28 Mars 2024

Urbanistika dhe kërkesat për xhamin qendrore në Prishtinë

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli

Që një kohë të gjatë ka kërkesa reale që të ndërtohet një tempull fetar i
komunitetit mysliman në Prishtinë. Këto kërkesa janë të arsyeshme dhe përkojnë me ndryshimet e arsyeshme politike,ekonomike dhe sociale në këto hapësira.

Kjo çështje nuk duhet të jetë e diskutueshme,askush nuk ka të drejtë të iu kundërvihet këtyre ndryshimeve në tërë botën progresive ku konfesionet e ndryshme fetare duhet siguruar hapësira adekuate për zhvillimin e aktiviteteve të tyre fetare. Ngjarjet e këtyre ditëve ku me bllokime të rrugëve,intervenime detyruese të policisë së kryeqyteti,vetëm
tregojnë një konfuzion të kësaj shoqërie e cila as dymbëdhjetë (12) vite pas “çlirimit” nuk është në gjendje,e si duket as që ka vullnet të zgjedh këto nevoja elementare dhe reale fetare dhe urbane.

Atë që e kemi kërkuar me vite të tëra,përpilimin e dokumenteve Hapësinore dhe Urbane në Kosovë,komuna e Prishtinës deri me sot nuk e ka parë të arsyeshme t’i përpiloi. Me disa Plane Rregulluese të kushtëzuara me interesa të grupeve të ndryshme,vetëm po manipulon me qytetarët e sajë. Është jashtë çdo aftësie profesionale të caktohen lokacione e objekteve të rëndësishme,edhe për shtetin e
Kosovës,si janë lokacionet e ambasadave,përfaqësive diplomatike dhe
tregtare,institucioneve të rëndësishme shtetërore. Kemi rastet si është Pallati Presidencial apo objektet e rëndësishme të Qeveris së shtetit,apo rasti konkret i këtyre ditëve me fillimin solemn të punimeve në Pallatin e Drejtësisë. Shumica e këtyre rasteve nuk është e bazuar dhe nuk ka argumente të mirëfillta urbane.

Duhet pasur të qartë vendimmarrësit e Prishtinës së jeta urbane duhet
të “mbrohet” me përpilimin realist të Planit rregullues urban (PRrU) si produkt i Planit Hapësinor Komunal,ku shumë qartë pas studimeve dhe hulumtimeve të thukëta do të definohen zonat se ku do të vendosën të gjitha tërësitë primare për funksionimin e një kryeqyteti. Rasti i kërkesave për caktimin e një lokacioni për ndërtimin e xhamisë do të ishte shumë lehtë i zgjidhur po të kishim të definuar të gjitha çështjet urbane në
kryeqytet. A është vepruar kështu në vitet e fundit në Prishtinë?, por për fat të keq të gjithë neve që jemi të detyruar të jetojmë dhe përjetojmë jetën urbane të shekullit “nëntëmbëdhjetë” në kryeqytet kjo nuk ka ngjarë,është kjo vetëm një sfidë e re në “kasabën” e Prishtinës. Kjo iu jep mundësi të gjithëve të japin propozime të kufizuara pa argumente profesionale për vendin (lokacionin) e ndërtimit të xhamisë,të ndikuara me interesa të ngushta klanore,fetare etj,çka është e pa tolerueshme dhe jo serioze.

Gjatë historisë shumë shekullore të Shqiptarëve në Kosovë,interesi i
përbashkët,toleranca ndërfetare ka qenë shembull i bashkëpunimit të cilin duhet respektuar edhe gjeneratat sot dhe në të ardhshmen. Kemi pasur raste kur është sakrifikuar interesi i ngushtë fetar për interesin e mirëqenës së qytetit të tyre, janë dislokuar edhe tempujt e shenjta fetare (Bektashinjtë e Gjakovës) vetëm që qyteti i tyre të fiton konturat normale të një vendbanimi të urbanizuar.

Atyre iu mundësua që të vazhdojnë veprimtarinë e tyre fetare dhe patriotike në një zonë ma të qetë të qytetit, ky veprim urban u tregua e suksesshme atëherë.

Metodat ulltimative të individëve ekstrem fetar ma së paku do të iu konvenojnë atyre dhe Bashkisë Islame të Kosovës,edhe ata nuk janë të interesuar të kenë kërkesa të kundërligjshme dhe të shkatërrojnë edhe ato tërësi urbane që kanë filluar të krijojnë identitet urban pas shumë viteve,që në të ardhmen do të ju hakmerren. Caktimi i një lokacioni ku do të mundësohet dhe zhvillohet apo rritet ndikimi i mirëfilli fetar, në interesin e të gjithëve pa anshmëri fetare dhe pa apostrofim të ndonjë rasti të “gabuar”fetar të konfesioneve tjera.

Nuk është i domosdoshëm lokacioni në pjesën qendrore të kryeqytetit,një lokacion që do të plotësonte kërkesat kryesore të komunitetit mysliman në një zonë të qetë dhe atraktive do të ishte një avantazh i madh pasi
propagimi i fesë,në shekullin 21 ku teknologjia i ka kaluar të gjitha barrierat lokaliste të veprimit është evident,përdorimi i saj për interesa fetare askënd nuk duhet ta privoi nga bindjet fetare që i dëshirojnë dhe i kanë.

Lokacioni i objekteve fetare në qendër të qytetit,në shekullin 21 nuk është
përparësi primare dhe është një teori e tejkaluar. Në shekullin e revolucionit dhe dominimit të teknologjisë informative (internetit),ku të gjitha modelet e propagimit, edhe fetar kanë ndryshuar,janë avancuar në ato përmasa marramendëse që i tejkalojnë qëndrimet e ngurta fetare të shekujve të kaluara,është e tepërt të iu kthehemi kërkesave klasike për dominim fetar.

Edhe një herë më duhet të përsërisë dhe të theksoi se neglizhenca dhe mos
siguria e organeve kompetente të komunës së Prishtinës,si dhe mos përpilimi i dokumenteve Hapësinore dhe Urbane vetëm lejon mundësi të manipulimeve të grupeve të ndryshme fetare,si është rasti i këtyre ditëve me plotësimin e kërkesave legjitime për një tempull të ri fetar të fesë myslimane.

Ky lokacion duhet të caktohet në bazë të kërkesave reale dhe gjendjes ekzistuese të objekteve dhe kërkesave të Bashkisë Islame të kryeqytetit,duke u bazuar në Planin Rregullues Urban të Prishtinës ku
problematika fetare duhet të jetë pjesë e pa ndarë për tu trajtuar,por i cili plan për fat të keq ende nuk është punuar,nuk ekziston,prapë komunarët e Prishtinës duhet të japin leje të përkohshme urbanistike edhe pas dymbëdhjetë viteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)