28 Mars 2024

Universiteti Tallava

Shkruar nga Kreshnik Ahmeti

Ne studentët jemi përmbysësit e aktualitetit, drejt një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Studenti, gjithmonë ështe i tillë dhe është i tillë sepse është politik.

Por, sot Studenti po kalon nëpër një periudhë e cila e ka lënë pa thelbin e tij, sepse e ka zhveshur nga politikja. Për këtë arsye sot studentët janë kategoria më e disiplinuar e shoqërisë.

Ata nuk kanë ujë për të mbajtur higjienën e tyre, ata nuk kanë vend për të dëgjuar ligjeratat, ata nuk kanë vend për të studiuar lëndën e tyre, ata nuk kanë ushqim kualitativ, ata nuk kanë vend për rekreacion, ata nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për ta bërë gjumin dhe përsëri qëndrojnë të qetë.

Krejt kjo ndodhë para pushtetit dhe luksit të udhëheqësve të Universitetit dhe Studentëve të Rektoratit. Rektorati dhe Këshilli Drejtues kujdesen që fondet publike për arsim të shpenzohen në mënyrë jo transparente dhe në atë errësirë të shkëpusin një pjesë të atyre fondeve për luksin e tyre.

Ata gjithashtu mbajnë gjallë edhe Studentët e Rektoratit të cilëve mision kryesor ua kanë caktuar imponimin e qetësisë në mesin e studentëve dhe i financojnë aktivitetet e tyre me dhjetëra mijëra euro, vetëm që të arrihet qetësia.

Forma më e shpeshtë e zbrazjes së zemërimit dhe prishjes së qetësisë, që u mundësohet studentëve dhe që promovohet aq shumë, është forma e ndejave me muzikë tallava. Një kulturë kjo që u përhap në Ballkan që nga mesi i viteve ’90, ndërsa tek ne që nga fundi i luftës. Tallavaja po i shërben mjaft mirë pushtetit, sepse po shfrytëzohet nga të rinjt si derë për ikje nga realiteti dhe po promovon kulturë konservatore.

Tekstet tërësisht degraduese, me histori banale dashurie dhe me këngë për luksin, kur të gjithë ne mundohemi ta arrijmë fundin e muajit me rrogat tona, janë njëri nga faktorët që i kanë lënë të rinjt të mangët në mendimin e tyre kritik.

Dhe kjo kulturë, nuk po promovohet vetëm me ndeja, por edhe nëpërmjet sistemit medial në Kosovë. Kur të përcillen televizionet dhe radiot e vendit tonë, kultura tallava duket si një plan i ekzekutuar shumë mirë nga sistemi medial, i cili i kushton një hapësirë shumë të madhe asaj.

Kjo kulturë, në Universitetin e Prishtinës, mund të shihet me anë të posterëve të cilët reklamojnë ndeja me këtë lloj të muzikës (Labi 70% live, Gena 80% live etj.) dhe kjo mbetet njëra nga aktivitetet e rralla të cilin mund ta bëjnë studentët, e vecanërisht ata të konvikteve.

Kjo u pa shumë mirë edhe në fillimin e aktivitetit zgjedhor në Universitet, kur gjatë spjegimit të programit tonë studentor, pyetja që e hasëm shumë shpesh nga studentët ishte “a keni me bo naj nejë gjatë fushatës?”. Kjo tregon se studenti sot është i interesuar vetëm për formën dhe jo për përmbajtjen, sepse e tëra që i është ofruar atij qe 13 vite është forma.

E njejta gjë ndodhi edhe në festën patetike të Lista Studentore Reforma, në ambientet e Universitetit të Prishtinës, gjatë orëve të vona të natës së mërkurë. Kjo formë e veprimit, nga Arian Janova, udhëheqës i kësaj organizate, u pa si zgjedhja e vetme përball protestës studentore, të cilën ai e quajti “dhunë”.

Por, unë mendoj se e dhunshme është forma e tillë e manifestimit, e cila shtypë ndjenjën e revoltës në studentin. Hegjemonia e muzikës tallava në kulturën tonë po bënë që studenti të mbushet përplot me zemërim gjatë javës dhe në fund të saj ta zbrazë këtë zemërim me tallava. Kjo formë degraduese e manifestimit po ndihmon në mbajtjen e studentit të qetë dhe në mirëmbajtjen e këtij sistemi.

Ne, duhet të angazhohemi në luftimin e dhunës së mentalitetit “tallava” në shoqërinë tonë dhe vecanërisht në studentët e Universitetit të Prishtinës. Vallja e LSR-së atë natë, ishte vallja e shtypjes së studentit.

Ne duhet të jemi studentë të cilët e shtypim këtë valle dhe cajmë përpara për të drejtat tona. Përballë veprimit me kulturë emancipuese dhe veprimit degjenerues me kulturë tallava, ne duhet të zgjedhim të parën dhe ta luftojmë të dytën, në mënyrë që ta kthejmë Universitetin me arsim dhe edukim emancipues, duke e rrënuar Universitetin Tallava.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)