05 Dhjetor 2022

Qerim Arifi apo Migjeni harruar i Kosovës Lindore

Shkruar nga Gani Qarri

Në kujtim të mësuesit, profesorit, gazetarit e krijuesit të mirënjohur preshevar, me rastin e ditës së mësuesit.   

Qerim Arifi ish mësuesi, profesori, gazetari dhe krijuesi i mirënjohur nga Kosova Lindore, u lind me 22 shkurt të vitit 1946, në qytetin e Preshevës ose thënë më mirë në zemrën dhe kryeqytetin e Kosovës Lindore, vatër e cila në vijimësi nxori intelektual dhe krijues të shquar, me të cilët nderoi veten dhe të gjitha trojet tona etnike, emra që mbeten përjetësisht në zemrat e shqiptarëve dhe kujtesën e mbarë kombit.      

Ai erdhi ne jetë si fëmija i vetëm i dy prindërve të rinj Ramizit dhe Safetes, të cilit fatkeqësisht kur Qerimi ishte vetëm 3 vjeçar, i vdiq e ëma, ndërsa i ati, si burrë i vetëm në shtëpi, që duhej të punonte e luftonte për mbijetesë, duke mos pasur mundësi të përkujdesej për një fëmijë të mitur, Qerimin e vogël e morën dajat ta rrisnin dhe për rreth 7 vite me radhë u përkujdes gjyshja (nëna e nënës së poetit), për krijuesin, profesorin dhe gazetarin e ardhshëm sublim Qerim Arifi.      

Shkollimin fillor dhe të mesëm Qerimi i kreu ne Preshevë, kurse shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik degën e Gjuhës dhe Letërsisë angleze, në Universitetin e Prishtinës.       

Pas përfundimit të fakultetit, i pajisur me dije dhe diplomën e profesorit të ri të gjuhës angleze nga Universiteti i Prishtinës, Qerim Arifi u kthye në vendlindje dhe për disa vite, punoi dhe kontribuoi për edukimin dhe arsimimin profesional të nxënësve semimaturantë shqiptar, në shkollën e mesme-gjimnazin "Skënderbeu" në Preshevë.      

Për mësuesin, profesorin, poetin, krijuesin dhe gazetarin e ardhshëm, si pedagog dhe intelektual me nam, nuk kishte gjë më impresionuese, nder më të veçantë dhe kënaqësi më të madhe se sa kur ai, me sytë tij shihte përditë, se si rriteshin e arsimoheshin shëndetshëm dhe frymëzoheshin kombëtarisht brezat e ri të shqiptarëve autokton, të cilët nga shkolla-gjimnazi ku ai punonte, brez pas brezi dilnin studentë, mësimdhënës dhe drejtues institucionesh e entesh edukative, arsimore, administrative dhe politike jo vetëm në Preshevë e rrethinë por edhe në Kosovë ku bën emër të mirë dhe lanë gjurmë të pashlyeshme.          

Ata ishin pasardhësit dhe vijuesit e denjë, të traditave, vizioneve dhe idealeve të shquara kombëtare shqiptare, bij të mundit e të djersës së prindërve të molisur për më shumë të dritë, barazi e dinjitet dhe të drejta etnike e liri njerëzore, autor të shumëvuajtur të sakrificës së pafund dhe pinjoll të paepur të arsimimit bashkëkohor, fillor, të mesëm e universitar në gjuhën amtare shqipe, siç ishte edhe vet profesori, gazetari dhe poeti e krijuesi i përjetimeve të dhembshme e vetëmohuese Qerim Arifi.       

Qerimi ishte ikonë e kohës, i cili jetoi dhe punoi me zell e përkushtim të pafund, si korife dhe frymëzues i idealit të shenjtë kombëtar, që ishte ideal i gjithë gjeneratave të asaj kohe, se vetëm atdhetarizmi i pastër dhe drita e diturisë autoktone amnore shqipe, do të mund ta ruante gjuhën, traditat e identitetin e shqiptarëve dhe bërthamën e kombit në ato troje etnike,të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Kosovës, ku ishte lindur e rritur edhe vet Qerimi.    

Veprim patriotik me të cilin u mësoi dhe mundësoi edhe brezave të rinj të shkolluar nga ai me kolegë, që me dëshirë të lartë dhe vullnet të pashuar, edhe ata të jepnin kontributin e vet personal e kolektiv, për vijimësinë e të jetuarit shqip, si dhe të avanconin përpjekjet për liri, të drejta e barazi të plotë kombëtare për shqiptarët e shtypur e të nëpërkëmbur ndër shekuj e dekada në trojet e veta autoktone, nga pushtues dhe regjime të egra antishqiptare, si regjimet pushtuese shoviniste serbe.       

Por UDB-në, duke parë përkushtimin e thellë kombëtar dhe angazhimin vetëmohues didaktik të Qerim Arifit për ti përcjell ndjesitë kombëtare edhe te gjeneratat e reja dhe nxënësit e tij, nisi ta shqetësonte prirja patriotike dhe atdhetarizmi i paepur i pedagogut të ri, ndaj dhe do të bënte ç`mos, që profesori dhe gazetari i dalluar nga Presheva shqiptare, të mos arrinte ti jetësonte të gjitha ato, për të cilat ishte shkolluar e përgatitur dhe i kishte në shpirt ti kthente në vepër, për vendin dhe bashkëkombësit e vet.          

Kështu që sipas referencave të besueshme nga vendlindja e Qerimit, UDB kishte arritur të infiltrohej, deri në jetën bashkëshortore të poetit dhe këtij atdhetari e kombdashësi të madh, t`ia shkatërronte planet, ardhmërinë dhe gjithë jetën e tij.      

 Ikja nga Presheva dhe vendosja në Prishtinë         

I rënduar nga gjendja sociale e politike që profesorit të ri, i përkeqësohej çdo ditë, Qerim Arifi kishte kërkuar ndihmën e bashkëkombësve në Prishtinë dhe megjithëse Kosova edhe vet, në ato kohë të rënda e të vështira për të gjithë shqiptarët nën okupimin serb, vuante e rënkonte nën regjimin sllav, edhe nën ato kushte e rrethana kritike, me mundësi të kufizuara veprimi, bënte krejt çfarë mundte e arrinte për shqiptarët e mbetur, padrejtësisht dhe pa dëshirën e tyre, jashtë kufijve të Kosovës, veçanërisht për shqiptarët e Prshevës, Bujanocit e Medvegjës, Malit të Zi dhe Iliridës, duke dhënë çdo gjë brenda mundësive dhe kapaciteteve që kishte, për mbështetjen, shkollimin dhe avancimin e tyre në procesin arsimor, profesional dhe administrativ e politik.  

Kështu që, për ta larguar nga atmosfera e rënduar nga e cila ati i rrezikohej edhe jeta në Preshevë, Qerim Arifit do ti ofrohej punësim në revistën "Zëri" si dhe sigurohej banesë e akomodim për një jetë normale në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.         

Por i lodhur nga problemet që kishte me partneren në vendlindje, një kohë Qerimi jetojë i vetëm në Prishtinë, ndërsa pas disa vitesh mori edhe familjen e ngushtë të tij, duke menduar se problemet e lindura në Preshevë, do ti takonin të kaluarës, ashtu siç edhe i ishte premtuar poetit nga "burrat", gjë që megjithatë, gjendja e tij, jo vetëm se nuk shkoi si duhet, por u përkeqësua edhe më tepër, për gazetarin e krijuesin e mirënjohur.    

Kështu që sipas asaj që tregojnë njerëzit nga rrethi i poetit në Preshevë, në kohën kur në kryeqytet dhe qytetet tjera gjithandej Kosovës dhe jashtë saj, kudo jetonin shqiptarët, vijonin pakënaqësitë dhe demonstratat studentore, me kërkesat për avancimin e statusit politik të Kosovës në Republikë, UDB ishte vënë në alarm, për gjuajtjen e intelektualëve me prirje atdhetare dhe pas një diskutimi sqarues- të brendshëm familjar, për shkak të dyshimeve të poetit, për kooketim të partneres me pjesëtarët e UDB-së, policët serb dhe shqipfolës në shërbim të UDB-së, do ti futeshin në banesë Qerim Arifit, rrokullisnin atë nga shkallët duke e goditur me shqelma e grushta dhe rrihnin aq shumë, në mes të ditës me diell, duke e goditur qëllimisht, me sa fuqi kishin, në të dy anët e zonës së veshkave, derisa ai ishte alivanosur dhe filluar të nxirrte gjak për hunde e për goje.          

Kjo fatkeqësi dhe rrahje barbare, sipas referencave nga njerëz të afërt të gazetarit e krijuesit dhe koha e pasqyrimit të gjendjes së tij të trishtë shëndetësore, të cilën ai vet e përshkruan në poezinë e famshme me titull: „Në Dhomën time…..“, barbaria ndaj poetit, nga UDB serbo-sllave duhet të ketë ndodhur nga fundi i vitit 1981 apo fillimi i vitit 1982,sulm nga i cili mjerisht trupi i hajthëm i Qerm Arifit, nuk do të rimëkëmbej më kurrë.         

Dhe për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar, me ndihmën e dajëve të vet dhe organizatës ku ai punonte, poet Qerimi ishte dërguar për kurim në Strugë, por mjerisht as kjo nuk i kishte ndihmuar gjë, ngase veshkat e tij ishin dëmtuar deri në përmasa të atilla shkatërruese, sa që funksionimi i tyre kishte pushuar tërësisht dhe ai ishte detyruar të hynte në dializë.         

Madje për fatin e keq të poetit edhe dializa nuk do ta mbante gjatë në jetë, ndaj në momentet që pa se po afrohej me të shpejtë dita, kur ai do ti linte lamtumirën kësaj jete dhe largohej nga kjo botë mëkatare, Qerim Arifi kishte kërkuar ta rikthenin në Prishtinë, në qytetin që e donte aq shumë, aty ku i‘u mundësua të jetonte si njeri dhe shqiptar i pa ndrojtur, ku kishte kolegë e miq me të cilët mund të fliste lirshëm, shqyrtonte gjendje dhe trajtonte situata, si dhe studionte mundësitë e bënte projekte, se si mund tu ndihmohej edhe shqiptarëve në vendlindjen e tij.    

Por megjithatë, duket se tanimë ishte bërë vonë për gjithçka dhe pa vonuar, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke vdekur më 1990, në Strugë, ku ishte dërguar për kurim, prej nga do të sillej dhe varrosej me nderime të larta të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve në Prishtinë.           

Qerimi ishte profesor, gazetar, poet, përkthyes e krijues i gjakut të fisëm, që mbetet vlerë e përjetshme e historisë tonë më të denjë krijuese, arsimore e kombëtare, intelektual i shquar dhe misionar profetik me rrënjë origjinale autoktonie, i lindur dhe rritur në zemrën e Kosovës Lindore, i cili nga ajo ngjarje makabre mbeti i shtrirë në shtrat, deri në çastet kur mbylli sytë përgjithmonë.          

Krijues shumëdimensional e atdhedashës i madh, që dha gjithçka nga vetja, për arsimim, kulturë e dinjitet dhe një të ardhme më të mirë të shqiptarëve, duke mos kursyer veten, në mënyrë që edhe gjeneratat pasuese të arrinin sa më shumë përparim në procesin e dijes e të shkollimit dhe gëzonin pa kufizime, të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare, të cilat u takonin në vendlindjet dhe trojet e tyre autoktone kudo ata jetonin dhe jetojnë edhe sot.     

Por përkundër të gjithave sa bëri poeti për vendin dhe njerëzit e kombit e të truallit të vet, mjerisht krijuesi Qerim Arifi vuajti dhe u mundua deri në atë shkallë trishtuese, sa që edhe dhembjeve që ndjente në trupin e tij, u kishte humbur kuptimi.          

Dhe pa vonuar ai do të vdiste shumë i ri, si një Migjen i dytë, edhe pse nga një cep tjetër, por jo shumë i largët gjeografikisht i atdheut të përbashkët shqiptar.        

Poet mitik, profesor, pedagog e gazetar i dalluar, me të gjitha virtytet e një mësimdhënësi shembullor dhe autori e krijuesi të shquar e të veçantë kombëtar, i harruar nga të gjithë edhe nga vet perënditë pagan, i cili pësoi dhembje dhe vuajti më shumë se cilido krijues tjetër, padrejtësisht dhe pa fajin e ti, vetëm pse ai ishte patriot shqiptar.           

Maratonomak i dënuar me vdekje, jo nga Zoti, por nga njerëzit e këqij e të shfrenuar moralisht dhe armiqtë e kombit, që të kalonte padrejtësisht në një histeri të papërshkrueshme tmerri e trishtimi, i lënë i vetëm në kulmin e mjerimit, shtrirë në errësirë, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur, pa ndihmën e askujt, katandi ku nuk kishte më, ku të shkonte më keq, sa të mos mund t`ia kërkonte asnjërit, një kafshatë bukë, a një pikë uji, duke përjetuar për gjallje të vet, të 9-të rrathët e ferrit të Dantes, ende pa ikur në amshim.      

Të cilit megjithëse poezia “Marathonomak”, përshkruante vrapimin e mundimshëm të lajmëtarit, i cili do ta çonte lajmin e gëzuar të fitores në popull, këta dy rreshta të poezisë së Nolit te madh, me titullin e lartcekur,  do ti shkonin shumë gjendjes së mjeruar të poetit Qerim Arifi.    

Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhe
*******************************  
Qerim Arifi ishte martir i viktimizuar qëllimshëm, i cili i torturuar në mënyrën më të trishtë ç ‘njerëzore, nuk kishte kujt t`ia tregonte plagët e tij dhe as në çastet e fundit të jetës, nuk pati me kënd ta ndante vuajtjen që ndjente as shprehte mallin e grumbulluar në shpirt, i përcjellë gjatë gjithë kohës me mallkimet për vdekje, sa më të shpejtë, nga ajo që në fakt, do duhej ti gjendej pranë dhe përkujdesej për te, edhe në vuajtje dhe çastet më të këqija të ti edhe kur krijuesi kalonte qaste të ngjashme si në këta rreshta të poezisë noliane.    

Gryka si gjyryk të ç ‘fryn
Prej Vullkani flakë e tym
Se ç ‘vëngon e se ç ‘gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
******************************
Mbahu, or Marathonomak, do të shprehej Noli i madh!    

Por poetin dhe krijuesin tonë të shquar Qerim Arifi, nuk kishte as kush ta ngushëllonte dhe jepte frymëzim, madje në vend të ndihmës dhe ngushëllimit, ai merrte mallkime për vdekje, siç vë në pah edhe vet poeti, në poezinë e trishtë me titull "Në dhomën time....", ku shpreh në hollësi rrëqethëse gjendjen e tmerrshme të para-amshimit, derisa lëshonte rënkimet nga vuajtja dhe grahmat e frymëmarrjes së vështirësuar e të mundimshme të tij, duke e sfilitur edhe më tepër me shprehjet ç ‘njerëzore: “Ende s`ke cofur imzot.....?!:       

Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin         

*************************************************************************      

Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët      

Me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt      

Por, askush nuk vjen t’i heqë. Në dhomën time të blasfemuar      

Nuk dëshiron të hyje askush. Më thotë: “a ende s’ke cofur imzot!”           

Migjeni harruar i Preshevës dhe gjithë Kosovës, që ishte betuar para kaluarit të të gjitha vështirësive dhe jetës plot vuajte që kaloi, të shihte vetëm ëndrra me diell dhe dritë të dëlirë për atdheun, vendlindjen e ti Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Shqipërinë etnike dhe mbar kombin shqiptar.        

Ikona e intelektualit të paepur, pedagogut dhe krijuesit të dalluar shqiptar, që pas vuajtjesh e mundimesh të stërmëdha, vdiq i ri dhe në kohën kur ai mund të ofronte shumë më shumë krijime edhe më të pjekura e më afirmative se kurrë më parë, duke i lënë parakohshëm lamtumirën kësaj bote në moshën 44 vjeçare, gjë që e bënë edhe më të dhembshme shuarjen e tij të hershme e të mundimshme.          

Profesor i mirënjohur i gjuhës angleze, krijues i shquar e poet shembullor, dhe gazetar i dalluar, i lindur mu në zemrën e Kosovës Lindore, që punoi e vuajti aq shumë, të cilit mjerisht, vuajtja i ishte bërë pjesë e pandashme e jetës, sëmundje ngjitëse, dhe dergjë që nuk iu shkoq asnjëherë, deri në minutat e fundit.          

Qerim Arifi mbeti jo vetëm njëri nga të "pagjumët" e përhershëm për gjallje të vet, por edhe i përvuajturi i përjetshëm i kësaj treve etnike shqiptare, pothuajse i harruar nga të gjithë, pas shkuarjes në amshim, i cili njohu më mirë se kushdo tjetër, plagët e robërisë, vuajtjet e bashkëkombësve dhe vajet e gjithë tokës së okupuar arbërore, duke ndjerë fort në zemër dhe përjetuar thellë në shpirt, zjarrin e dhembjes së shqiptarit të shtypur nën pushtim.          

Duke qenë se gjendja e tij jetësore mbeti gjithmonë e rëndë dhe nga më të vështirat për një krijues produktiv e të talentuar si ai dhe në momentet më kritike për jetën e tij, nuk doli kush ta vriste heshtjen dhe mundësonte mbijetesën e poetit ikonë, që vdiq aq i ri, Qerimi ishte bërë pjesa më e nëpërkëmbur e këtyre dhembjeve dhe viktima më e pafajshme e pandemisë okupuese që shuante intelektualët dhe patriotët e kombit nga këto anë origjinale shqiptare, i cili megjithëse u përpoq deri në fund që të mos u nënshtrohej, urrejtësve dhe fatit të keq të jetës, atë e mundën imoralët, bashkëpunëtorët e okupatorit dhe shpirtrat kriminel.          

Kjo bëri që jeta e krijuesit të kthehej në tmerr, një jetë e kaluar si në botën e krimit e të terrorit, të përshkruar vetëm në ferrin e Dante Aligherit, ku ishte katandisur poeti, si qenie e urryer, e përbuzur dhe kthyer në gjysmë-kufomë të përdhunuar deri në kufijtë e katastrofës ekzistenciale, kur edhe kërkesës për një pikë uji për të njomur fytin e terur, i vinte përgjigja torturues; ende s`ke cofur imzot?!           

Sipas Testamentit të Ri biblik, ferri kishte 7 rrathë por sikur mos të mjaftonin vuajtjet që ishin "parashkruar" për njeriun, nga Aristoteli numri i rrathëve u ngrit në nëntë, kurse ideja e tij, u mor më pas edhe nga mendimtari e shkrimtari italian Dante Alighieri, sikur ta dinte edhe ai, se përmes tyre, ishte dënuar të kalonte edhe shpirti i krijuesit tonë të shquar e të pavdekshëm kombëtar Qerim Arifi.   
 
Dhe, megjithëse Qerimi mbetet krijuesi, profesori, gazetari dhe intelektuali më i martirizuar nga Presheva dhe Kosova Lindore, për jetën e mundimshme dhe vdekjen e tmerrshme, makabre e të parakohshme të tij, është shkruar më së paku, për të mos thënë fare.          

Migjeni i shumëvuajtur preshevar dhe "personazhi" më real i poemave migjeniane të mjerimit, nga kjo trevë autoktone shqiptare, angazhimet pedagogjike, gazetareske, poetike, letrare e patriotike të të cilit, mbetën vetëm cikle ëndrrash e dëshirash të parealizuara në shpirtin e vrarë të Qerim Arifit, prej të cilave iu bë jeta pelin, sikur mos të mjaftonte, që ai u shua parakohshëm dhe në mënyrën më të dhembshme të mundshme të një intelektuali të pa fat, mjerisht ai mbeti i harruar edhe nga vendësit dhe bashkëkombësit e tij.         

Madje edhe shkrimet e pakta dhe tejet të cekëta, për jetën dhe veprën e Qerim Arifit, duket se janë bërë qëllimshëm, shumë të shkurtra dhe tepër të mangëta, në mënyrë që ndoshta ai edhe pas vdekjes, të mbetet i dënuar nga të gjallët dhe fajtor kujdestar edhe në amshim, duke harruar se Qerimi u mund nga fati dhe mbytë parakohshëm nga njerëzit e shitur e të degjeneruar, në mënyrë që idealet kombëtare e krijuese të tij, të mos shkonin deri në fund dhe të realizoheshin në tërësi, për të mbytur edhe ndjesitë shpirtërore të profesorit, gazetarit dhe përkthyesit e krijuesit të ndritshëm preshevar, para kohe.          

Dhe megjithëse për jetën dhe veprën e krijuesit Qerim Atrifi, nuk jepen shpjegime të mjaftueshme, thuhet se me poezi, ai ka filluar të merret nga rinia e hershme, ndërsa botimet e para të Qerimit datojnë nga fillimi i viteve të 70-ta, me librin mbresëlënës "Kujtime", krijimet e të cilit thuhet se janë përfshi në disa antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve, kurse shkrimet e këtij krijuesi magjeps, janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.     

Qerim Arifi, megjithëse pas mbarimit të shkollimit sipëror, për disa vite ka punuar profesor në gjimnazin "Skënderbeu" në vendlindjen e tij në Preshevë, pjesën më të madhe të punës dhe të jetës së vet të shkurtër, i ka kaluar si gazetar në revistën "Zëri" në Prishtinë, që aso kohe, ishte një nga revistat më të dashura në Kosovë.          

Profesori, gazetari dhe krijuesi e poeti Qerim Arifi është marre edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë angleze dhe anasjelltas, duke mos e pushuar veprimtarinë e tij të denjë krijuese, derisa vdiq nga sëmundja e rëndë në vitin 1990 dhe u varros ne Prishtinë.      

Veprat më të njohura të Qerim Arifit janë:        

1.“Kujtime” botuar më 1970      

2.“Nokturno” botuar më 1983      

3.“Fatamorganë” botuar më 1984     

4.“Mbyllur në urnë” më 1987     

5.“Rekuiem për kalanë”- Preshevë, më 1988      

Përkthimet:  “Katër kuartetet” e Eliotit        

Vepra e përkthyer në gjuhën shqipe nga Qerimi Arifi, është poema e famshme e nobelistit të shquar britanik, Thomas Stears Eliotit „Katër Kuartetet“, e cila ndryshe njihet edhe me titullin "Shtëpia e djegur", dhe është e ndarë në 4 tituj: (BURNT NORTON, EAST COKER, THE DRY SALVAGES, e LITTLE GIDDING ).      

Ndërsa për të bashkë-ndjerë dhe kuptuar më mirë, kalvarin e vuajtjeve që ai përjetoi, po vendos këtu, një nga poezitë më prekëse të Qerim Arifit, në të cilën përshkruhet në mënyrën më origjinale se në ç ‘kushte makabre i kaloi ai vitet e fundit të sëmundjes që ishin edhe sekuencat më të rëndat të jetës së tij.         

Në Dhomën time s`ka as Pastërti as Shëndet!     

Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin

Të lutem shoku mjek, cili do të jesh intravenoz se më muskujt

Më janë shterruar e tash më duket sikur gjarpri është duke më

Kafshuar e jo duke marrë injeksione. E ato nuk përfundojnë...

Po, përpos juve mjekeve, infermiereve dhe aromës së alkoolit

Në dhomën time nuk hyn tjetër kush. Mbetet te numëroj yjet në

Netët e pafund te qiellit të zi, kështu e masë vogëlsisë time

Imzot! Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët

Me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt

Por, askush nuk vjen t'i heqë. Në dhomën time të blasfemuar

Nuk dëshiron të hyje askush. Më thot: "a ende s'ke cofur imzot!"

(Kodra e Diellit, 1983)    

Në nderim të profesorit, poetit dhe krijuesit të paharruar preshevar, thuhet se është formuar çmimi "Qerim Arifi", mbahen manifestime kulturore dhe janë formuar shoqata e grupe letrare të titulluara me emrin e tij, por ajo që lë shumë për të dëshiruar, është fakti se është shkruar shumë pak, për të mos thënë fare, për jetën e dhembshme dhe krijimet e bujshme e veprën e denjë të tij.        

Madje megjithëse sot ka poet, shkrimtar, gazetar etj, që marrin çmime, mirënjohje e dekorata, përfshi edhe çmimin që mbanë emrin e Qerim Arifit, tash e mbi 32 vite nga vdekja e poetit, jetëshkrimi dhe biografia e këtij krijuesi të ndritshëm kombëtar, u lanë për mjerim, me përmbajtje aq të tkurrur dhe tmerrësisht të mangët, sa që të vete mendja se çdo gjë bëhet qëllimshëm dhe me porosi, për neglizhimin e punës dhe veprës madhore të Qerim Arifit edhe mbi 3 dekada pas vdekjes së këtij krijuesi migjenian?!          

Dhe për rrjedhojë, të shkon mendja se edhe ata që krijuan çmimin "Qerim Arifi, duket se këtë e bënë, më tepër për ta dekoruar njëri tjetrin, se sa për ta ngritur e nderuar emrin dhe veprën e krijuesit,pasi që deri më tani, nuk publikuan qoftë edhe disa rreshta të vetëm, për punën e krijimtarinë e çmuar, vitet e mundimshme e as mënyrën e vdekjes makabre të poet Qerimit, që ishte kthyer në përditshmëri të hidhur e të rëndë jetese, për patriotët dhe atdhedashësit më të denjë, gjithandej trojeve shqiptare nën okupim.    

Kështu që, për fund, medoemos lind pyetja e patejkalueshme, se athua vallë, vërtetë, këto ishin shkrimet e vetme të ikonës krijuese të Preshevës dhe Kosovës Lindore Qerim Arifit, apo tekstet e prozës dhe poezive që ai mund të ketë lënë në dorëshkrim, si dhe librat e shumtë, që ai kishte në bibliotekën e tij personale, të gjitha përfunduan atje ku nuk do duhej, ku nuk e kishin vendin dhe as nuk e meritonin një masakrim të atillë.

Kujtim të përjetshëm dhe respekt të pafund jetës dhe veprës së mësuesit, profesorit, gazetarit e krijuesit të shquar preshevarë, atdhetarit e bashkëkombësit tonë të paharruar Qerim Arifi!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)