19 Qershor 2021

Vdekje të mistershme

Shkruar Gani Qarri

(Pse dhe si u mbyt Ibrahim Sylejmani)

Historia juaj po bie, tragjedi e jetuar, por e heshtur e vrasjes së shqiptarëve, tanimë nuk vret vetëm ata por të gjithë bashkëkombësit tanë kudo. Ndaj politika e cila detyron kombin të hesht e disa edhe të ju duartrokasin juve,me apo pa vetëdije,po bie dhe vdes ngadalë por sigurt.
 
Luftëtari i njohur i UÇK-s, Ibrahim Sylejmani, sipas njoftimeve nga mediat, të mërkurën u gjet i vdekur në burgun e Shtipit,duke lënë kështu vetëm Fitimin-djalin e tij 8-9 vjeqar,trashëgimtar të vetin në shtëpi. Arsyet e vdekjes së tij, si edhe të vdekjeve tjera më parë, mbeten të mistershme për publikun, kurse shkaqet që e quan në shuarjen e jetës së tij, të panjohura për opinionin shqiptar i cili vuan  gjatë  dhe për shumë kohë nga vdekje të tilla.

Ndaj  tek popujt tjerë,rastet si këto,kanë ditur të kthehen edhe në vërshime të papritura, rrjedhat e frikshme të të cilave jo rrallë kanë ditë të marrin edhe të zotin e papërgjegjshëm me vete.

Shuarja e luftëtarit të lirisë, Ibrahim Sylejmani në burgun e rëndë të Shtipit në IRJM, ka prek thellë zemrat e shumë bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe pjesëtarëve të kombit,zemrat e ngushtuara të të cilëve, nuk janë në gjendje më që të kapërdijnë vdekje të tilla. Këto si enigmatike dhe të pashpjegueshme që janë,shkaktoj shumë hidhërim e pezëm tek të gjithë, ndaj është në interesin tuaj dhe të bashkëkombësve, që të merrni vendime më të qarta, karshi torturave dhe gjenocidit i cili edhe sot ushtrohen ndaj shqiptarëve .

Ju duhet ta keni parasysh se çka po ndodh me këtë popull të burgosurit e tij dhe ish luftëtarët e UÇK-s,të cilët dhanë çdo gjë për lirin dhe vendin e vet si dhe ju sollën edhe juve në pozitat që mbani.

Ndaj në vend të heshtjes ju duhet të reagoni, duhet ta dini se ku jeni duke jetuar dhe si ka mundësi që edhe më shumë se 20 vite pas rënies së komunizmit shqiptarët të vriten e mbyten me tortura,në shtëpi, rrugë ,burgje dhe kudo gjenden në vendin e tyre ?!....

Për vite e dekada me radhë,ne jemi dëshmitar të vdekjeve të tilla misterioze,ndaj të lodhur nga përsëritjet e tyre,shohim me shqetësim më të madh se kurrë më parë, keqtrajtimet, persekutimet, e vrasjet dhe të gjitha llojet e padrejtësive që ushtrohen pareshtur ndaj bashkëkombësve tanë në Iliridë.

Mjerisht me gjithë ndërrimet e sistemeve politike që vijnë dhe shkojnë,represioni dhe torturat ndaj bashkëkombësve tanë mbetën dhe nuk ndryshuan kurrë,madje ato as nuk patën të ndalur ndonjëherë ndaj tyre. Deri kur kështu?!....

Ata nuk mund të jetojnë edhe më tej vetëm me shpresën, se një ditë \"vetvetiu\" do të bëhet mirë për ta dhe ndryshoj diçka edhe në jetën e tyre të rënd, derisa përveç vrasjes dhe mbytjes së shqiptarëve më të devotshëm edhe familjet e tyre torturohen rëndë për vite me radhë.

Ndaj është koha e fundit që të ngritni zërin dhe ndërmerrni diçka, para se të ndizen flakë të reja, dhe shpërthejnë vullkanet e stërmbushura nga padrejtësitë e grumbulluara ndër vite e dekada, gjithandej ku ka shqiptar. Përndryshe duhet që menjëherë dhe pa humbur kohë, të ndalen përgjithmonë së rrituri plagët e pjesëtarëve të pambrojtur të kombit tonë në Iliridë. 

Qëndrimi përherë i heshtur dhe injorues i partive politike, veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptar edhe para rasteve të tilla, konsiderohet si veprim i gabuar, ndaj tanimë ka ardhur momenti që edhe ata një herë e mirë ta kuptojnë dhe binden më në fund se në punën dhe aktivitetet e tyre deri tani të pa efekt, diçka nuk është në rregull dhe çalon,në mënyrë që ato medoemos të ndryshohen dhe përshtaten gjendjes së atjeshme për mbrojtjen e jetës dhe të drejtat e popullit shqiptar,sa më parë që të jetë e mundur.  

Askush nuk e di saktësisht se sa do të zgjasë kjo zezonë e pafund mbi shqiptarët e cila ka kapluar bashkëkombësit tanë në trojet e tyre etnike në Iliridë! çfarë të këqija bëjnë ata,që i dallon nga të tjerët, për tu trajtuar në këtë mënyrë tejet çnjerëzore dhe kaq mizorisht?!

A ka pyetur deri më tani partia e Ali Ahmetit dhe partitë tjera të bashkëkombësve tanë atje, cilado forcë politike, intelektuale apo shoqërore nga e gjithë harta e gjeografisë tonë kombëtare,kudo qoftë se ku qëndron shkaku i keqtrajtimeve të tilla të shqiptarëve në Iliridë, keqtrajtime dhe padrejtësi të rënda me të cilat tanimë sikur janë mësuar të gjithë, bile edhe pajtuar në njëfarë mënyre, të cilat injorohen sa herë është e mundur dhe se qan kokën askush për sa ndodh atje.

Mbytja në burg e luftëtarit të UÇK- Ibrahim Sylejmani, na bënë me dije se është koha e fundit si për Ali Ahmetin e bashkëpartiakët e tij edhe për partitë tjera shqiptare, që bashkërisht t\'i thonë një herë e përgjithmonë, jo politikës e cila vret, ndal vrasjes, krimit dhe torturave ndaj shqiptarëve, t\'i tregojë opinionit të vendit dhe atij evropian e botërorë se ato janë aty për ti mbrojtur bashkëkombësit dhe të drejtat e tyre, të cilat me gjithë premtimet e shumta,nuk u realizuan pothuajse asnjëra tërësisht dhe asnjëherë në praktik, gjatë gjithë këtyre viteve.

Ky moment delikat,kërkon nga partitë politike shqiptare në Iliridë që të dëshmojnë se nuk janë komplet të nënshtruara ndaj Gruevskit dhe të frikësuara pa shërueshëm nga klani i tij. Ato duhet ndryshuar politikën e tyre të deritanishme e cila nuk dha ndonjë efekt të theksuar për të penguar rritjen dhe shtimin e plagëve të shqiptarëve në Iliridë, të cilat po bëhen gjithnjë e më të padurueshme,çdo ditë e më tepër.

Nëse për gjithë këto vit të bashkudhëheqjes me Gruevskin nuk keni arritur ta realizoni trajtimin e barabartë apo të paktën më njerëzor të shqiptarëve nga qeveria sllavo-maqedone, atëherë çfarë arsye keni të rrini aty, lëreni bashkëqeverisjen sepse nënshtrimi ndaj politikës së Gruevskit, dhe ikja nga realizimi i të drejtave themelore të shqiptarëve, do ta dërgoj në vdekje politikën tuaj, kurse premtimet boshe në arkivën e mashtrimeve të cilat tek politikanët shqiptar nuk kanë munguar asnjëherë, por ju me heshtjen edhe para vrasjeve si kjo e fundit (qoftë e fundit) sikur ua keni kaluar të tjerëve.

Jo vetëm Ali Ahmeti me bashkëpunëtor, por edhe të gjitha partitë politike shqiptare në Iliridë, e kanë borxh të pa larë dhe detyrë të pakryer ndaljen e krimit ndaj bashkëkombësve të tyre në trojet e veta stërgjyshore,gjë që për fat të keq deri më tani nuk ka ndodhur,megjithëse duke u bërë shumë premtime dhe realizime të pjesshme për të mos thënë kurrfarë,ata u kanë hyrë atyre shumë në hak, dhe mbetur borxh përjetshëm shqiptarëve atje.

Tortura, vrasjet dhe krimi ndaj civilëve dhe të burgosurve shqiptar që sa kohë zhvillohet i pa penguar dhe i pa dënuar nga askush,ndaj ai edhe sikur ka marr fuqi dhe nuk di të ndalur as sot e kësaj dite, gjë që nuk ndodhë ndaj popujve tjerë, në asnjë vend në Ballkan dhe Evropë.

Këtë e vërteton edhe një herë më tepër, vdekja e ish të burgosurit politik dhe luftëtarit të UÇK-s, Ibrahim Sylejmani, si viktima e radhës nga ushtarët e dënuar shqiptarë me burg të rëndë në qelitë e burgjeve të IRJM-s, në Shtip.

Pjesëmarrja në luftën e UÇK-s dhe qëndrimet kombëtare të Ibrahim Sylejmanit, e rrisin misterin e vdekjes së tij i cili sa vjen e shtohet,ngase përveç sqarimeve të munguara, mbi rrethanat e vdekjes së tij edhe të burgosurve tjerë të kësaj kategorie, kur ka ndodhë, nuk është ditur as thënë saktësisht sa e si duhet mënyra dhe shkaku i vërtetë i vdekjes së tyre.

Në cilën do pjesë të trojeve të pushtuara shqiptare,shuarjen e luftëtarëve, pushtuesit e deklarojnë sipas dëshirës së tyre dhe jo sipas argumenteve të cilat  për opinionin gjithmonë mbeten të panjohura , duke i shpallur këto si vdekje të natyrshme, me gjithë dyshimet që nuk janë shuar kurrë,dhe moszbardhjen e tyre-plotësisht asnjë herë.
 
Habitë fakti se edhe përkundër përfaqësimit të bashkëkombësve tanë nga \"funksionar\" shqiptarë në institucionet e IRJM-s, si ka mundësi që bijtë e këtij populli dhe dje ushtarët e bashkëluftëtarët e këtyre funksionarëve të cilët sot \"bashkëqeverisin\" me sllavo-maqedonët, të vazhdojnë të vriten pa gjurmë dhe zhdukën nga jeta me enigma të pa sqaruara kurrë.

Që kur mbahet mend nga ne, IRJM, në të gjitha kohët ka mbajt qëndrime tejet të ashpra ndaj shqiptarëve, jeta e të cilëve- atje nuk është vlerësuar asnjë herë si duhet, duke tejkaluar të gjithë kufijtë e mundshëm të keqtrajtimit ndaj tyre,deri te përzierja në rregullimet e brendshme të jetës në familjet shqiptare, duke i vrarë dhe keqtrajtuar ata edhe në shtëpitë e veta. 

Ndaj me të drejt lind pyetja se nga kush në realitet duhet të presin shqiptarët sqarime dhe të kërkojnë përgjegjësi për shkaqet e vdekjes së të burgosurve si Ibrahim Sylejmani i cili nuk është i pari as vetmi që vdes në këtë mënyrë dhe përcillet pothuajse në heshtje të plotë, si shumë luftëtar të tjerë më parë,për të asgjësuar gjurmët e krimit të organizuar dhe parapërgatitur qëllimshëm ndaj shqiptarëve...

Ali Ahmeti edhe në këtë gjendje,në vend se të ndërmarr diçka për sqarimin e kësaj tragjedie të radhës dhe parandalimin e ndonjë tjetre edhe më të rëndë, ai bënë thirrje për qetësi, harmoni e çka jo tjetër midis komuniteteve, parulla këto ( demagogjike)që çdo popull do ti kishte lakmi po të ishin realitet, dhe të mos ndodhnin vdekje të tilla të mistershme në vendin ku ata jetojnë, siç ndodh që sa kohë me shqiptarët.

Madje për të qenë çudia edhe më e madhe, lideri i BDI-së, në vend se ti bie gomarit, i bie samarit\" i cili derisa nuk kritikon vrasjet e shqiptarëve por hesht ato sikur të mos kishin ndodhur fare, ai pa të drejtë i kundërvihet LSDM-s, vetëm pse ajo guxon të kritikoj qeverinë,bile e quan politikën e saj të frikshme, duke harruar mbytjen mizore të Ibrahim Sylejmanit në burgun e Shtipit,për çka deputeti i LSDM-s,Petrovi,u detyrua që ta zgjonte Aliu-n nga kllapia, duke e orientuar me \"gisht\",për të gjitha sa ndodhin në IRJM, për tu drejtuar, tek shefi i tij,Gruevskit i cili siç udhëheq me te udhëheq edhe me IRJM, e jo LSDM, në opozitë.

Fatkeqësia është aq më e madhe derisa të gjitha këto ndodhin mu në kohën kur nga shqiptarët e përlotur mbytja e Ibrahim Sylejmanit ende vajtohet. Ai ishte burgosur para 10-të vjetësh dhe dënuar me 15 vite,i cili kohët e fundit për mëse  4-ter vite e gjysmë , vuante në burgun e Shtipit,i cili pas shumë vitesh qëndrimi në burgim të rënd, kot pritej të lirohej.

I lindur dhe rritur në fshatin Drenovec të Tetovës,mori pjesë dhe u dallua në luftimet e zhvilluara të UÇK-s, për tu burgosur menjëherë pas saj,për shumë vite të gjata dhe keqtrajtuar në mënyrën më mizore deri në mbytjen e tij misterioze dhe shuarjen në këtë mënyrë të luftëtarit të lirisë e cila, jo vetëm se ka shkaktuar pezëm dhe shumë hidhërim tek të gjithë shqiptarët,por misteri i vdekjes së tij,gjatë dhe për shumë kohë do ta torturoj gjithë opinionin tonë kombëtar.

Atij vetëm para rreth dy muajsh i kishte vdekur edhe i`ati, i cili që nga burgosja e Ibrahim Sylejmanit, nuk kishte pushuar së kërkuari mbrojtjen dhe lirimin e të birit, për të vdekur edhe ai vet vetëm pak kohë më par nga dëshpërimi i madh që e kishte kapluar, pas vendimit për mos lirimin e Sulejmanit nga burgu, me arsyetimin se gjoja mbi këtë luftëtar të denjë kombëtar, rëndonin edhe vepra të tjera penale.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha padrejtësitë që për vite e dekada përjetojnë shqiptarët nën IRJM, edhe deputetët e tyre (qofshin deputet),në vend se të bashkojnë forcat dhe t`u kundërvihen vrasjeve, keqtrajtimeve dhe reprezaljeve të pareshtura ndaj bashkëkombësve të të tyre cilët pa asnjë mëshirë, rrihen në rrugë, autobus,e shkolla, torturohen shkas e pa shkas, pleq e të rinj, gra e fëmijë të të gjitha moshave gjatë operacioneve policore,në shtëpitë e veta,edhe kur bashkëkombësit vriten në fshatra e qytete dhe mbyten nëpër burgjet e IRJM-s, ata përkundër të gjitha këtyre,desh e hëngrën njëri tjetrin, duke i shkrirë në gaz edhe parlamentarët sllavo maqedonas, dhe gjithë opinionin publik,që pati rastin ti shihte përmes ekraneve televizive, me kërkesat të ndërsjella kalamajsh të parritur, për dalje jashtë dhe qërimin \"fer\" të hesapeve, ndërmjet vetiiiii....

Ndaj derisa kombet tjera i kanë të zgjidhura këto dhe shumë probleme tjera të cilat neve edhe sot e kësaj dite na mundojnë,fatkeqësisht ende nuk dihet se kush duhet të flas në emër të shqiptarëve, dhe cili faktor duhet t’i mbrojë bashkëkombësit e mbetur nën pushtetin diskriminues sllavo-maqedon, derisa përfaqësuesit e tyre, zihen duke e quajtur njëri tjetrin bandit dhe duan të mbyten ndërmjet vete, kurse problemet që kërkojnë zgjidhje dhe e mundojnë këtë popull të pa mbrojtur, heshten nga ta, në mënyrë të pafalshme.

Mjerisht as sot shqiptarët,ende nuk janë në gjendje ti dalin zot vetvetes,madje as në rastet si ky i fundit,i cili fatkeqësisht vetëm numëron të vrarët dhe të mbyturit politik në mënyra nga më enigmatiket,me mungesë sqarimesh të duhura,në heshtje të trishtueshme dhe pa asnjë shenjë nderimi për ta, që të paktën nëpër kohë do të kujtonin jetën e këputur në mes të bashkëkombësve nën pushtetet e huaja.

Përvoja e hidhur na tregon se jo vetëm qeveritë e mëparme dikur, por edhe qeveria e tanishme e Gruevskit dhe pushteti sllavo-maqedon, kanë tejkaluar të gjitha normat antinjerëzore të represionit dhe diskriminimit mbi shqiptarët, ndaj është mëse e vështirë të besohet se vetëm ngritja e zërit të tyre, sado i fort dhe i fuqishëm që mund të ishte ai, pa mbrojtje të vërtetë dhe të organizuar gjithëkombëtare për mbrojtjen e familjes dhe jetës së shenjt të shqiptarëve, do të mjaftonte për riparimin e çdo gjëje të prishur në \"bashkë(nën)jetesën\" e bashkëkombësve tanë dhe nën kaq shumë trysni e diskriminim të paparë.

Dihet nga të gjithë botërisht,dhe jo vetëm nga pjesëtarët e popullit tonë se Ibrahim Sylejmani i ndjerë nuk ishte i vetmi i burgosur shqiptar në IRJM, madje nga bashkëkombësit tanë në Iliridë ka mbi 200 të burgosur politik të cilët as pas Marrëveshjes së vitit 2001 të Ohrit dhe ligjit të arritur për amnisti, nuk u liruan edhe pse sipas saj që të gjithë duhej të amnistoheshin.

Për fat të keq, një gjë e tillë jo vetëm që nuk ka ndodhur deri më tani,por si të burgosurit edhe familjarët, nuk e dinë më se nga kush duhet të kërkohet lirimi i tyre,derisa shqiptarët bashkqeverisin por nuk duan ti përfaqësojnë si duhet interesat e bashkëkombësve të mbetur në mëshirën e fatit të cilët jo vetëm se nuk trajtohen në mënyrë të barabartë,por atyre u ndalohet çdo liri njerëzore dhe e drejt kombëtare, e kjo ndodh edhe sot në IRJM, me shqiptarët.

Për fund, partitë shqiptare një gjë duhet ta dinë se historia e heshtjes po bie, tragjeditë e jetuara, por të heshtura të vrasjes së shqiptarëve, tanimë nuk vrasin vetëm ata por të gjithë bashkëkombësit tanë kudo.Politika e cila detyron kombin të hesht e disa me apo pa vetëdije edhe ti duartrokasin asaj ,po bie dhe vdes ngadalë- por sigurt. Ndaj, le të rroj përgjithmonë, jeta dhe vepra e heronjve të kombit tonë.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2021 - Pishina e Gërmisë hap dyert për sezonin veror 2021. (Gërmia, Prishtinë, ora 10:00)    

- Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD promovojnë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”. (Biblioteka Kombëtare, ora 11:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës në të cilen do të shqyrtojë dhe miratojë rekomandimit për caktimin lartësisë së Shpenzimeve të Fushatës për zgjedhjet lokale 2021. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10 vjetorin e vdekjes. (Varri i Nekibe Kelmendi, ora 12:00)

- Komuna e Mitrovicës do të bejë përurimin e rrugës së asfaltuar në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgores. (Fshati Kovaqicë, ora 14:00)