28 Tetor 2021

Suksesi i Partneritetit të parë Publik-Privat

Shkruar nga Christopher Dell, ambasador i SHBA-ve në Kosovë

Në emër të popullit amerikan, dëshiroj të uroj Qeverinë dhe popullin e Kosovës për dhënien e suksesshme të Partneritetit të parë Publik-Privat (PPP) të shtetit, koncesionin 20-vjeçar për operimin dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Për shkak të akuzave që janë bërë në mediume lidhur me transakcionin, ndiej se është e rëndësishme që opinionit të Kosovës t’i jipet një shpjegim objektiv i procesit. Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të bëjnë këtë sepse ne i kemi siguruar Qeverisë këshilltarët strategjikë që të sigurojmë se procesi i ofertimit është i drejtë dhe transparent, me qëllim që të maksimizohen përfitimet për Kosovën. Kështu, ne kemi njohuri të hollësishme për mënyrën se si është udhëhequr transakcioni, si dhe për masat e sigurisë që janë vendosur për të mbrojtur interesin publik.

Ofruesi që ka fituar, konzorciumi franko-turk “Aeroport de Lyon and Limak Holdings,” do të modernizojë dhe zgjerojë aeroportin duke investuar 100 milionë euro në infrastrukturën e re, duke përfshirë edhe ndërtimin e objektit të ri dhe inovativ të terminalit. Nga ata poashtu kërkohet që të operojnë aeroportin me ofertë të zgjeruar të shërbimeve, dhe përmirësim të madh të cilësisë së shërbimeve. Në shkëmbim për këto të drejta, Limak-Lyon do të paguajë mesatarisht 39.43% të të hyrave bruto të aeroportit qeverisë, në formë të taksës vjetore për koncesion. Gjersa mbanë pronën e plotë mbi asetet e Aeroportit, Republika e Kosovës mund të presë marrjen e përafërsisht 450 milionë eurove në formë të të ardhurave nga aeroporti gjatë kohëzgjatjes së kontratës. Kjo është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën, dhe Qeveria duhet të urohet për këtë arritje. 

Aftësia e Kosovës për të tërhequr investime strategjike afatgjata duhet të lajmërohet si një arritje monumentale, dhe si votëbesim për qeverinë dhe sistemin ligjor të shtetit. Kjo është një njohje e rëndësishme e përpjekjeve të Kosovës për të krijuar një ambient mirëseardhës për investimet e huaja, dhe një konfirmim për programin multisektorial të partneritetit publik-privat me bazë të gjerë. Sigurisht, suksesi i këtij projekti është një testament për progresin e shtetit.

Procesi i prokurimit që çoi te dhënia e kësaj kontrate duhet të lëvdohet për transparencën e tij dhe menaxhimin profesional. Projekti u menaxhua nga një Komitet Ndërministror Drejtues i Projektit, i përbërë nga gjashtë ministra të kabinetit. Procesi u zhvillua me ndihmën e kompanive me renome ndërkombëtare dhe ekspertët të cilët e këshilluan Qeverinë lidhur me gjitha aspektet e transakcionit. 

Në një përpjekje të qëllimshme për të eliminuar subjektivitetin në procesin e përzgjedhjes, Komiteti Drejtues vendosi në qershor të vitit 2009 që kontratën ta japë duke u bazuar në një kriter të vetëm: çmimin. Fituesi do të ishte ai që i ofron Qeverisë përqindjen më të lartë të të ardhurave bruto. Për të siguruar krahasueshmërinë e propozimeve, dhe për të garantuar se të gjithë ofruesit do të garojnë nën kushte të barabarta, u vendos poashtu që ofertat duhet të dorëzohen me një kopje të nënshkruar të kontratës PPP të panegociushme dhe të autorizuar nga Qeveria. Këto rregulla të lojës u krijuan për të siguruar transparencën. Kjo është një praktikë standarde ndërkombëtare, e menduar për të eliminuar negociatat jotransparente, dhe për të siguruar që ka bazë objektive për vlerësimin e propozimeve konkurruese.     

Gjatë procesit të prokurimit, ofruesve u janë dhënë mundësi të shumëfishta për të sygjeruar amandamente në Kontratën PPP. Qeveria u përgjigj në gati 700 pyetje dhe kërkesa për amandamentim, duke refuzuar ndryshimet për të cilat besoi se janë të dëmshme për interesin publik, dhe duke pranuar ato që ishin të dobishme. Me 15 mars, pas dy rundeve të pyetjeve dhe përgjegjeve, Qeveria lëshoi kontratën e panegociueshme PPP të cilën ofruesit duhej ta pranonin. Nëse një ofruesi nuk i pëlqenin kushtet e kontratës, ai nuk ishte i obliguar të paraqesë një ofertë.

Për të maksimizuar transparencën, kur ofertat u dorëzuan me 28 prill, propozimet për çmim u mbyllën në një kasafortë me dy çelësa, me ç’rast njëri çelës u mbajt jashtë Kosove, dhe tjetri u mbajt nga zyrtarët vendorë të prokurimit. Duke qenë kështu, nuk ka pasur asnjë mundësi të dihet përmbajtja e propozimeve për çmim deri me 14 maj, kur ofertat u hapën dhe çmimet u deklaruan hapur para publikut dhe mediumeve. Ky process eliminoi çdo mundësi që kushdo të ndikojë në rezultatin e prokurimit. 

Është fakt se një konzorcium u diskualifikua para se të hapen propozimet për çmim, por ky vendim nuk është marrë nga politikanët siç sygjerojnë disa. Në të vërtetë, ky vendim është marrë unanimisht nga komiteti vlerësues shtatëanëtarësh, i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë. 

Raporti i vlerësimit konfirmon se konzorciumi i diskualifikuar refuzoi të pranojë kushtet e kontratës së panegociueshme PPP, dhe ky konzorcium njëanshmërisht futi amandamente të cilat Qeveria i kishte refuzuar më parë. Me fjalë të tjera, ofruesi i diskualifikuar dorëzoi një kontratë e cila ishte materialisht e ndryshme nga ajo që ofronte Qeveria. Qeveria u mundua të blejë një mollë, por ofruesi ofronte një rrepë. Nuk ishte Qeveria por ofruesi ai që u mundua të ndryshojë kushtet e procesit për përfitim të vet. Si i tillë, ky konzorcium duheshte të diskualifikohej në pajtim me rregullat e vendosura në dosjen e tenderit. Politika dhe politikanët nuk kishin të bëjnë fare me këtë vendim.

Me vite të tëra skeptikët dyshuan se Kosova mund të tërheqë investime të respektueshme afatgjata. Cinikët vunë në dyshim përkushtimin e shtetit ndaj sundimit të ligjit dhe kapacitetin e tij institucional për të tërhequr investime të jashtme. Më në fund, përmes PPP-së për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Kosova ka vërtetuar se këta mosbesues janë gabim. Shteti më në fund tërhoqi investim strategjik afatgjatë në punët publike përmes një procesi të menaxhuar në mënyrë transparente dhe profesionale, dhe kjo duhet të festohet.

Fatkeqësisht, në vend se të lëvdojnë këtë arritje, disa interese të caktuara, të cilat është e kuptueshme se kanë mbetur të zhgënjyer për shkak të mungesës së suksesit të tyre, duket se u ndien të shtrënguar të vënë hije dhe të krijojnë dyshim aty ku duhet të ketë vend vetëm për mburrje dhe sens realizimi. Dikush vetëm mund të spekulojë lidhur me motivet e tyre për të bërë ashtu. Në fakt, nëse cilido ofrues mendon se ka qenë i nëpërkëmbur, atëherë ai duhet të ushtrojë të drejtën për apelim; mirëpo, bërja e akuzave të pabaza, apo përkrahja publike e teorive të pabazuara të komplotit nuk bënjë asgjë veçse zmbrapsin investuesit potencialë, dhe vënë në rrezik të ardhmen ekonomike të vendit.

PPP-ja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës paraqet një ndryshim të paradigmës për Kosovën. E ardhmja ekonomike e vendit varet me të madhe nga aftësia e tij për të tërhequr investime afatgjata në infrastrukturën dhe shërbimet publike, dhe ky projekt i ka treguar botës se Kosova është e aftë të veprojë me përgjegjësi, transparencë, dhe profesionalizëm. Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi fitues duhet të përgëzohen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2021

- Fillon administrimi i vaksinës kundër gripit sezonal. (Salla 1 Tetori nga ora 08:00 deri në ora 19:00)

- Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mbajnë konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive - dhe masës 2.4 - Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë (Salla P38), ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava do ta pres një delegacioni të lartë nga Mbretëria e Arabisë Saudite, i kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh, Ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite. (Selia e Kryesisë së BIK-ut, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. (Ndërtesa e KQZ-së, Kati 4, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon mbledhjen Komemorative me rastin e kalimit në amshim të Burbuqe Berisha. (Teatri AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ora 10:00)

- Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguro Qendren e re e të Moshuarve në lagjen Ulpianë. (Rr. Imzot Nikë Prelaj, E30, Ulpianë mbrapa pompës Exfis, ora 11:00)

- Punëtorët e Ferronikelit protestojnë para Qeverisë së Kosovës. (Objekti i Qeverisë, ora 11:30)

- Mbahen homazhet për të ndjerën Burbuqe Berisha. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 12:00)

- Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati vizitojnë Administratën Tatimore të Kosovës. (ATK, kati I, ora 13:30)

- Hapet edicioni i 12 i Festivalit të Filmit të Shkurtër "Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, njëherësh kandidat për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje!, prof. dr. Mytaher Haskuka, do të mbajë konferencë për media. (Zyret e Lëvizjes në Prizren, ora 16:00)