24 Shtator 2021

Shkodra ka serbë

Shkruar nga Redan Bushati

Aleksandar Cotoric, nënkryetar i Këshillit për Marrëdhënie me serbët jashtë Serbisë shprehimisht ka deklaruar «do të kërkoj nga kuvendi dhe qeveria shqiptare që të mbështesë kërkesën e pakicave për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë». Serbët kanë filluar të interesohen për një komunitet serb në rrethin e Shkodrës dhe të bëjnë emisione për ta në televizione duke theksuar idenë se atje kanë jetuar shumë serbë, por me presion në kohën e komunizmit kanë ndryshuar emrat e tyre.

Ndjej mllef e neveri dhe çuditërisht kësaj radhe nuk kërkoj ndjesë nga askush! Turp i pashoq! Situatë delikate! Heshtje popullore! Servilizëm krupëndjellës! Mendje të ngushta e zemra të liga! Symbyllur dhe spordhjakë! Xhahila dhe fodulla! Sahanlëpirësa dhe brekëshkyer! Hajdutë dhe më keq, xhepista! Baballarë «pusht», më falni pushtetar, që nesër apo pasnesër bijve të tyre nuk kanë çfarë modeli edukativ t\'i japin.

Furgona me analistë televizionesh, të cilët për para mohojnë e pohojnë çdo gjë! Editoriale të imponuara! Gazeta partiake pro regjistrimit mbi baza fetare dhe etnike, kundër interesave kombëtare. Minoritete që lehin për kinse të drejtën e tyre për t\'u vetëdeklaruar dhe kundërshtimin e artikullit 20 të ligjit për regjistrim, i cili parashikon, sipas tij, gjobë prej 1000 dollarësh për dhënien e të dhënave të pasakta!

Një tufë idiotësh, të cilët kanë uzurpuar karriget dhe mezi ç\'presin të dalin në terren për të intervistuar shqiptarët, tashmë një pjesë e tyre të blerë nga «shkjau» serb e «shovinizmi» grek... Sot, kjo është një pjesë e pasqyrës së realitetit në Shqipëri! Ky është kabllogrami më serioz dhe i rrezikshëm i pathënë në faqen e Wikileaks, e jo humbja e vëmendjes nga disa gjëra të tjera të rëndomta, që fundja nuk është se ne shqiptarët nuk i kemi ditur.

Sinqerisht, me kohë pandehja se shumë norma morale, por edhe doke e zakone po humbisnin mes shqiptarëve. Në mars të këtij viti botova një opinion në gazetën Tema, me titull «Na ç\'kombëtarizoi diktatura, na ç\'kombëtarizoi demokracia». Sot, ato që e kanë lexuar po e vërtetojnë një gjë të tillë.

Por një gjë nuk e mendoja asesi, heshtjen e popullit tim. Edhe pse shumë shqiptarë janë bërë pjesë, kundër regjistrimit të popullsisë, përmes nënshkrimit të peticionit të hartuar nga Aleanca «Kuq e Zi», përsëri është shumë pak, thjesht nuk mjafton vetëm ky reagim qytetar.

O mjeranë, pa kujtoni pakëz ato shqiptarë të së premtës së «zezë» të 21 janarit 2011 që sulmuan kryeministrinë! I pyesni të gjithë pse protestuat! Me siguri një pjesë ka ardhur qorrazi pas turmës, një pjesë për gjëndjen e vështirë ekonomike e sociale, një pjesë për atë e për këtë etj.

Ndërsa regjistrimi i popullsisë është shumëfish më i rrezikshëm se përballja aktuale me situatat e përditshme që ka çdo familje shqiptare. Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është një rrezik historik, rrezik social, rrezik kombëtar, rrezik territorial, rrezik asimilues, rrezik nënshtrues, rrezik konflikti në të ardhmen, por edhe rrezik ekonomik, fundja një «armik brenda në shtëpi».

Ju lutem më tregoni pak se çfarë presioni bëri Greqia për paktin detar! I tha troç vendit tonë, Shqipërisë sonë të dashur duke i dërguar të fala nëpërmjet «dulecave» me shokë: «Mirupafshim MSA, nëse nuk nënshkruani paktin detar», pra shitjen e detit. Fatmirësisht, gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë.

Mos kujto ti o sylesh që virresh, çirresh e përdridhesh e më nxjerr gjoksin e ma fryn si një pac a dordolec, duke pretenduar se paktin detar e anullove ti me shokë! Jo dhe jo, nuk ishim ne, ishte një njeri i cili u gjend në kohën e duhur në vendin e duhur për të treguar shitjen e detit në ditën me diell.

E ne, ne të heshtur po merrnim pakëz rreze dielli... Besoni se nëse në Shqipëri rritet artificialisht numri i minoriteti grek dhe atij serb nuk do të na bëjnë presion të vazhdueshëm?! Eh, madje, ato do të përpiqen të ndërhyjnë kudo dhe për çdo gjë, si me qenë në tokë të tyre. Obobo!

Nejse, unë jam i ndërgjegjshëm se ka edhe shqiptarë të mirë dhe të devotshëm. Të gjithë ato që janë pro interesave kombëtare, zëri rinor i mijëra studentëve që kanë nënshkruar kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare, sigurisht më kënaq e më ngroh pa masë. Edhe një pjesë e medias po solidarizohet me situatën në fjalë.

Ato e kuptojnë rrezikun e asimilimit. Ato e kuptojnë se me kalimin e viteve jugu i Shqipërisë do të ketë më shumë shkolla greke se sa shqiptare. Këto qytetarë të denjë e dinë mirë se «gjuha amtare është dinjitet, ndërsa gjuha e huaj është kulturë», e nëse jugu fillon e greqizohet, e sipas këtij «surratdhelprës» Aleksandar Cotoric, Shkodra do të na flasin serbisht, atëherë me plot gojën ne kemi humbur identitetin tonë kombëtar. Shkodra ka shumë familje të vjetra qytetare, mes tyre edhe e imja, por po të diskutohet me secilën prej tyre të tregojnë se sa serbë na paska Shkodra që herët e deri në ditët e sotme.

Ato që do të merren me regjistrimin, duhet të kenë turp nga vetja. Dijeni mirë se Zoti e krijoi njeriun të pastër, qelibar, por ai (njeriu) e ka në dorë që të «gëllitisin një lugë çorbë të prishur dhe pastaj të vjellin gjithë jetën» ose të bëhet i hajrit dhe njeri me vlera e virtyte. Tundu e shkundu! Jo nga muzika o shqiptarë, jo nga moda e jo nga gjërat që ti ke qejf çdo ditë të bësh. Tundu e shkundu se e ardhmja nuk premton për ty. Të ardhmen tënde, ti nuk po e mbron.

Fëmijët e tu nga heshtja jote, nga rreziku i bukës dhe i karriges që mban, nuk janë asgjë se sa kur ai të vihet në garë me fqinjët e tij ballkanik apo edhe bashkëmoshatarët e tij europian e të ndihet kokëtul e mjeranë, pasi nuk di ç\'të thotë, veç pëlpëlit mjerueshëm duke thënë: «kemi qenë popull i varfër dhe nuk kemi mundur t\'i bëjmë ballë presioneve të huaja!».

STOP! Stop mashtrimit të përditshëm! Stop injorancës masive! Stop mosreagimit për fatet tona, fatin tonë! Stop të qeshurës së dalur me vështirësi nga zorrët e barkut për të përshendetur deputetin e zonës! Stop mjerimit dhe vajtimit, pasi ndodhin ngjarjet! Ne mundemi... Të gjithë bashkë jemi dakord që regjistrimi të bëhet, por të hiqen pyetjet mbi etninë dhe fenë.

Si përfundim, me mua dhe shumë studentë me gjak shqiptari na intereson atdheu ynë, e jo fatet e Kreshnikut apo aleancës. Pff, këto janë mjegulla kinse të krijuara me dashje që shprehimisht do të thotë «je me mua apo me ato?».

Ne jemi të gjithë me Shqipërinë. Regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet që ç\'ke me të, por jo mbi baza etnike dhe fetare. Ne duam një Shqipëri europiane, por të sigurtë dhe me vlera të mbartura. Kurrsesi nuk mund ta pranoj që gjoja për hir të hyrjes në Europë, ne shqiptarët duhet të hymë siç do Greqia apo Serbia, siç na do Nastradini me shokë pa mbathje e pa kokë. Jo dhe jo!

Kjo nuk është Shqipëria, këto nuk janë shqiptarët. Shkodra dhe Shqipëria kanë aq pak serbë e pak më shumë grekë edhe seç na merr mendja neve. Prandaj, këtyre zërave zyrtar me prapavijë strategjike duhet t\'i themi ndal qytetarisht, por edhe politikisht.

Ne mundemi! PO, ne mundemi të ndalojmë që Serbët të peshkojnë «bajukla» e «ngjala» me thasë në Dejlan. Nëse të vjetrit heshtin, rinia duhet të ndezë. Fqinjësi të mirë me të gjithë, por unë në shtëpinë time dhe ti tënden o Aleksandar Cotoric.

(Autori eshte Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës, shkurt K.S.U.SH)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2021

- Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2021-2025, i ftuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:00)    

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione rishqyrton planin e punës për sesionin vjeshtor 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj viziton KF “Liria”  dhe me pas KF “Prizreni” . (Stadiumi i Prizrenit, ora 10:30)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të mbaj sot konferencë për media. (Te Deponia Ilegale e mbeturinave, afër Tauk Bahçes, ora 14:00 - mediat i presim në udhëkryqin e Tauk Bahçes, te rruga e Bledit, nga ora 13:40)

- Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot mban takim elektorale me strukturat e rinisë së degës së Nismës në Malishevë. (Stadiumi “Liman Gegaj” në Malishevë, ora 14:00)

 - Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj bashkë me Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi viziton Bashkësinë Islame në Prizren. (Prizren, ora 14:15)

 - Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj shpalos programit për arsim. (Qendra Europa, në Plato, ora 16:00)

- Banka Qendrore e Kosovës mbanë konferencë për shtyp. (Objekti i BQK-së, ora 16:00)

- Mbahet dita e dytë e Kongresit të Parë Klinik i Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)