19 Prill 2024

Urbanistika e Tiranës dhe Prishtinës

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli


Isha në një vizitë të shkurtër në Tiranë dhe në pjesën e bregdetit Shqiptar në Durrës,Shkëmbin e Kavajas,Golem dhe Malin e Robit. Fillimisht nuk do të kritikoi për atë se çka ka ngjarë me ndërtimet e çoroditura të pa shpjegueshme, në 20 vitet e fundit në atë “parajsë” që na ka fal natyra.

Ajo çka ma së shumti më çuditi dhe më bëri përshtypje dëshpëruese ishte ngjashmëria me atë se çka është duke ndodhur në Prishtinën e pas luftës në fushën e urbanizmit,pas njëmbëdhjetë vite çlirim nga ideologjia komuniste serbo-sllave.

Si duket këtu është gjeneza e qasjes primitive të zgjidhjes së problemeve të shumta hapësinore dhe urbane të cilat shqiptarët as që kanë dëshirë dhe vullnet për ti zgjidhur,ashtu si veprojnë të gjitha popujt tjera në botë.  

Komunikacioni rrugor i asaj pjese të bregdetit Shqiptar ishte i njëjtë me atë që së fundit është ndërtuar në rrugët magjistrale të Prishtinës në drejtim të Shkupit dhe Fushë Kosovës. Kjo ngjashmëri është brengosëse për të dy shtetet,se si janë duke funksionuar këto zona jemi dëshmitar okular vetë.

Komunikacioni është problemi kryesor edhe se janë investuar para të mëdha pa bërë analiza detale në të dy shtetet. Ndërtimet e reja në atë pjesë të bregdetit Shqiptar dhe në kryeqytetin Tirana kanë ngjashmëri të madhe me atë se çka është duke ngjarë në Prishtinë dhe në qytetet tjera në tërë Kosovën,nuk e kamë të qartë se cilat kritere janë përdorur kur janë lejuar këto ndërtime.

Në vend që ne të marrim e shfrytëzojmë eksperiencat pozitive të shoqërive perëndimore,por të motivuar nga interesat e ngushta personale dhe klanore as që na kanë interesuar nevojat e përbashkëta për një jetë normale urbane. Jam optimist i pa përmirësueshëm se kjo dikur domosdo do të arrihet,duke i respektuar disa norma dhe standarde urbane (ligje),të domosdoshme për funksionimin e një shoqërie,pa probleme elementare të një jete urbane,e sot kjo dukuri është prezentë në të dyja kryeqytetet.

Është ndërtuar me leje e pa leje në vitet e fundit në te dy kryeqytetet,që një mendje e shëndoshë e ka vështirë ti kuptoi,se si është e mundur që një popull i vjetër me tradita shekullore,dal-ngadalë po e shkatërron vetveten dhe jetën e gjeneratave të ardhshme që do të jetojnë në këto hapësira. A ka studiuar,   analizuar,dikush se cilat pasoja afatgjate do të lindin me ketë mënyrë të pa kontrolluar të ndërtimeve.

Kualiteti i jetës urbane në terë hapësirën shqiptare është shumë i varfër posaçërisht në qytetet kryesore. Prapë më duhet të citoi një deklaratë të një ekspert holandez (Vrijthrop) i cili ishte në vizitë pune në Prishtinë se “kjo mënyrë e ndërtimeve në të njëjtën kohë shkatërron edhe trashëgimin e qytetit,e cila rrënjësisht ndikon në identitetin e qytetit pasi gjeneratat e reja as që do të dinë se nga i kanë rrënjët nga kanë ardhur”.

Ketë ai e deklaroi kur ishte fjala për lejimin dhe trajtimin e ndërtimeve pa leje në kryeqytet dhe pasojat me të cilat do të përballen gjeneratat e ardhshme në dy treqind vitet e ardhshme.

Një moderator gjatë prezantimit të një Plani Rregullues Urban në korrik 2010 në Prishtinë (qyteza Pejton),na pati dëftuar se janë përdorur normat dhe standardet urbane të Shqipërisë,pata reaguar pasi në Kosovë kanë ekzistuar këto kritere para pesëdhjetë vite,se është ligjërisht obliguese zbatimi i atyre normave dhe standardeve urbanistike,pasi ato ishin formuluar në frymën ma progresive të shoqërive perëndimore që edhe sot aplikohen atje.

Normat urbanistike të cilat janë aplikuar dhe po aplikohen në Shqipëri,si duket janë të bazuar vetëm në profite të dyshimta dhe shumë pak kanë lidhje me planifikimin strategjik urban që sot aplikohet në botë. Këto veprime po i lejon dikush në Tiranë dhe në Prishtinë,kjo mënyrë e të menduarit dhe vepruarit hapësinor dhe urban do të ketë pasoja të pa riparueshme për tërë shoqërinë.

Ndërtohet në të gjitha anët,caktohen disa kritere për dhënien e lejeve ndërtimore që nuk ke shans t’i identifikon as në shtetet e regjionit e mos të flasim për shtetet me demokraci urbane të avancuara.

Shtrohet pyetja laike përse veprojnë kështu organet vendimmarrëse në te dyja kryeqytetet,a thua vetëm përfitimet materiale janë idealet e tyre,si aspak nuk kanë guxim qytetar që së pari të mësojnë nga eksperiencat e vendeve tjera e pastaj ato t’i zbatojnë në vendet e tyre. Nuk është mëkat i madh të kopjohen rastet e suksesshme në botë në fushën e urbanistikës. 

    Tirana dhe Prishtina në aspektin urbanistik kanë dallime të mëdha funksionale. Në Tiranë duke iu falënderuar arkitektëve dhe urbanistëve Italian të cilët vepruan në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar,kemi një strukturë urbane të qëndrueshme në pjesën qendrore të Tiranës të cilën do ta kishin për lakmi shumë kryeqytete në Evropës.

Në Tiranë dhe në tërësi në Shqipëri ka diskutime,pajtime,mospajtime,polemika të ndryshme me profesionist neutral si dhe ata të spektrit politik të gjerë,ku analizohen në të gjitha aspektet planet e ndryshme rregulluese,si dhe intervenimet në hapësirë.

Ende i kamë në kujtesë polemikat e zjarrta dhe mjaft të ashpra për ndërhyrjet urbane në sheshin “Skenderbej” apo për restaurimin e pazarit të Korçës,të bëra në shtypin dhe mediat elektronike në Shqipëri. Me siguri këto polemika dhe mospajtime profesionale vetëm do të avancojnë dhe begatojnë problematikën urbane aq shumë të margjinalizuar në vitet e demokracisë së brishtë shqiptare.


Në Prishtinë diçka e tillë nuk ekziston,vetëm për të kënaqur anën ligjore janë organizuar disa debate publike shterpe,ku kërkesat e qytetarëve dhe profesionistëve të pakët që marrin pjesë në këto debate,fare nuk janë marr në konsideratë nga vendimmarrësit komunal. Një trend i tillë është duke vazhduar ende dhe vështirë se do të ndalët pasi nuk ka kundërshtime të mëdha,pos ndonjë rasti i individual,askush nuk brengoset për këtë.

Është brengosëse qasja e tillë pas luftës,pasi në pesëdhjetë vitet e fundit kishte filluar të krijohej një rend dhe rregull në sferën e ndërtimit dhe urbanizmit,i cili çuditërisht u shkatërrua,si duket së pari për interesa të grupeve të ndryshme e në kurriz të qytetarëve.

Ka disa tendenca për të sfiduar institucionet ndërkombëtar nga ana ynë por jam i bindur se ato do të dështojnë. Vetëm respektimi i principeve, normave dhe standardeve bashkëkohore në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit do ta qoj ketë shoqëri drejt integrimeve në institucionet ndërkombëtare.

Prishtina është në situatë kaotike në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit të cilin duhet domosdo disiplinuar. Tirana e ka edhe ma lehtë,as që ka nevoje për këso këshilla këshillëdhënëse të ekspertëve shqiptar dhe ndërkombëtare !.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)