29 Mars 2024

Serbia me platformë të epokës së Millosheviqit për Kosovën, drejt Evropës!

Shkruar nga Fisnik A. Gashi

Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Kjo nuk është njëra prej prononcimeve të ndonjë përfaqësuesi institucional të vendit tonë para mediave apo në ndonjë manifestim patriotik, por është dispozita e parë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është dispozita që i jep kuptim shtetësisë dhe ekzistencës jo vetëm juridike të shtetit të Kosovës, por është dispozita e cila do ta ruaj rajonin nga konfliktet e reja etnike, në rast se respektohet.

Qytetarët e Kosovës dhe më gjerë, janë dëshmitarë të promovimit të shumë projekteve/ideve/ veprimeve/platformave e planeve për shtrirjen e sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës në Veriun e vendit, sikur edhe të ekzistimit të një plani shtetëror të Republikës së Serbisë për rregullimin e ‘’çështjes së Veriut të Kosovës’’.

Republika e Serbisë si një vend i cili synon anëtarësimin në BE në vend se të përzihet në rregullimin e brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës, duke financuar struktura ilegale të sigurisë, shëndetësisë, arsimit etj.,  si dhe struktura kriminale dhe terroriste të cilat merren me krim të organizuar/kontrabandë dhe terrorizim të popullatës civile jo-serbe, duhet të hartojë plane për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE, ose të rishqyrtojë politikën e mbajtjes së dy kurorave në të njëjtën kohë, atë të djallit dhe engjëllit në raport me fqinjët në rajon.

Të dy shtetet duhet të kryejnë detyrat e tyre të shtëpisë; Republika e Serbisë përmbushjen e kritereve të Kopenhagës; Republika e Kosovës përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit dhe garantimin e tij me çdo mekanizëm që bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Në vend se të hartojë platformë e cila kërkon formimin e parlamentit dydhomësh në Kosovë, Serbia duhet të mendoj për një Parlament të tillë në Serbi dhe për garantimin e ulëseve për: hungarezët, shqiptarët, boshnjakët, kroatët, romët dhe komunitetet tjera jo shumicë në Parlamentin Serb.

Republika e Serbisë në vend se të mundohet të dezintegroj serbët e Kosovës nga Institucionet e Kosovës duke ideuar institucione autonome, duhet të hartojë platformë për integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe komuniteteve jo-serbe në institucionet e Serbisë, ngritjen e nivelit të përfaqësimit të tyre, rritjen e fondeve dhe investimet për shqiptarët dhe komunitetet jo-shumicë në Serbi, kriter ky po aq i rëndësishëm për anëtarësim  në BE.

Platforma serbe kërkon demilitarizimin e Kosovës, duke harruar se autoriteti final për çështje ushtarake në Republikën e Kosovës është NATO, në një kohë që Serbia është ajo që duhet të demilitarizoj Luginën e Preshevës dhe të largojë strukturat paralele të sigurisë nga territori i Republikës së Kosovës.

Lidershipi i Republikës së Serbisë nëpërmes krahasimit të propozimit të tyre për autonomi për veriun, me  autonominë e Katalonias, mundohet të relativizoj krijimin e një Republike Serbe në Kosovë, për shkak të konotacionit negativ (real) të kësaj republike, si dhe të paraqes Veriun si Katalonia: një pasuri e madhe e Spanjës.

Serbia nuk duhet të harroj një gjë: ‘’Krajinat serbe’’ nuk kanë pasur kurrë fatin e tyre të mirë! Për më tepër Serbia duhet të angazhohet për të gjetur zgjidhje për çështjeve me të vërtetë të brendshme të saj, në kohën kur janë rritur zërat për pavarësimin e Vojvodinës dhe autonomin e Sanxhakut nga Serbia.

Kosova e ka platformën e saj, ajo është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, çfarëdo platforme tjetër do ta shtynte Kosovën në labirinte të diplomacisë qorre, të cilat do të përfundonin me kompromise të dhimbshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Republika e Kosovës nuk duhet të lëvizë asnjë shkronjë nga Kushtetuta e saj dhe Plani i Presidentit Ahtisaari.

Kjo është vija e kuqe! Pasi që kjo Kushtetutë dhe ky plan iu siguron komuniteteve jo-shumicë (veçanërisht serbëve në Kosovë) të drejta që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër në botë në një shtet demokratik, ndërsa Ballkanit i siguron stabilitet dhe normalizim. Pasi që hapja e kësaj kaptine në çdo rast, nuk do të ishte në favor të askujt tjetër më shumë, se popullit shqiptar, i cili ka sakrifikuar shumë nga vetja, për paqen e rajonit.

Serbia mundohet të politizojë/destabilizoj çdo gjë në Kosovë dhe në raport me të, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm çoftë edhe OKB-në. Edhe (mos) ndërtimin e një kanalizimi në një fshat shqiptar, Serbia mundohet ta vë si pikë të diskutimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së!

Por lidershipi i Beogradit nuk duhet të harrojë një gjë, se për anëtarësim në BE, Serbisë i duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj pasi që aty shkruhet për sovranitet mbi një pjesë të cilën Serbia nuk qeveris dhe nuk e kontrollon, de-fakto dhe de-jure, për më tepër kjo paraqet pretendim territorial ndaj një vendi fqinj, në një kohë kur Serbia duhet të përmbushë njërin ndër parimet më thelbësore për anëtarësim në BE, atë të fqinjësisë së mirë.

Çfarë do të ndodhte në rast se vendet e rajonit ideojnë platforma për bashkëkombësit e vet, të cilat janë pakica në vendet fqinje: Shqipëria dhe Kosova për shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Serbi e Greqi; Greqia për grekët në Shqipëri e Maqedoni. Ballkani do të hynte në një krizë të re rajonale, krizë e cila për dallim prej të mëparshmëve mund të ndodh në kohën kur flasim për procese integruese dhe globalizim. Republika e Serbisë nuk mund të hyjë në Evropë me gjuhën e Millosheviqit dhe bashkëkohësve të tij, pasi që ishte po kjo gjuhë e cila e futi atë në luftë me gjithë rajonin, e në fund me gjithë botën.

Ashpërsimi i gjuhës nacionaliste të liderëve të Ballkanit duhet të jetë kambanë për rritje të  përqendrimit të politikës amerikane dhe evropiane në rajon, me rritje të fuqisë/pranisë, politike/ushtarak dhe strategjike dhe njëherit, me rritjen e investimeve dhe vënien në prioritet të çështjes së integrimit të Ballkanit në Bashkimi Evropian.

Bashkësia ndërkombëtare veçmas BE duhet të ushtrojë më shumë trysni mbi Republikën e Serbisë, për të shmangur ide luftënxitëse, gjë që nuk do të kursehej ta bënte për një kryeministër shqiptar në raport me deklarata nacionaliste që i referohen vetëm historisë. Serbia po bën jo vetëm deklarata por edhe hapa nacionalist me doktrinë të Millosheviqit, e cila çdo herë ka dalë e humbur.

(Autori është ligjërues në Kolegjin ISPE)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)