05 Dhjetor 2022

Të suspendohet për disa muaj vendimi për ndalimin e shitjes dhe ngrohjes me qymyr

Shkruar nga Ali Mehmeti

Në Francë po kërkohet dhe përgatitet lëshimi në punë i 32 reaktorëve bërthamor nga 56 sa i ka Franca, që janë aktualisht jashtë përdorimit për arsye të remontit të programuar, madje edhe me kusht që të shtyhet remonti i paraparë për pranverë, apo për shkak të problemeve teknike të pa parashikuara (korrozioni?!) – “probleme që nuk e alarmojnë ministren e tranzicionit energjetik”.
 
Në Gjermani ka kërkesa që të vazhdojnë të punojnë 3 reaktorët e fundit bërthamor edhe për 1-2 vite të tjera, edhe pse ishte paraparë të ndalojnë së punuari në fund të këtij viti. Kjo ndoshta nuk do lejohet për arsye sigurie, por leja për aktivizimin e 27 termocentraleve me djegie të qymyrit tani më është marr. Njëra prej tyre u aktivizua para pak ditësh në Petershagen - Rhénanie-du-Nord-Westphalie (lemonde.fr).

Ne në Kosovë nuk kemi çka të riaktivizojmë. Mbetet të lutemi që termocentralet tona të mos kenë probleme teknike gjatë dimrit, kurse liqenet e Shqipërisë të mbushen me ujë gjatë kësaj vjeshte dhe dimri.

Ndalesa e përdorimit dhe shitjes së qymyrit në Kosovë është bërë në emër të mbrojtjes së pastërtisë së ajrit që e thithin qytetarët dhe sidomos në Prishtinë. Efekti i njëjtë apo i ngjashëm, mund të arrihet edhe me kufizimin e përdorimit të veturave, që do zvogëlonte edhe harxhimet për karburant.

Dhe sidomos, efektet në situatën aktuale do ishin të shumëfishta:

- do zvogëlonte presionin mbi sistemin elektro energjetik duke zvogëluar edhe gjasat për prishje nga tej ngarkesa  

- do zvogëlonte nevojën për import të energjisë elektrike çmimi i së cilës do të arrijë nivele asnjëherë të shënuar gjer me tani (nëse do të ketë ku të bihet) dhe kështu do kursente buxhetin e shtetit

- do kursente buxhetin familjar edhe ashtu të ngarkuar me inflacion të lartë, sepse qymyri jonë mund të shitet me çmime preferenciale për familjet nga skemat sociale (aktualisht, sipas tenderit të KEK-ut, qymyri po ofrohet me çmimin minimal prej 29 euro/tonë për blerës të mëdhenj jashtë Kosove)

- do të ulte çmimin e lartë të druve dhe peletit, sepse do zvogëlohej kërkesa
        
- do i kursente pyjet nga prerja pa kurrfarë kriteri

- do të ndalonte tregtimin ilegal të qymyrit që po përsëritet çdo vjet

- do të lehtësonte sigurimin e energjisë për ata qytetarë që jetojnë nëpër banesa kolektive ku nuk ka as oxhakë dhe që nuk kanë mundësi tjera për ngrohje përveç energjisë elektrike

Nuk ka kurrfarë kuptimi të flemë mbi qymyr dhe mos ta përdorim gjatë këtij dimri, i cili do jetë i GJATË !
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)