29 Mars 2024

Vetmohimi i shtetësisë

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Kthimi në Rezolutën 12 44, e zhveshë Republikën e Kosovës nga shtetësia, duke krijuar imazhin e statusit ende të padefinuar, me rrezik real për bisedime të reja politike edhe për rregullimin e brendshëm territorial, veçmas veriun. Përmes fusnotës, Kosova e dha me koncesion shtetësisë për afat të pacaktuar.

Kosova nuk hoqi dorë nga shtetësia as në vitet e okupimit klasik nga Serbia, (1990-1998). Kosova nuk hoqi dorë nga shtetësia as në kohën kur shqiptarët u ndoqën nga shtëpitë e veta, u vranë e u masakruan (19989-1999).

Vetëm shtetësia dhe sovraniteti i plotë i granton lirinë e prosperitetin qytetarëve të Kosovës, themel i vënë brez pas brezi nga heronjtë, dëshmorët dhe gjithë populli liridashës shqiptar.
 
Shteti i Kosovës mund të prezantohet vetëm si i pavarur e sovran.“Marrëveshja” Kosovë-Serbi për fusnotën (me Rezolutën 1244 të KS dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), me të cilën vendi ynë përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, është vetmohim, rrëshqitje ose rrënim i autoritetit të shtetësisë dhe sovranitetit.

Çka është edhe më absurde, në fusnotë nuk është përfshirë fare Deklarata e pavarësisë së Kosovës, e cila tërthorazi është përmenduar nga GJND-ja (institucion ky jo obligativ e pa fuqi ekzekutive). Kjo formulë nënkupton përfaqësim ndërkombëtar pa shtetësi.

Pompoziteti tepër i madh deklarativ e medial, (se kinse Kosova doli nga izolimi), ka të bëjë me mashtrimin e masave të gjera qytetare, të cilët u gënjyen edhe kur iu premtua liberalizimi i vizave, (lëvizja e lirë, zhvillimi ekonomik, ndalimi i korrupsionit e krimit të organizuar etj).

Por kjo e fundit (prekja esenciale e statusit) është mashtrimi më i madh qe ka mundur të ndodhë në dëm të Kosovës. Realisht, Kosova nuk doli nga izolimi as më fusnotë, por u fut edhe më tej në izolim me shumë paqartësi. Pjesëmarrja në disa forume a punëtori rajonale nuk është hapje e Kosovës ndaj botës. Dalje nga izolimi do të thoshte qe qytetarëve të Kosovës (me automatizëm) t’u jepej liberalizimi i vizave, të fillonte dialogu për intgrim në BE, etj.

Asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur për ne, por këto kanë shkuar në adresë të Serbisë. Edhe pas kthimit në 1244 (periudhë e para pavarësisë), qytetarët e Kosovës mbetën po ata qe ishin më parë, më të izoluarit në rajon. Thjeshtë humbën shumë dhe nuk fituam asgjë.Kur shteti udhëheqët nga njerëz jo kredibil (me dosje të rënda në qafë), situata merr dimensione të paparashikueshme për të arritur edhe tek kompromiset qe rrënojnë shtetësinë.

Heqja dorë nga shtetësia nuk do duhet të ndodhte edhe sikur Serbia ta kërcënontë më luftë të armatosur Kosovën, e jo të bëhen kompromise në tavolinë, në kohën kur pavarësinë e vendit tonë e kanë njohur 88 shtete, ndër më të fuqishmet në botë, (SHBA, Angli, Francë, Gjermani etj) dhe kur shteti ynë është anëtarësuar në BB e FMN.

Kosova nuk hoqi dorë nga shtetësia as në vitet e okupimit klasik nga Serbia, (1990-1998). Kosova nuk hoqi dorë nga shtetësia as në kohën kur shqiptarët u ndoqën nga shtëpitë e veta, u vranë e u masakruan (19989-1999). Kosova me fusnotën në bisht, hoqi dorë nga shtetësia e saj duke i hapur rrugë integrimit të Serbisë në BE (dialogu për integrimin), por jo edhe integrimin e Kosovës.

Në këtë kontekst kuptojmë se bisedimet me Serbinë nuk kishin të bëjnë me rehabilitimin e interesave bilaterale, por me plotësimin e interesave të Beogradit, duke bërë “kurban”, Kosovën. Kosova po e dërgon Serbinë në BE, ndërsa vet u kthye nën protektoratin e 1244 -të shpallur dhjetëra herë të vdekur. Çka është edhe më absurde, -delegacioni kosovar i legjitimoi kushtetutën hegjemoniste serbe, e cila mban si pjesë të saj Republikën e Kosovës.

Ndërsa me 1244 e trajton si zonë nën protektorat ndërkombëtar. Ky është kuptimi, se përse Serbia, gjithmonë bënte thirrje për mbajtjen në jetë të 1244, edhe pse, as ky dokument i lartë juridik nuk u zbatua kurrë në pjesën veriore të Mitrovicës. Pra, sipas kësaj veriu i Kosovës quhet Serbi, ndërsa pjesët qendrore protektorat!!!
 
Kosova hyri në izolim edhe më të madh
 
Qeveria jonë është dashur të ketë parasysh, se forcimi i Serbisë në instanca ndërkombëtare do ta izolojë edhe më tepër Kosovën. Nëse Serbia nuk hoqi dorë nga Kosova (kushtetuta hegjemoniste as në momentet kyçe të rrugës së integrimit evropian të saj), si mendojnë “patriotët”, tanë se një gjë të tillë do të ndodh pasiqe Serbia të bëhet anëtare e BE.

Serbia në BE, do ta gozhdojë edhe mos më keq shtetin e Kosovës. Pra, me “vetëdijë” qeveritarët tanë e gozhduan perspektivën zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Nuk e kam te qartë nëse ekziston ndonjë strategji për rrugën integruese të Kosovës drejt BE-së. Nismat rajonale të Kosovës pa kredibilitetin e shtetësisë nuk mund të quhet perspektivë e re e jona, ose dalje nga getoja.

Referencë e vetme reale në përfaqësim ndërkombëtar të Republikës së Kosovës është shtetësia dhe sovraniteti.Çdo manovrim ndryshe është i parealizueshëm, i dëmshëm, por edhe i rrezikshëm. Se Kosova nuk nënshkroi marrëveshje me “fluska bore”, tregon vet negociatori serb, Stefanoviq, i cili edhe më zëshëm kërcënon Kosovën, se fusnota nuk është as e përkohshme e as kalimtare.

“Mashtrohen të gjithë ata qe mendojnë se fusnota do të shkrihet me dimërin. Fusnota nuk do të hiqet kurrë nga emri i Kosovës. Me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por Rezolutës 1244”. Ndërkaq,ministri serb, Jeremiç, kërcënon Kosovën duke thënë se sa të ekzistojë Serbia, Kosova nuk do të njihet shtet i pavarur.

“Përderisa ekziston shteti i Serbisë, Kosova kurrë nuk do të ekzistojë shtet i pavarur. Serbia tash është më afër statusit të kandidatit për BE, ndërsa kushtet janë realizuar në bazë të interesave tona, sipas Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244”. Serbia është dëbuar ushtarakisht nga Kosova, por duket se bishti i së keqes ende mbetet i zgjatur.
 
Kthimi prapa në kohë
 
Përpos referencave të përmendura më lart, Rezoluta 1244, degradon pozitën ndërkombëtare të Kosovës (përfaqësim i pabarabartë). Kjo paraqet edhe kthim prapa në kohë, si dhe stganim në konsolidimin e brendshëm të shtetësisë (veriu i pakontrolluaar). Por, kryeministri Hashim Thaçi, nuk brengoset shumë për gozhdimin e Kosovës pas fusnotës, duke e vlerësuar marrëveshjen rreth fusnotës si jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin.

 “Republika e Kosovës do të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale si vend sorvan e i pavarur, me emrin e vet kushtetues. Marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja për Planin Ahtisari i solli pavarësinë, marrëveshja e për fusnotën i sjell Kosovës integrimet evropiane”.

Kjo i bie sikur ta ndërtosh një shtëpi nga themeli, e më pas t’ia shembësh çatinë. Sovraniteti është ombrellë e Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Unë spo kuptoj se përsë ramë në këtë deregje, ku për vete kënaqemi me shtetësinë, ndërsa në prezantimet ndërkombëtare shkojmë me 1244 (pas sovranitet dhe pa simbole shtetërore). Njoftimeve pompoze të qeveritarëve tanë se me 1244, Kosova i “hapi” rrugë integrimeve, është hedhur poshtë menjëherë në Bruksel, duke vlerësuar se BE-ja, në asnjë mënyrë nuk i ka garantuar Kosovës marrëveshjen e stabilizim- asocimit.

“Mmarrëveshja e Stabilizim Asocimit mund të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova të përmbushë kriteret e kërkuara nga BE”, vlerësojnë ne Bruksel. Edhe fraza tjetër e kryeqeveritarit tonë z.Hashim Thaqi, se “marrëveshja e arritur në Bruksel ka larguar përfundimisht UNMIK-un nga tavolina e përfaqësimit me Kosovën”, nuk del llogari e saktë.

Se Kosova nuk e hoqi qafe UNMIK-un në përfaqësim ndërkombëtar e hedh poshtë vet bashkëpartiaku i kryeministrit tonë, ministri i jashtëm z. Enver Hoxhaj, duke thënë se UNMIK-u do të prezëntojë edhe mëtej në OKB. “Kosova në OKB do të vazhdojë të prezantohet edhe me UNMIK-un, por strategjia e Republikës së Kosovës do të ndryshojë kur të arrihen 100 njohje”. Kjo, sigurisht se do të ndoshë një ditë!
 
Kushtëzime të pakuptimta
 
Kushtëzimi i Brukselit për kompromisin e Kosovës (cenimi i shtetësisë), për “rehabilitim” raportesh me Serbinë, duket tejet i paarsyeshëm dhe i pakuptimtë. Prekja e çështjes së statusit është tepër shqetësusese, sepse kjo në esencë cenon gjenezën e shtetësisë e të sovranitetit. Edhe ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, me të drejtë tregon shqetësimin e tij për faktin se dialogu Prishtinë-Beograd, për çështje teknike, është kthyer në rifillim të bisedimeve për statusin.

“Statusi i Kosovës është përmbyllur me pavarësinë e këtij vendi. Nuk e kuptoj se pse duhet Kosova ta bëjë këtë kompromis. 22 vende të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe 88 vende në gjithë botën. Duket se vetëm 5 vendet e BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, po përcaktojnë të ardhmën e Kosovës. Kjo është shqetësuese”.

Duket mjaft i pakuptimtë “komoditeti” i institucionalistëve tanë kur thonë se 1244, jo vetëm qe nuk është shqetësues, por prosperues dhe fleksibil për Republikën e Kosovës. Ata qe mendojnë kështu mund të vetmashtrohen, por jo edhe të hedhin hi në sytë e popullit më të vuajtur nga padrejtësitë shekullore nga të tjerët. Përse luftuam e derdhëm gjak shekuj, dekada e vite.

Thjeshtë për të qenë i lirë dhe i pavarur, në tokën, shtetin dhe atdheun tonë. Askush nuk e ka kompetencë të rezervuar që të na mohojë këtë të drejtë legjitime të fituar me sakrificë dhe çmim shumë të lartë.
 
(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)