18 Prill 2024

Sheshet qendrore në Tiranë dhe Prishtinë

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli

Sheshet qendrore si hapësira publike,të përbashkëta,në demokraci duhej të ishin vende ku artikulohen konfliktet e mundshme të mendimeve,kundërvihen tendencat për identitet urban,shfaqën pakënaqësitë e ndryshme sociale edhe politike,në thelb sprovohet demokracia e brishtë e shoqërisë shqiptare.

 

Ai duhet të shërbej si dhoma e ditës së kryeqytetit,si hapësirë e shoqërimit,qëndrimit,vend me atributet e një teatri të hapur ku njerëzit shkojnë me dëshirë për aktivitete të ndryshme. Si hapësirë publike me shumë specifika origjinale,ai prezanton karakterin e shoqërisë,sheshet janë hapësira ku identitetet e ndryshme provinciale ballafaqohen dhe ripërcaktohen,modernizohen.

Sheshi qendror mundëson që klasa politike të krijon identitetin e tij e ndihmuar nga arkitektët,urbanistët e të tjerët që projektojnë ato hapësira publike ku elementi i kujtesës publike është shumë i rëndësishëm. Në shoqëri të qëndrueshme me ndërtimin apo adoptimin e sheshit qendror të kryeqytetit,ma së miri njehen marrëdhëniet midis autoriteteve të qytetit në drejtim të qendrës së ngushtë të tij dhe periferisë,aty njihen klasat shoqërore,në kohëra të trazuara tregojnë vlerat e tyre të diskutueshme,që në të ardhmen gjeneratat e reja të dinë identitetin e tyre urban.

Po i përcjelli me vëmendje polemikat për sheshin qendror “Skënderbej” në Tiranë,ka shumë kundërthënie,ma shumë politike se sa profesionale në qasjen e kësaj problematike e cila është shumë e rëndësishme për Tiranën dhe tërë Shqipërinë. Elementi kryesor që konsiston në ruajtjen e dimensionit human,ku banorët dhe vizitorët (turistët) e kryeqytetit Shqiptar do të përjetojnë sheshin si një të mirë e të gjithëve,domosdo duhet respektuar.

 

Është një histori e gjatë për këtë shesh ku janë të involvuara që nga viti 1920 projektuesit urban Italian,Francez e së fundit edhe ata Belgjian,kur në vitin 2008 një studio belge e fitoi konkursin ndërkombëtar për rregullimin e sheshi të Tiranës.

Asgjë  të keqe nuk po shoh në këto konfrontime,polemika të dëshiruara konstruktive,e të gjithë specialistëve,arkitektëve,urbanistëve përkundër temperamentit eksploziv shqiptar i cili nganjëherë është i pa kuptueshëm. Ka probleme të shumta për zvogëlimin e sheshit,trafikut,hapësirave të gjelbëruara e të uzurpuara publike për ndërtime,por ato me bashkëpunim duhet zgjidhur. Ka dyshime të profesionistëve të ndryshëm për veprimet e pa koordinuara në mes pushtetit Qendror (Qeveris) dhe ati lokal (Bashkisë së Tiranës) por ato domosdo duhet tejkaluar nëse dëshirojmë të respektojmë një jetë normale të banorëve të kryeqytetit Shqiptar. Besoj se nga këto polemika Tirana do të fitoi një kualitet të ri urban  të cilin do ta gëzojnë të gjithë banorët e saj dhe gjeneratat e ardhshme.

Domosdo duhet të dihen kompetencat e pushtetit qendror dhe ati lokal,pa marrë parasysh përkatësit partiake të tyre,kështu veprohet në tërë botën. Qëllimi kryesor dhe fisnik është që të gjithë banorët e Tiranës si dhe vizitorët vendor dhe të huaj të kenë së paku rehati shpirtërore kur shfrytëzojnë sheshin kryesorë të kryeqytetit të Shqipërisë. Prioritet duhet të kenë këmbësorët pa cenuar aspak trafikun dhe funksionimin e sheshit në rrethanat e reja të ekonomisë së tregut,pa cenuar rëndësinë dhe identitetin urban të cilin e ka krijuar gjatë historisë së re të Shqipërisë sheshi “Skënderbej” në Tironë (kështu e emërtojë banorët e vjetër qytetin e tyre).

Ajo që ma së shumti më shqetëson mua personalisht si profesionist,është se si trajtohet kjo problematik në Kosovë,në Prishtinë e cila as që ka shesh qendror për ta trajtuar. Në mungesë të një kulture elementare urbane kemi një trajtim të çuditshëm të qendrës së kryeqytetit Kosovar. Ky qytet ka një rritje të pa kontrolluar urbane si rezultat i lëvizjeve demografike të popullsisë pas vitit 1999,e cila shpëtimin për një jetë ma të mirë e ka kërkuar në kryeqytetin e Kosovës,çka është gabim i madh me pasoja të rënda urbane. Disa herë janë publikuar tenderët për tre “sheshet” mu në rrugën qendrore të kryeqytetit,thua se ajo nuk duhet të ishte një tërësi urbane e studiuar mirë në një konkurs ndërkombëtar,me ç’rast do të fitohej një zgjidhje e dëshiruar. Si është e mundur të kemi sheshin Adem Jashari,Zahir Pajaziti e së fundit përsëritja e tenderit pas shumë “tentimeve” për Sheshin e Pavarësisë (Ibrahim Rugova) kur aty ekzistojnë edhe përmendoret e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës.

Do të duhej inkorporohen të gjitha këto simbole (përmendore) në një tërësi urbane të cilën e kemi trashëguar si një rrugë të kryeqytet duke vlerësuar kreativitetin e projektantëve arkitektonik dhe urban. Vetëm analizoni kushtet e tenderit të fundit,në shkurt 2010,për projektin ideor urbanistik-arkitektonik “Integrimi urban-Sheshi i Pavarësisë “Ibrahim Rugova”,të ofruara nga ana e komunës me disa shpërblime për pjesëmarrësit në konkurs – arkitektët, urbanistët dhe të tjerët,ku ishte shtuar një vërejtje se propozuesi i zgjedhjes ideore që do të shpërblehet me dhënien e kontratës e humb të drejtën në shpërblim...,kjo tregon se si trajtohet kjo problematik në Kosovë nga vendimmarrësit e kryeqytetit. Nuk zgjidhen këto çështje të rëndësishme urbane me “tendere” për projektim si ka vepruar Komisioni  Regullativ i Prokurimit Publik. Tek e fundit qendra e Prishtinës është e tërë Kosovës,përse në tërë botën praktikohen konkurse ndërkombëtare të projektimit për këso rastesh. Zotëri vendimmarrës komunal vetëdijesohuni dhe korrigjohuni, veproni ashtu si është praktika ndërkombëtare.

Kthimin e rrugës “Nëna Terezë” në shëtitore këmbësorësh e kanë përkrahur të gjithë dashamirët e qytetit. Më parë duhej të bëheshin përgatitjet profesionale urbane,pasi Prishtina ka kapacitete të tilla të gërshetuara në numrin e madh të arkitektëve dhe profileve tjera që me punë të përkushtuar do të kontribuonin për qendrën e kryeqytetit. Ka shumë mundësi teknike dhe financiare për të përthekuar këtë problematik me studime dhe analiza urbane të mirëfillta e jo të krijohet kaos në komunikacion si është gjendja momentale në Prishtinë.

Projektimi i “Sheshit të Pavarësisë”, është një ndërmarrje shumë e rëndësishme,bartës duhet të ishte Kuvendi i Republikës së Kosovës gjegjësisht Qeveria me organet ekzekutive të sajë e jo të lejohet komuna e Prishtinës kështu të veproi !. Natyrisht edhe kontributi i shoqërisë civile është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur. Duhej të shpallej konkurs ndërkombëtar mirë i përgatitur me një “zhiri” gjithashtu ndërkombëtarë i cili do të zgjidhte punimin ma të mirë për realizim. Natyrisht kjo merr pak kohë të cilën pushtetarët tanë aktual e kanë me bollëk pas vitit 1999,por do të fitonim një zgjidhje të qëndrueshme për  Sheshin e qendrës së kryeqytetit,si kompleks ku do të përthekohen të gjitha elementet historike,hapësinore,urbanistike,arkitektonike,arkeologjike,skulpturore etj.që do të përmbyllën me identitetin e Kosovës. Kjo procedurë njëherë afirmon shtetin ma të ri në qarqet shumë të rëndësishme politike dhe intelektuale në botë.

Identiteti urban i shesheve është shumë i rëndësishëm në kujtesën historike të një populli. Nëse veprohet ndryshe atëherë do të kemi hapësira publike të privatizuar,e tendenca të tilla ka në tërë Kosovën e posaçërisht në Prishtinë,e si po duket edhe në Tiranë. Ky është një handikapë për tërë shoqërinë shqiptare,pasi sheshet qendrore të kryeqyteteve nuk duhet të jenë më vetëm simbole të rëndësisë urbane por edhe të rëndësisë kombëtare, ideologjike,ekonomike,politike,emocionale dhe personale. Këto qasje gjithsesi duhet korrigjuar nëse dëshirojmë të jemi pjesë e botës përparimtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)