19 Prill 2024

Tridhjetëvjetorin i ngjarjeve 1981, mbajtur në Heidelberg

Shkruar nga Halit Berisha

I nderuar baci Adem, përfaqësues të shtetit të Kosovës, Kajtazi dhe Lladrovci, të nderuar shokë dhe miq, zonja dhe zotërinj, nëse një popull harron historinë e tij, atëherë ju jep mundësi armiqëve ta qëndisin në mënyrën e tyre. Andaj jo vetëm sot, këtu, por ne gjithmonë do të bëjmë përpjekjet tona që qoftë edhe një shkronjë e historisë sonë të lavdishme të mos lihet mënjanë.

Kështuqë, kur flasim për ngjarjet e vitit 1981 ato kanë një dimension të gjërë dhe do t‘i vështroj në dy segmente, posaqërisht atë kombëtar, duke u mohuar të drejtat kombëtare dhe gjendjen e rëndë ekonomike, duke shfrytëzuar dhe eksploatuar çdo pëllëmbë të saj.

Këto ngjarje dhe ndryshimet që pasuan pas saj ishin një vazhdimësi e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për të qenë të lirë dhe sovran në tokat e tyre, që nga kohërat e vjetra.

Demonstratat dhe revoltat e vitit 1981 ishin vazhdimësi e Rilindjes Kombëtare si kryengritje edhe më e madhe e popullit shqiptar, ku qëllimi i tyre ishte çlirimi dhe pavarësia e popullit shqiptar si tërësi, si dhe ruajtja e tërësisë së tokave tona.

Këto iu bashkuan idealeve dhe qëllimeve të lëvizjes së Lidhjes së Prizrenit dhe Lidhjes së Pejës, që ishin themeluar për shpëtimin nga copëtimi i viseve shqiptare dhe krijimin e shtetit shqiptar.

Këto kryengritje dërguan më tej përpjekjet dhe qëllimet e kryengritjeve të përgjithshme të vitit 1912, ku territori i Kosovës dhe viset tjera të banuara me shqiptarë u pushtuan nga Serbia dhe Mali i Zi të cilat ndoqën fushata për shfarosjen e popullit shqiptar dhe kolonizimin e tokave të tyre.

Azem Bejta e Hasan Prishtina ishin dy nga figurat më të shquara, që frymëzuan shumë gjenerata të mëvonëshme kundër zgjedhës së huaj. Vlen të citojmë‘ Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë lirinë, por ata që vijnë pas nesh kanë me i gjet shenjat tona‘.

Më pas duhet mos harruar konferenca e Bujanit ku u bënë përpjekje për rivendosjen e parimeve për vetëvendosje, e  drejtë shekullore nga fuqitë e mëdha në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Më pas lëvizje çlirimtare, të prira nga Adem Demaçi për bashkimin e viseve shqiptare me shtetin amë.  Demonstratat e vitit 1968 për të drejta kombëtare, përdorimin e gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar.

Bartëse e kёtyre demonstratave ishte rinia univerzitare dhe shkollore me një përkrahje të fuqishme nga shtresat tjera të shoqërisë së Kosovës, ku çështja shqiptare u ngrit si çështje kombëtare, që nuk do të heshtej derisa mos të zgjidhej.

Pёr nga numri i popullsisë qё e pёrbёnin Federaten ish jugosllave shqiptarët ishin tё tretёt pas serbëve dhe kroatëve, megjithatë Kosova mbeti treva mё e pazhvillar, ndërsa kombi shqiptar nuk u njoh me tё drejta tё barabarta me kombet tjera tё ish Federatёs dhe mbeti e ndarë nё katёr njësi federale.

Ekonomia dhe jeta e popullit shqiptar nё Kosovë ishte nё njё shkallё mё tё ulët tё zhvillimit, e vogël, e varfër dhe e paindustrializuar dhe asnjёherë nuk u trajtua njёsoj me kombet tjera të ish shtetit jugosllav. Pёrkundrazi e shfrytëzonte pamëshirshëm dhe kurrë nuk ishte kujdesur qё tё ngritet në standarde mё tё mira tё jetës dhe ishte nёn thundrën e regjimit policor, si nga pikëpamja administrative poashtu edhe në atë  kulturore dhe ekonomike.

Kosova si një vend me pasuri të mëdha dhe të vlefshme natyrore ka luajtur rol të madh në zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë. Ndërsa të gjithë indikatorët tregojnë se ata nuk kanë qenësa duhet faktorë zhvillimi të ekonomisë së Kosovës.

Në krahasim me rajonet tjera të Jugosllavisë në përgjithësi, zhvillimi i Kosovës ka qenë më i ngadalshëm dhe ishte shprehje e strukturës së rëndë ekonomike, politikës ekonomike dhe organizimin e aktiviteteve tjera ekonomike. Kështuqë, dallimet në nivelin e zhvillimit u thelluan gjithnjë e më tepër.

Pasuritë nëntokësore, resurset minerale e energjetike, si dhe asetet tjera ekonomike të Kosovës janë shfrytëzuar për qëllime tërësisht joekonomike dhe kështu ekonomia e Kosovës në vend se të përfitonte, të ngritej dhe zhvillohej, ajo është plaçkitur, rrënuar dhe shkatërruar.

Po të shohim shtimin e produktit kombëtar për kokë banori, si tregues real, që flet për dinamikën dhe nivelin e zhvillimit të një vendi  në nivelin e Jugosllavisë, diferencat ishin drastike. Diferencat në produktin kombëtar për kokë banori të Jugosllavisë dhe të Kosovës në vitet 1970-1980 ka qenë 4-10 herë më shumë.

Industralizimi si mekanizëm i përgjithshëm i zhvillimit të një vendi, në Kosovë ishte shtimi më i ulët i prodhimit industrial për 30 vite, me një tempo shumë më të ngadalshme nga shtimi në Jugosllavi në tërësi. Politika kreditore-monetare nuk vepronte në nxitjen e zhvillimit më të shpejtë të Kosovës.

Trajtimi okupues dhe pushtues i Kosovës dhe ekonomisë së saj duket në mënyrë të qartë, po të shohim investimet e bëra për kokë banori, shpërndarje e pabarabartë e buxhetit dhe fondeve tjera të dedikuara për ish shtetin jugosllav. Po të vështrohen investimet e përgjithshme në mjetet themelore dhe monetare , ekonomia e Kosovës nuk ka pasur kurrfarë përparësie në investime, përkundrazi procesi i dezinvestimeve ishte shumë i thellë në krahasim me subjektet tjera në ish Federatën jugosllave. 

Derisa nё Serbi dhe subjekte tjera, investimet e pёrgjithshme nё mjetet themelore silleshen 70-80%, nё Kosovë gjendja ishte shumё e pavolitshme, investimet e pёrgjithshme arrinin vetëm deri në 4-10%. Dimension tjetër i eksploatimit ekonomik të Kosovës nga ekonomia e Serbisë ishte tregu i Kosovës, që është shfrytëzuar për shitjen e produkteve të saj, gjë që ka ndihmuar në funksionimin e konomisë së vet.

Andaj, ajo që sot na bën të jemi një popull me të gjitha të drejtat si popujt e tjerë në botë, ajo që na jep emër e që na bën kryelartë sot, është kurorëzimi i të gjitha demonstratave, kryengritjeve dhe luftërave shekullore- pra, Shteti jonë i pavarur dhe Sovran.

Shpesh e kemi parë të shkruar dhe e kemi dëgjuar të thënë  „Edhe unë kam shtet“, kështuqë duke u mësuar brezave të ardhshëm historinë e popullit shqiptar, ne ju mësojmë rrugën që këtë, kuptimin e kësaj ta ruajnë dhe ta duan më shumë se jetën e tyre, ashtu siç e deshtën të gjithë heronjtë tanë.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)