpër familje që t’i lexonte secili mësimdhënës dhe secili prind.

Botimi dhe shpërndarja e fletushkës së tillë nëpër familje dhe nëpër shkolla do të kishte ndikim pozitiv në sensibilizimin e prindërve dhe mësimdhënësve që dhuna ndaj fëmijëve nuk bën të përdoret. Të shpresojmë që viti 2021 të kalojë pa dhunë ndaj fëmijëve.
    
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)