28 Mars 2024

Shkuat për të mos u harruar kurrë!

Shkruar nga Zenelabedin Latifi 

Rrëfimet e mia i përjetoj si një ndërthurje, si një hapësirë qiellore e hapur, brenda së cilës papritur shfaqen shkëlqime meteorike, që të ngjeshur shtyten kush e kush të shfaqet më parë.

Ndjehem si i ndodhur në mes të lumit rrëmbyes, ku posa më rrëmben vala e ndonjë ngjarjeje vjen tjetra si e papritur, përplaset në imagjinatën time duke marrë me vete ndodhinë e mëparshmë të ndërmendur.

Ndoshta për të gjithë botën ardhja e vjeshtës, gjegjësisht ardhja e nëntorit sjell të ftohtin dhe vyshkjen, sjell periudhën kur gjithçka merr kahjen e pasivitetit, mirëpo tek shqiptarët nuk nodh kjo, sepse nëntori gjithmonë për ne ka qenë i ngrohtë, ai çdoherë na ka sjellur neve gjëra të mira dhe ka qenë i dashur për ne. Ai na dhuroi shumë trima, të cilët në rrugën e historisë kanë lënë gjurmë që nuk i fshin as era e as vërshimi.

Nëntori ka qenë i frikshëm për armiqtë e shqiptarisë, mirëpo ai u bë edhe më i tmerrshëm për ta në vitin 1955 kur në jetë erdhi trimi, burri, luftëtari legjendar e madhështor, i pamposhturi, i papërsëritshmi, që rriti nderin e shqiptarisë.

 Ishte ajo kohë kur kombin tonë e mërdhinin rrezet ftohta të Diellit, që për ne nuk ngrohte, prandaj Zoti e dërgoi një rreze që na ngrohi të gjithëve, atë që shëndriti gjithë trojet tona dhe që reflektoi në gjithë botën.

Ti shkove për të mos u harruar kurrë, për të mbetur gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona. Ti na mungon shumë, sepse çdo herë që kujtoj fjalët e tua, më shtohet dëshira për të dëgjuar nga goja jote edhe tinguj të tjerë.

Ndonjëherë nga malli i madh për ty dua që të nisem drejt amshimit ku gjendesh ti, mirëpo kur më kujtohet liria që na e solle ti, ndalem dhe qëndroj që të jetoj me atë që na dhurove ti, dhe bashkarisht edhe me ty o dora e pamposhtur e Kosovës tonë.

Ti shkove por neve na e le lirinë, që çdoherë kur shoh pëllumbat që fluturojnë në qiell të lirë, më kujtohesh ti o trim, që e deshte atë më shumë se gjithçka.

Je arsyeja që na bën të jetojmë. Je ai që thoshe se të gjallë apo të vdekur s’e lëshojmë atdheun kurrë për jetë.

E çfarë vlere do të kishte arma nëse s’do të qëndronte në dorën tënde?! Çfarë vlere do të kishte plisi nëse ti s’do ta mbaje në kokën tënde që bënte plane për t’i luftuar armiqtë?!

A thua si do të jehonte emri “Adem Jashari” nëse s’do të pagëzoheshe ti me të?!

 Vlerën tënde s’e mat asgjë dhe s’përshkruhet me fjalët e mia, kurse dashuria për ty shtohet çdo mars që vie. Ti s’u ndave nga ne, por shkove të na presësh për t’u bashkuar përgjithmonë. E sakrifikove gjithë familjen tënde për të na shtuar familjet tona, e dhave jetën tënde për të na shpëtuar jetën tonë, ndërsa lirinë edhe nëse do ta humbisnim, atëherë kur ta gjejmë do të jetë meritë e ytja.

Nuk di me çka të të përshkruaj e as të të krahasoj. E si të të përshkruaj ty me fjalë kur ti u bëre simbol i lirisë, ku edhe foshnja më e vogël kur e sheh fotografinë tënde fillon të buzëqeshë duke e ndjerë se je figurë e lirisë.

Çdo fjalë dhe vepër që e bëjmë për ty është e vogël krahas vepave tua që i bëre për të gjithë ne.

Dikush është i gjallë, por nuk jeton, e dikush tjetër është gjallë dhe jeton. Ndonjë tjetër nuk është gjallë dhe nuk jeton, kurse ti edhe pse nuk je në mesin tonë, vazhdon të jetosh, dhe do të jetosh deri sa të ketë zemra që rrahin dhe deri sa të jetojë njeriu në këto vise të kësaj toke.

Nuk mund ta lë pa përshkruar edhe vëllaun tënd heroik, atdhetarin Hamëz, që trimërinë e zbukuroi me talentin e tij të jashtëzakonshëm. Ti, o Hamëz, i braktise kënaqësitë e kësaj bote për të na dhuruar neve kënaqësi, që tani i shfrytëzojmë të gjithë. Ishe ai që e le gurbetin dhe u ktheve për ta mbrojtur atdheun, duke thënë “gurbeti s’qenka për mua”.

Me vëllaun, Ademin ishit si një trup që mban dy shpirta. Të dy me të njëjtat dëshira, me vullnet të pashterrshëm dhe me trimëri të veçantë.

E si mos të bëheshit trima kur ishit djemtë e bacë Shabanit, që ishte mësues i shumë trojeve shqiptare. Ai iu mësoi se si ta jetoni jetën, iu tregoi kahjen e vërtetë të rrugës së jetës.

Betimin që e bëtë para trupit të Tahir Mehës ku thatë “Luftën që nise ti, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut” e përmbushët dhe e vazhduat luftën që e morët si mision nga stërgjyshërit.

T’i thuash dikujt se i vogli mund ta mposhtë të madhin, se ata me numër të pakët të pjesëtarëve mund t’i mposhtin ata me numër të madh, ndoshta nuk do të besojë, por ne do t’ia sjellim rastin e juaj si argument.

Ju na vërtetuat se trimëria s’ka peshë dhe masë, por ajo qëndron në zemër dhe posedohet vetëm nga ata që i bekoi Zoti me shpirta të pastër e të shëndoshë.

O baca Shaban, të gjithë e dijmë se si ështe ndjenja të kesh fëmijë, është një ndjënjë e thellë dhe e papërshkrueshme shpirtërore, mirëpo nuk mund ta paramendoj se cfarë lumturie ishte për ty që pate këta dy djemë trima që lirisht mund t’i quash luana!

Ju luftuat për ardhmërinë, prandaj ardhmëria nuk do t’u harrojë kurrë.

Ju rezistuat, e të rezistosh është hapi i parë drejt fitores, prandaj ju me fitore e filluat dhe me fitore e mbaruat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)