28 Mars 2024

Serbia kurr nuk mund ta ndryshojë pavarësinë e Kosovës

Shkruar nga Alon Ben-Meir

Korrigjimi i të gabuarës

Ka ardhur koha që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, jo vetëm sepse nuk e ka fuqinë dhe mjetet me të cilat mund të ndryshojë atë që kanë njohur mbi 100 shtete, por sepse Kosova do të bëjë çdo sakrificë për ta ruajtur atë që ka fituar me djersë dhe gjak. Presidenti Vuçiq duhet të vihet në lëkurën e shqiptarëve të Kosovës dhe ta pyesë vetveten:

Pse do t’ia dorëzonin ndonjëherë pavarësinë dhe lirinë e tyre një vendi që i ka diskriminuar, abuzuar dhe trajtuar sistematikisht si qytetarë të dorës së dytë që nuk janë të denjë për barazi para ligjit?

Pse do t’i nënshtroheshin tekave të një vendi që ka zhvilluar luftë të pamëshirshme dhe që i ka mbuluar me kërdi dhe shkatërrime nga të cilat ata ende nuk janë rimëkëmbur?

Pse do ta humbnin pavarësinë e tyre në një vend që ka kryer krime të tmerrshme lufte—duke ekzekutuar më shumë se 10,000 djem dhe burra të pafajshëm, duke përdhunuar mbi 20,000 vajza dhe gra, duke iu shkaktuar dhimbje, agoni dhe turp të pashprehshëm familjeve të tyre—nga të cilat ende vuajnë?

Pse do ta braktisnin pavarësinë e tyre për një vend që ende refuzon t’i zbulojë vendet e varrimit të rreth 2000 burrave, grave dhe fëmijëve të zhdukur; për një vend të cilit i mungon guximi moral për të pranuar që i ka kryer krimet e luftës të cilat ishin evidente dhe të qarta për të gjithë të tjerët?

Pse një popull me një fe, trashëgimi kulturore, histori dhe gjuhë të ndryshme do të pranonte t’i nënshtrohej një vendi me të cilin ka pak vlera dhe aspirata të përbashkëta?

Këto ndjenja të dhimbshme ndaj Serbisë dhe plagët e pashlyeshme psikologjike që la lufta te çdo kosovar, vetëm sa e thelluan refuzimin e tyre të Beogradit. As Vuçiqi dhe asnjë nga pasardhësit e tij kurrë nuk do të jenë në gjendje t’i zbusin këto pengesa të rrënjosura thellë, përveç nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e kupton se ajo nuk mund ta ndryshojë atë që është bërë një realitet i pakthyeshëm.

Dështimi për të tërhequr njohjen

Gjatë viteve, qeveritë e njëpasnjëshme serbe filluan një fushatë për të bindur shumë vende që të tërhiqnin njohjen e Kosovës.

Ky ka qenë një dështim i zymtë. Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, marsin e kaluar pohonte se 18 vende ose e kishin tërhequr plotësisht njohjen ose po i ripërcaktonin qëndrimet e tyre rreth Kosovës, disa nga këto tërheqje të njohjeve janë të diskutueshme, sipas Balkan Insight, dhe ato vende që i kanë tërhequr njohjet janë kryesisht shtete të vogla afrikane dhe të Paqësorit, që gëzojnë pak ose nuk kanë ndikim fare në skenën ndërkombëtare, duke përfshirë Surinamin, Burundin dhe Papua Guinenë e Re. Aktualisht Kosovën e kanë njohur 115 shtete, prej të cilave i fundit është Izraeli.

Nuk ekziston opsioni ushtarak

Presidenti Vuçiq e di shumë mirë se nuk ekziston opsioni ushtarak për ta detyruar Kosovën të heq dorë nga pavarësia e saj.

 Edhe pse çdo shqiptar kosovar do të luftonte deri në frymën e fundit për t’ia mohuar Serbisë një fitore të tillë, NATO-ja do të ndërhynte menjëherë dhe do të kryente një sulm ajror, siç bëri në luftën e viteve 1998-1999, e cila përfundoi pas një fushate bombardimi 78-ditore.

Lufta i dha fund gjithashtu sundimit të tmerrshëm dhe represiv të Presidentit Sllobodan Millosheviq në krahinën e atëhershme jugosllave.

 NATO-ja vazhdon të garantojë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Vuçiqi nuk dëshiron ta testojë përkushtimin e NATO-s.

Paaftësia për të ushtruar presion ekonomik

Kosova nuk varet ekonomikisht nga Serbia dhe për këtë arsye asnjë qeveri serbe nuk mund të ushtrojë presion ekonomik, as tani dhe në asnjë moment në të ardhmen, për ta detyruar Kosovën. Kosova mund të importojë çdo produkt nga vendet tjera, duke përfshirë BE-në, Turqinë, Kinën dhe shumë të tjera.

Duke qenë kështu, Kosova madje mund të vendosë tarifa për mallrat e importuara nga Serbia, siç ka bërë në të kaluarën. Prandaj, mungesa e fuqisë ekonomike serbe i mundëson Kosovës të luajë fuqishëm pa rrezikuar dobësimin e ekonomisë së saj, siç e kemi parë edhe më parë.

Privimi i Kosovës nga integrimi në BE

Është e vërtetë që refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën e pengon këtë të fundit të anëtarësohet në BE, pasi integrimi është kushtëzuar me përfundimin e konfliktit dhe arritjen e njohjes reciproke – por kjo gjithashtu e pengon Serbinë të anëtarësohet në BE.

Si rezultat i kësaj, presidenti i Rusisë Putin po e shfrytëzon mundësinë për ta joshur Serbinë në orbitën ruse duke shitur armë, gjë që domosdoshmërisht kërkon trajnerë ushtarakë rusë në tokën e Serbisë. Ironikisht, megjithëse Vuçiqi e di se rritja dhe prosperiteti i Serbisë në të ardhmen varet nga BE-ja, ai ende po e rrezikon interesin kombëtar të vendit të vet duke refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 Ndërkohë ai po ngec në rrjetën e Putinit, i cili është i vendosur ta dobësojë BE-në dhe ta pengojë Serbinë që të bëhet ndonjëherë shtet anëtar në aleancë.

Vuçiqi duhet të shikohet në pasqyrë dhe ta pyesë vetveten nëse tani apo në çdo kohë në të ardhmen ka gjasa të rikthehet Kosova si një krahinë serbe. Nëse ai është i sinqertë me vetveten, ai do ta dijë se nuk ka gjasa të tilla. Është koha që ai ta mbledhë guximin moral dhe të demonstrojë lidership duke përcaktuar një rrugë të re që do të çonte përpara kauzat e vendit të tij dhe të Kosovës.

Ka disa masa që Vuçiqi mund t’i ndërmerr përpara se ta njohë Kosovën, për ta përgatitur publikun për ta pranuar të pashmangshmen:

    t’i japë fund narrativit publik që e promovon idenë se Kosova është një krahinë serbe;

    të përfundojë zyrtarisht fushatën e bindjes së vendeve që e kanë njohur Kosovën, që ta tërheqin njohjen e tyre;

    ta fillojë procesin e normalizimit me Kosovën në shumë fusha, duke përfshirë tregtinë, shkëmbimin kulturor, lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, shkëmbimet akademike dhe diskutimet fetare ndërmjet priftërinjve ortodoksë serbë dhe imamëve, përveç masave të tjera;

    të bashkëpunojë në kërkimin e personave të zhdukur për të ofruar përgjigje përfundimtare për mijëra familje që janë ende në vuajtje për humbjen e të dashurve të tyre;

    të iniciojë dhe të mbajë kontakte të rregullta ndërmjet zyrtarëve serbë dhe kosovarë, duke filluar me ftesën e kryeministrit Kurti në Beograd për diskutime.

Pas një periudhe prej dy deri në tre vjet nga pajtimi, Vuçiqi ose pasardhësi i tij duhet ta ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe t’i pranojnë krimet e luftës për të mundësuar shërim kombëtar të të dy popujve. Vetëm atëherë të dyja palët mund t’i trajtojnë çështjet e tjera konflikte, kryesisht gjendjen e serbëve që jetojnë në Kosovë, shpërndarjen e ujit dhe kufijtë, përderisa e gjitha kjo bëhet në kontekstin e një Kosove të pavarur të cilën Serbia do ta njohë.

Shumë do të thonë se pavarësisht se sa i bindshëm mund të jetë ky argument, Serbia nuk do ta pranojë kurrë atë. Epo, kjo mund të jetë kështu tani për tani. Por unë e sfidoj cilindo serb të më tregojë se si do të ndryshojë dinamika e konfliktit për të avancuar një alternativë të re reale të cilën mund ta pranojë Kosova, përveç njohjes së pavarësisë së saj?

Është koha për t’i dhënë fund këtij konflikti torturues që nuk bën gjë tjetër veçse thellon pa nevojë përçarjen midis dy vendeve. Në vend të kësaj, ato do të duhej të jetojnë, të rriten dhe të përparojnë si fqinjë të mirë në paqe, duke mundësuar brezin e ardhshëm të serbëve dhe kosovarëve të lulëzojnë së bashku dhe të lënë pas kapitullin e shëmtuar të përvojës së prindërve të tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)