27 Korrik 2021

Samiti BE - SHBA: Një moment premtues në marrëdhëniet transatlantike

Shkruar nga Josep Borrell

 Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i bashkon një histori e përbashkët dhe vlerat e përbashkëta.

Ne kemi punuar përkrah njëri tjetrit për ta siguruar paqen dhe prosperitetin, si për qytetarët tanë, ashtu edhe për njerëzit në mbarë botën. Në kohë të krizave, evropianët dhe amerikanët e kanë pasur mbështetjen e njëri tjetrit.

Sot, jemi në një udhëkryq, duke u përballur me sfida ndaj vetë themeleve të shoqërive dhe vlerave tona.

Në të vërtetë, kjo është ndoshta periudha më e rëndësishme në marrëdhëniet transatlantike gjatë një gjenerate.

Duke u mbështetur në "Agjendën e re BE-ShBA për Ndryshimin Global" që BE-ja e paraqiti në dhjetor, Samiti BE-ShBA i javës së ardhshme është thirrje për ta shfrytëzuar forcën tonë kolektive, për t'i mbrojtur interesat tona të përbashkëta dhe për ta siguruar bashkërisht lidershipin global.

Aksioni i përbashkët BE-ShBA për trajtimin e sfidave globale

Prioriteti ynë i parë i përbashkët është që t'i japim fund pandemisë COVID-19 dhe ta sigurojmë një rimëkëmbje të qëndrueshme.

BE-ja tashmë i ka siguruar 1.8 trilionë euro si fuqi stimuluese buxhetore për ta rilansuar ekonominë e Evropës në një mënyrë që e bën atë më të gjelbër, më digjitale dhe më të paanshme.

Administrata e Biden-it e miratoi Planin Amerikan të Shpëtimit në vlerë prej 1.9 trilionë dollarësh në mars. Me këto veprime, BE-ja dhe ShBA-të do të jenë të dyja në gjendje që "të rimëkëmben më mirë".

Në luftën kundër virusit, kapaciteti ynë shkencor i pashoq është demonstruar përmes partneritetit tonë për zhvillimin e vaksinave.

Vaksina e parë e aprovuar për përdorim në BE dhe ShBA, BioNTech/Pfizer, ishte përpjekje e përbashkët nga një kompani farmaceutike evro-amerikane.

Së bashku, ne u japim si donacion miliona doza të vaksinave vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, përmes mekanizmit COVAX dhe po ashtu e mbështesim dhe forcojmë Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Tash që kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në COP26, ka ardhur koha që t'i japim trajtë një agjende të gjelbër transatlantike gjithëpërfshirëse dhe ambicioze, duke filluar jo vetëm me një angazhim të përbashkët për emetimet neto zero deri në vitin 2050, por edhe duke punuar përkrah njëri tjetrit për ta bërë emetuesin më të madh në botë që të lëvizë më tej dhe më shpejt.

Vendimi i administratës së Presidentit Biden për t'iu bashkuar Marrëveshjes së Parisit dhe për të caktuar caqe ambicioze për t'i ulur emetimet është hap i mirëpritur.

Ndërtimi i një ekonomie transatlantike për të ardhmen

Me një fokus në pasqyrimin e prioriteteve dhe interesave të brendshme të BE-së dhe ShBA-ve, marrëdhënia jonë ekonomike mbetet burim i madh i prosperitetit, nxitës i inovacionit dhe dëshmi e qëndrueshmërisë.

Miliona vende të mira të punës janë krijuar në mbarë Atlantikun, ndërsa 780 milionë konsumatorët tanë kanë përfituar nga arteria globale ekonomike më fitimprurëse në botë.

Por, nevojitet më shumë sesa stimul financiar për t'i bërë ekonomitë tona që të lëvizin përsëri.

Në anën tjetër, irrituesit e tregtisë kanë ekzistuar gjithmonë, prandaj është në interesin tonë të përbashkët t'u drejtohemi atyre në një frymë bashkëpunimi, duke mbajtur mend se janë të tjerë ata që do të përfitojnë nga çfarëdo ndasie.

Ne duhet ta rikthejmë besimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, përderisa i udhëheqim përpjekjet për ta reformuar atë.

Trajtimi i sfidave të sigurisë ndërkombëtare

Ne mbetemi dy promovuesit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në botë. Duhet të qëndrojmë vigjilentë në mbrojtjen e demokracisë edhe së brendshmi, përfshirë përmes angazhimit tonë për drejtësi sociale dhe barazi racore dhe gjinore.

BE-ja dhe ShBA-të duhet t'i bashkojnë forcat për t'iu kundërvënë ngritjes së autoritarizmit, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe korrupsionit.

Nëse e mposhtim pandeminë dhe e rikthejmë veprimtarinë ekonomike në një mënyrë që i ndihmon planetit tonë, kjo mund të jetë dëshmia më bindëse për qytetarët tanë se demokracia vërtetë funksionon dhe se popullizmi dhe autoritarizmi nuk janë përgjigjet e duhur.

BE-ja dhe ShBA-të mbeten garantuesit më të mëdhenj të sigurisë dhe paqes në mbarë botën. Ne në BE jemi të përkushtuar që ta luajmë rolin tonë, duke i forcuar aftësitë tona në një mënyrë që e përplotëson dhe përforcon NATO-n në mënyrë të ndërsjellë, veçanërisht përmes vënies së Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm. SHBA-të dhe partnerët e tjerë të ngushtë tashmë na janë bashkuar në këtë rrugëtim.

Sa i përket Kinës, qasja jonë është gjithnjë e më harmonizuar, e bazuar në konkurrencë kur është e pashmangshme.

Që nga kriza e Ukrainës e vitit 2014, BE-ja dhe ShBA-të po ashtu kanë punuar së bashku për ta zmbrapsur sjelljen destabilizuese të Rusisë dhe për t'i mbështetur parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ne jemi të gatshëm të zbatojmë sanksione kur është e nevojshme, në bashkërendim kur të jetë e mundur.

Në të njëjtën kohë, duhet të përpiqemi për bashkëpunim, kur të jetë e nevojshme dhe e mundur, dhe të vazhdojmë të angazhohemi për çështjet që janë me interes për ne dhe si ta diktojë situata.

Samiti BE-ShBA është përfundimisht një mundësi për ta rikonfirmuar bashkërisht mbështetjen tonë për një rend shumëpalësh të bazuar në rregulla. Do të angazhohemi që t'i forcojmë dhe reformojmë institucionet shumëpalëshe, për të siguruar që ato të reagojnë ndaj sfidave aktuale.

Nuk kemi kurrfarë iluzionesh sa i përket ashpërsisë së sfidave me të cilat përballemi. Në Samitin BE-ShBA, ne do të bashkëpunojmë me administratën e Biden duke u bazuar në një parim të thjeshtë: Jemi më të fortë së bashku.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Korrik 2021

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 9:45)

- Policia e Republikës së Kosovës organizon ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të zyrtarëve policorë, e cila iu dedikohet zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës “Heronjve të Kosovës”. (Hapësira e jashtme para objektit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ora 10:00)  

- Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)  

- Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencën për medie lidhur me përmbylljen e projektit “Barometri i Rimëkëmbjes – për transparencë dhe llogaridhënie” dhe prezantimin e raportit përfundimtar të zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – Covid-19. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të performances “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takoht me kryetarët e Odave të profesionistëve shëndetësor për të diiskutuar për punën dhe sfidat e Odave të profesionistëve shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)  

- Nën përkujdesin e drejtpëdrejt të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shënohet 231-të i themelimit të Teqesë Bektashiane të Gjakovës. (Teqa Bektashiane në Gjakovë, ora 11:00)

- Misioni i OSBE-së në Kosovë do ta prezantojë edicionin e pestë të Raportit vlerësues të të drejtave të komuniteteve. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari raporton para Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me nivelin e zbatimit të ligjit për shoqëritë tregtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)  

- Organizohet hapja solemne e Dekra Akademie në Gjilan e cila ka hapur dyert e saj për infermierët e licencuar që duan të punojnë në Gjermani. (Tek Rruga e Gjinollëve, nr.83, Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë  shqyrton Projektligjin në parim për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, Projektligjin për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla 303, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës s Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301 ora 15:00)